Kosova dhe Shqipëria s’janë shtete fqinje

Sondazhet në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni tregojnë që shumica dërrmuese e popullit është për bashkim kombëtar të shqiptarëve në një shtet. Por, shumica dërrmuese e subjekteve politike shqiptare nuk e kanë bashkimin kombëtar shqiptar në program.

Kjo kauzë mbetet e pa përfaqësuar institucionalisht. Aq shumë është bashkimi kombëtar i vetë censuruar nga politikanët, saqë do të mund të thuhej se vetë censura politikisht është bashkim kombëtar.

Shqiptaria si fe e shqiptarëve edhe në shekullin XXI mbetet pa kishë e pa xhami të saj. Mbetet frymë pa institucion. Shtetet shqiptare duhet të jenë kishë e xhami për shqiptarinë. Kjo frymë shqiptarie gjithsesi është shumë e fuqishme teksa arrin të mbijetojë pa institucionet që do ta mirëmbanin e ta riprodhonin. Jo pak shqiptarë, sidomos zyrtarët shtetërorë, na pëshpëritin se si bashkimin kombëtar duhet ta realizojmë tinëz e me dinakëri. Mirëpo, asisoj, ne e kriminalizojmë kauzën e bashkimit kombëtar.

Bashkimi kombëtar duhet të jetë çështje publike e shoqërore, jo pëshpëritje, por thirrje. Jo monolog, por dialog. Dialog i brendshëm për atë që duam ne, në vend të dialogut me shovinistët fqinjë, për atë çfarë duan ata prej nesh. Pra, jo negociata me Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Maqedoninë për aspiratat e tyre, por dialog i brendshëm ku shprehemi para njëri-tjetrit e me njëri-tjetrin për të ardhur në shprehje kolektivi ynë.

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve as nuk e përjashton bashkimin evropian e as nuk mund të zëvendësohet prej tij. Në këtë aspekt, duhet pasur kujdes që ky bashkim i ardhshëm (unë besoj është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm) të mos jetë i brishtë sikurse pavarësia e Kosovës. Ne rrezikohemi nga një bashkim kombëtar i kufizuar në simbole me ca territore të shtuara, por pa Ulqinin, Mitrovicën, Bujanocin e Shkupin, pa ushtri çfarë kanë shtetet normale dhe me një valë të re të privatizimit, ku ndoshta e marrim vesh që kemi pasur edhe naftë, por këtë e kuptojmë vetëm në momentin kur ajo shitet shumë lirë. Bashkimi kombëtar s’duhet të jetë i kufizuar vetëm në kulturë, por të shtrihet edhe në ekonomi e shtet të përbashkët.

Bllokimi i patates së Kosovës nga Shqipëria dhe bllokimi i çimentos së Shqipërisë nga Kosova, tregon që nevojitet një strategji e përbashkët ekonomike. Një komb në dy shtete sjell më shumë probleme.

Shteti është entitet partikular që thekson veçantinë e vet edhe në dëm të së përbashkëtës së kombit. Edhe shteti i Shqipërisë, edhe shteti i Kosovës janë bërë në emër të kombit e përmes kombit, prandaj ato kanë për borxh t’i shërbejnë kombit, përfshirë këtu edhe bashkimin e shteteve tona.

Tri gjëra janë të nevojshme për shqiptarët jashtë Shqipërisë e Kosovës dhe subjektet e tyre politike: 1) Të jenë radikalë brenda institucioneve, por edhe të bëjnë aktivitete jashtë institucionale të padhunshme; 2) Kombi si formacion socio-historik modern duhet të forcohet sepse ai është armë e fuqishme që na ka emancipuar edhe kundrejt feudalizmit, edhe kundrejt religjionit; 3) Shqiptarët jashtë Kosovës e Shqipërisë duhet të kritikojnë dhe të ankohen për çdo ditë te Tirana dhe Prishtina për të kërkuar mbështetjen dhe ndihmën e tyre të vazhdueshme.

Shqipëria dhe Kosova për mua nuk janë shtete fqinje. Këtu, forma dhe përmbajtja ndodhen në një marrëdhënie të tensionuar. Fqinjësia e mirë nënkupton që secili duhet të jetë mirë me njëri-tjetrin, ama në shtëpinë e vet. Kur unë vij në Shqipëri, nuk ndihem si mysafir dhe nuk më presin si mysafir, dhe sa mirë që është kështu. Ky kontrast mes formës e përmbajtjes duhet të eliminohet ose përmes ndryshimit të formës shtetërore, ose përmes ndryshimit të përmbajtjes kombëtare.

Unë jam për shtet të ri për kombin shqiptar dhe jo për komb të ri për shtetin e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button