Në Shkup do të mbahet takim për përhapjen e armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor

Përhapja e madhe e armëve të vogla dhe të lehta (SALW- AVL) në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe sfidat e vazhdueshme të kontrollit të saj efektiv, paraqesin rreziqe për sigurinë rajonale dhe evropiane.

Duke e njohur nevojën për veprime më të integruara dhe më të koordinuara për ballafaqim me problemet e AVL-ve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Gjermania dhe Franca ndërmorrën një nismë të përbashkët për koordinimin e donatorëve, në lidhje me trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit dhe kontrollin gjithëpërfshirës të AVL-ve. Kjo nismë ka qasje në dy nivele.

Plani i veprimit rajonal me objektiva specifikë dhe të matshëm për të reduktuar trafikimin e paligjshëm të armëve të vogla deri në vitin 2024, i cili u përpunua dhe u dakordësua  nga ana e partnerëve nga Ballkani Perëndimor. Ky dokument përbën bazën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit të donatorëve dhe autoriteteve të Ballkanit Perëndimor. Dokumenti u miratua zyrtarisht nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive në Samitin e Ballkanit Perëndimor të Procesit të Berlinit, i mbajtur më 10 korrik në Londër.

Në nivel kombëtar, takime koordinuese të donatorëve, me të cilat kryesojnë Gjermania dhe Franca, e që këtë vit organizohen te të gjithë gjashtë partnerët rajonalë, për të siguruar një analizë të përbashkët nga ana e autoriteteve kombëtare dhe partnerëve ndërkombëtarë mbi prioritetet e përmirësimit të luftës kundër trafikut të paligjshëm të armëve të zjarrit, si dhe për të identifikuar mundësitë për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe nisma të përbashkëta të programimit. Takimet gjithashtu kontribuojnë në përgatitjen dhe përpunimin e planeve kombëtare të veprimit për zbatimin e planit rajonal.

Katër mbledhjet e para kombëtare të donatorëve u mbajtën në Podgoricë më 2 shkurt, në Beograd më 18 prill, në Sarajevë më 5 qershor dhe në Tiranë më 20 shtator.

Më 18 tetor 2018, Nisma Koordinuese franko-gjermane do të mbajë një takim lokal koordinues për donatorët në Shkup. Në këtë takim, zëvendëskryeministri dhe ministri për punë të brendshme,  Oliver Spasovski, do të mbajë një fjalim hyrës.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe ekspertë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë. Në takim, Franca është një bashkë-nikoqire, e përfaqësuar nga Shkëlqesia e Tij z. Zhan-Klod Bryne, ambasador, i ngarkuar për kërcënimet kriminale transkombëtare dhe luftën kundër trafikimit të paligjshëm të AVL-ve në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, së bashku me Gjermaninë, e cila përfaqësohet nga Markus Bleinrot, drejtor i kontrollit të Armëve Konvencionale në Ministrinë për Punë të Jashtme të Gjermanisë.

Më 11 dhjetor, Franca, në cilësi të vendit nikoqir, do të organizojë një konferencë të nivelit të lartë në Paris, për të shqyrtuar rezultatet e takimeve koordinuese të donatorëve, për të prezantuar planet lokale të veprimit për implementimin e Planit Rajonal, si dhe për të identifikuar kontributet e donatorëve për financimin e këtij plani.

Ndërkaq, në fund të vitit 2019, Gjermania në cilësi të vendit nikoqir, do të organizojë një konferencë monitorimi në Berlin, ku do të shqyrtohet viti i parë i zbatimit të Planit Rajonal dhe planeve kombëtare të veprimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button