FRANKFURTI

Ka qytete që i njohim pa i vizituar. I njohim nëpërmjet shënimeve ose kronikave të ndryshme. I njohim nëpërmjet librave ose udhëpërshkrimeve. I njohim për shkak të gjenive dhe veprave të mëdha që janë krijuar aty.

Vizitori mund të mahnitet prej një qyteti që në shikim të parë, por sado mahnitës që mund të duken qytetet, ata e kanë pjesën tjetër që nuk i shfaqet syrit të vizitorit, i cili, i joshur vetëm nga kënaqësia, nuk i sheh ankthet e brendshme të njerëzve që jetojnë aty. Ankthet bëhen edhe më të padukshme për vizitorin që vjen nga provinca e ngarkuar me njëtrajtshmëri, ku ndodh e njëjta ditë, ku njerëzit njihen mes tyre dhe dëgjojnë rrëfimet e njëjta.

Frankfurti është qyteti madhështor për të cilin dija shumëçka pa e parë edhe nëpërmjet librit “Udhëpërshkrimet e Frankfurtit” të Ahmed Hashim.

Në këtë qytet stacionesh të shumta, fabrikash e uzinash, në këtë vend muzesh e bibliotekash, dikur, në një pjesë të qetë të tij, në një dhomë modeste, mbi një skrivani të thjeshtë, shkruhej “Fausti” nga poeti gjenial Gëte. Qyteti ku shkruhet një kryevepër e letërsisë botërore mbetet i përjetshëm.

Para shumë shekujsh, në këtë qytet, ishte ribotuar “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit. Këtu kishte lindur vogëlushja fatkeqe Ana Frank, psikanalisti Erih From, filozofi Teodor Adorno, pasaniku Rothshild. Këtu kishte mbyllur sytë përgjithmonë Artur Shopenhaueri. Këtu ishin kurorëzuar edhe kajzerë gjermanë.

Në këtë qytet sheh njerëz racash të ndryshme. Nëse në shekujt paraardhës vendet mund të dalloheshin sipas veshjeve kombëtare, prandaj edhe botoheshin katalogë veshjesh, që udhëtarët të dinin se ku gjendeshin, sot dallimet e këtilla janë të padukshme, veçanërisht te popujt europianë.

Frankfurti njihet edhe për panairin e librit, ku marrin pjesë mbi shtatë mijë shtëpi botuese nga mbi njëqind vende të botës. Çdo vit ka një vend mysafir. Sivjet ishte Gjeorgjia. Rast ideal për një shtet të vogël që ta afirmojë kulturën e tij. Vetëm dy herë nuk pati shtet mysafir. Në vitin 1982 kur në fokus ishin religjionet dhe dy vite më pas kur në fokus ishte vepra “1984” e Oruellit, e cila flet për totalitarizmin dhe ligësitë që burojnë prej tij.

Në këtë panair lidhen kontrata ndërmjet botuesve dhe shkrimtarëve; lindin ide për projekte në sferën e botimit; organizohen promovime librash e takime me shkrimtarë; zhvillohen debate të ndryshme; flitet për librin dhe shkallën e leximit.

Kryetari i botuesve gjermanë, Heinrich Riethmueller, beson se ka rënë shkalla e leximit të librit si pasojë e presionit të mediave sociale dhe formave të tjera të argëtimit. Por libri vazhdon të lexohet në Gjermani, ku për këtë qëllim harxhohen mbi 9 miliardë euro.

Kryetari gjerman, Frank – Walter Steinmeier, në hapje të panairit, ishte fokusuar te populizmi në kohëra të trazuara. Fatkeqësisht, në Europë kemi shfaqje të populizmit. Para disa vitesh dukej sikur Europa ishte e çliruar nga narracionet ideologjike. Sot kemi rishfaqje të ksenofobisë. Kultura është mundësia më e mirë për t’iu kundërvënë frikës nga e huaja, por vetëm nëse konceptohet si sistem i hapur vlerash.

Në këtë panair sheh shumë libra shkrimtarësh që nuk janë me origjinë europiane. Europa shpreh interes për veprat që krijohen jashtë hapësirës së saj sa herë i përgjumet gjeniu. Nga “bota tjetër” vijnë autorë që e mahnitin publikun europian me rrëfimet e tyre. Lexuesi europian ndjen se kjo botë e largët, ekzotike, përmban shumëçka nga bota e tyre. Dhe kështu ka ndodhur edhe në epokat paraprake.

Në panair janë të pranishëm edhe autorë e botues nga shtetet ballkanike. Çuditërisht, kur ballkanasit takohen jashtë Ballkanit ata bëhen miq. Ndoshta pse janë lodhur duke qenë armiq sa kanë qenë në Ballkan. Ndoshta sepse atëherë e shohin se sa të vegjël janë për “botën tjetër”.

Kur ndodhesh në vende të këtilla e ndjen peshën e provincës. Njeriu në provincë mendon se jeton në qendrën e botës, ndonëse, në fakt, bota e tij është gati e padukshme dhe e parëndësishme për botën e madhe dhe të zhvilluar. Këtë peshë e ndjen edhe në Frankfurt, aty ku sheh vetëm libra, kudo libra, sa shumë libra, pafundësisht libra, libra zhanresh të ndryshme, libra autorësh gjenialë, por edhe libra propagandistik të botuar në shtete totalitare. Sa e shkurtër është jeta për t’i lexuar të gjitha librat. Dhe sa e trishtë është bota, siç thotë Malarme…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button