Shkaqet e mosnjohjes së maqedonishtes te shqiptarët

Në fejsbuk u paraqit një video ku tregohej një zëdhënës i BESA-s së Bilall Kasamit që kishte vështirësi të përgjigjet në një pyetje në gjuhën maqedonase. Kjo më motivoi të shkruaj në lidhje me dukurinë e gjerë që shumë shqiptarë në Maqedoni nuk e dinë fare gjuhën maqedonase, ose e flasin me shumë mangësi e vështirësi.

Më shumë se te çdokush tjetër, mosdija e maqedonishtes sot është e shpërndarë tek fëmijët dhe të rinjtë. Personalisht di shume raste që nxënës të shkëlqyeshëm me të gjitha 5, nuk e dinë maqedonishten aq mirë. Por kjo nuk është e limituar te fëmijët, edhe te të rriturit ke sa të duash raste të tilla. Por cilat janë arsyet që kanë çuar në këtë gjendje?

Televizioni kabllovik

Unë fëmijërinë e hershme e kam kaluar në një shtëpi pa televizion kabllovik, shumicën e filmave dhe serialeve, transmetimeve sportive, shou-lojave, e kështu me rradhë; i shihja në televizionet në gjuhën maqedonase. Mbase kjo ka qenë shkaku pse maqedonishten (përfshirë dhe alfabetin qirilik) e pata mësuar qysh pa filluar shkollën dhe pa patur kontakt të rregullt me maqedonasë. Por kah viti 2004-2005, e mbaj mend se tërë mëhalla përnjëherë vendosi televizion kabllovik, dhe në biseda me të tjerët, diskutoheshin shakatë te “Portokalli” (Top Çanell) apo “Kafeneja Jonë” (RTK). Ishte kjo indikacion se tashmë përparësinë në shtëpitë tona, qofshin te të rriturit, qofshin te fëmijët, e kishin marrë televizionet nga Shqipëria dhe Kosova, që jo vetëm ishin në gjuhën shqipe, por kishin, dhe vazhdojnë të kenë, përmbajtje më cilësore se kanalet maqedonisht.

Por situata dukshëm ka ndryshuar edhe te kanalet shqip të Maqedonisë. Tani ata kanë shumë më shumë cilësi se dikur, dhe transmetimet e ndeshjeve sportive në servisin publik bëhen maqedonisht dhe shqip, dhe të rinjtë e zgjedhin opsionin shqip, derisa më të moshuarit e shohin me komentim maqedonisht sepse “ashtu u është mësuar veshi” ose pse “këta tanët s’dinë të komentojnë”.

Interneti

Sot interneti është si rryma dhe uji, pjesë e pandashme e jetës moderne. Në internet gjen çfarëdo përmbajtje që dëshiron: lajme, artikuj shkencorë, lajmërime qeveritare, programe universitare studimi, dhe ajo që më së shumti na intereson këtu – përmbajtje argëtuese. Nëse dikur filmat dhe serialet i shihnim në transmetim televiziv, sot ata i shohim përmes internetit nëpër uebfaqe piraterike–joetike, ose përmes shërbimeve legale si Netflix-i ose HBO GO. Dhe kjo na mundëson që të kemi mundësi të zgjedhjes së titrave. Nëse dikur kemi parë diçka me titra maqedonisht, sot kemi mundësi filmin ta ndjekim me titra shqip, apo siç është trend më i shpeshtë, me titra anglisht. Me këtë, ka humbur një mënyrë e mësimit të fjalëve të reja në maqedonisht.

Interneti e ka cenuar edhe pastërtinë e gjuhës amtare shqipe. Tanimë të zakonshme janë fjalitë e tipit: “me e downlodu lojën”, “me e strim filmin”, “me e binxhuaçë (binge watch) serialin”, “me u bo sabskrajb (subscribe)”, “shumë krinxhi (cringey)”, “ooo, sa kjut (cute)”, e shumë shembuj tjerë.

Shkollimi i lartë në shqip

Prej vitit 1945 e deri më sot shqiptarët e Maqedonisë çdoherë e kanë pasur të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare në nivelin fillor dhe të mesëm. Por shkolla e lartë dhe fakulteti kanë qenë ekskluzivisht në maqedonisht. Prandaj shkollimi i lartë ka qenë një nxitje më tepër për ta mësuar maqedonishten ose mënyrë e zotërimit më të mirë të saj.

Por me themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore, edhe shkollimin e lartë, deri në doktoraturë, shqiptarët mund ta bëjnë në shqip, dhe shumica e studentëve shqiptarë e shfrytëzojnë këtë të drejtë. Edhe pse në studime mund të kenë lëndë të maqedonishtes bazike, apo lëndë të tipit “Maqedonishtja për Biznes” ose “Maqedonishtja për Drejtësi”, këto nuk u sjellin ndonjë dobi atyre që s’dinë fare maqedonisht. Nëse gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm nuk e ka mësuar maqedonishten, nuk ka shansa ta mësojë maqedonishten për një ose dy semestra në fakultet.

Zotërimi i maqedonishtes si nevojë reale

Njohja e maqedonishtes është e domosdoshme në shtetin tonë. Edhe kur të realizohet zyrtarizimi i gjuhës shqipe, maqedonishten do të duhet ta dimë sepse punëtorët shqiptarë në administratë do të duhet të shërbejnë maqedonasë dhe pjesëtarë të minoriteteve. Por jo vetëm për sektorin publik, edhe për punësim në sektorin privat maqedonishtja është e domosdoshme. Nëse firmat private njohjen e shqipes e llogarisin përparësi, maqedonishten e kanë kusht të domosdoshëm! Dhe në fund të fundit, dy popujt kryesorë duhet ta njohin gjuhën e njëri tjetrit. Në të ardhmen, edhe fëmijët maqedonas do të duhet ta mësojnë shqipen; njëjtë si në Belgjikë apo Zvicër ku komunitetet e mësojnë gjuhën e njëri tjetrit.

Por çfarë të bëhet që të përmirësohet gjendja me mosnjohjen e maqedonishtes te shqiptarët?

Fillimisht duhet të ketë  ndryshime te mësimi i maqedonishtes në shkolla. Mendoj se një nxënës shqiptar nuk ka nevojë që që nga klasa e katërt fillore deri në vitin e katërt të shkollës së mesme të mundohet duke mësuar gramatikë dhe letërsi maqedonase. Mësimi i maqedonishtes le të mbarojë me shkollën fillore (nga klasa e 4-9). Për mësimin e një gjuhë të huaj 6 vite janë më se mjaftueshëm. Por në këto 6 vite MËSIMI LE TË MERRET SERIOZISHT, e jo ora e maqedonishtes të jetë orë ku nxënësit bëjnë rrëmujë!

Te gjendja ku jemi sot pjesën e fajit e kanë edhe prindëri – në vend se thjeshtë t’u ndihmojnë fëmijëve me detyrat, ata ua përgatisin të gatshme.

Dhe, zotërimi i një gjuhe mvaret edhe nga ajo se sa e përdorë. Botërisht dihet që shqiptarët dhe maqedonasit jetojnë afër njëri tjetrit por nuk kanë shumë kontakt me njëri tjetrin. Prandaj atë që e mësojnë, s’kanë me kë ta shfrytëzojnë. Por ky problem i mospërdorimit të gjuhës që e mëson mund të zgjidhet duke lexuar materiale në atë gjuhë: lajme në internet, libra, apo revista; dhe duke parë filma dhe seriale me titra në atë gjuhë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button