“The Washington Post” publikoi kolumnën e fundit të Khashoggit

Gazeta “The Washington Post” mbrëmë publikoi kolumnën e fundit të gazetarit Jamal Khashoggi, i cili në fillim të këtij muaji u zhduk pas hyrjes në konsullatën saudite në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Kolumna e Khashoggit u botua me titullin “Bota arabe më së shumti ka nevojë për lirinë e shprehjes”.

Ai në tekst ka theksuar se ka arritur deri te një përfundim i madh pas rishikimit të raportit të publikuar këtë vit nga OJQ-ja Freedom House rreth lirive në botë.

“Ka vetëm një vend arab që është klasifikuar si i lirë. Kjo është Tunizia. Në grupin e dytë si vende pjesërisht të lira janë Jordania, Maroko dhe Kuvajti. Të gjitha vendet e mbetura arabe bien në grupin e vendeve jo të lira”, thuhet në kolumnën e Khashoggit.

Ai në tekst ka nënvizuar se për shkak të lirive të cunguara, njerëzit në shumicën e vendeve arabe janë të painformuar apo të dezinformuar.

“Këta njerëz nuk janë në gjendje që në mënyrë adekuate të theksojnë dhe diskutojnë publikisht tema që lidhen me rajonin dhe jetën e tyre të përditshme”, ka shkruar Khashoggi.

Më tej në kolumnë theksohet se artikujt proqeveritarë dominojnë opinionin publik, por se shumica absolute e popullsisë është bërë viktimë e këtij narrativi mashtrues.

“Për fat të keq, mendoj se kjo nuk do të ndryshojë”, ka shkruar Khashoggi, duke shtuar se botës arabe i nevojiten mediat ndërkombëtare për t’i informuar njerëzit për zhvillimet globale.

Khashoggi e ka nënvizuar si shumë të rëndësishme për arabët krijimin e një platforme përmes së cilës bota do të dëgjojë zërin e tyre.

“Vuajmë nga varfëria, keqqeverisja dhe arsimi i dobët. Njerëzit në botën arabe përmes një forumi të pavarur dhe internacional, jashtë ndikimit të qeverive nacionaliste, mund të theksojnë problemet sturkturore me të cilat ballafaqohet shoqëria”, thuhet në kolumnë.

Kolumnës së fundit të Khashoggit i është bashkangjitur edhe komenti i redaktores së gazetës “The Washington Post”, Karen Attiah.

“Tekstin e kolumnës ma dërgoi përkthyesi i Jamal Khashoggit edhe atë një ditë pasi u raportua zhdukja e tij në Stamboll”, theksoi Attiah.

Ajo tha se nuk e ka botuar tekstin deri tani, pasi ka shpresuar se kolegu i saj Khashoggi do të vijë dhe së bashku të redaktojnë kolumnën.

“Tani jam detyruar të pranoj realitetin se kjo nuk do të ndodhë. Ky është redaktimi i fundit që do të bëjë”, ka shkruar Attiah.

Kolumna, thotë Attiah, në mënyrë të përkryer reflekton përkushtimin dhe pasionin e tij në luftën për lirinë e botës arabe.

“Lirinë për të cilën me siguri e flijoi edhe jetën”, thekson Attiah, duke shprehur kënaqësinë që ka patur rastin të bashkëpunojë me Khashoggin në këtë media.

Gazetari dhe kolumnisti i gazetës “The Washington Post” u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.

Ai ishte i njohur si kritikues i politikës që udhëhiqte qeveria aktuale saudite dhe mbështeste gazetën “Al Watan”, e cila paraqet platformën kryesore të reformistëve sauditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button