Kryeministri Rama kërcënon “portalet” të regjistrohen në autoritetet fiskale

Kryeministri Edi Rama pretendoi se faqet e internetit duhet të “legalizohen” dhe të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit “deri të hënën” si pjesë e një nisme të pashpjeguar qartë të quajtur “paketa antishpifje”. Ekspertët e medias mendojnë se kërcënimi është pa bazë ligjore dhe nuk përbën zgjidhje për krijimin e një mjedisi të shëndetshëm informacioni në vend.

Rama, i cili është përballur me akuza të shumta për korrupsion dhe lidhje me rrjetet e krimit, pretendon se telashet e tij janë pasojë e fushatave të shpifjes kundër qeverisë së tij dhe ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur gjatë javëve të fundit të ndërmarrë atë që e quan “një paketë antishpifje”, transmeton Reporter.al.

Ai nuk e ka shpjeguar se çfarë nënkupton me të. Gjithsesi, të mërkurën në mbrëmje, ai shkoi më tutje kur duket se kërcënoi përmes një statusi në Twitter faqet e internetit që nuk janë regjistruar si subjekte tregtare pranë autoriteteve fiskale të vendit.

‘Nga diskutimi për Paketën Antishpitje del qartë se urbanizimi i xhunglës online nis nga legalizimi i portaleve”, shkroi Rama në Twitter. “Portalet” nuk janë një term i mirëpërkufizuar në gjuhën shqipe por zakonisht me këtë kuptohen faqet e internetit që kanë tendencë të publikojnë materiale me tituj karrem.

“Legalizimi mund të bëhet në pak minuta përmes regjistrimit online në QKB. Duke qenë se janë fantazma pa adresë e pa emër, uroj ta lexojnë këtë mesazh para ditës së hënë”, shtoi Rama pa shpjeguar se çfarë do të ndodhë të hënën me portalet që refuzojnë të regjistrohen.

Rama pretendoi se po përgatiste një “paketë antishpifje” më 2 tetor, pasi dy deputetë të tij u akuzuan nga Partia Demokratike në opozitë se kishin mbrojtur një të akuzuar për përdhunim nga arresti policor për shkak se i akuzuari ishte djali i një deputeti socialist. Rama hodhi poshtë akuzat dhe deklaroi se një paketë antishpifje është ajo çfarë duhet për të ndaluar akuza të tilla.

Gjithsesi, nuk ka pasur ndonjë propozim konkret ligjor nga Rama.

Mark Marku, Profesor i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës tha se deklarata e Ramës duhet të shihet para së gjithash si një kërcënim për median online ende të pakontrolluar nga qeveria e tij më shumë se sa si një përpjekje institucionale për të vënë median në internet në shina ligjore.

 “Që kryeministri të ndërmerrte një fushatë ndëshkimesh, do të duhej të mbështetej mbi shkelje ligjore të bëra nga portalet, por në të vërtetë nuk ekziston një ligj për mediat online,” tha Marku.

“Për këtë arsye e shoh deklaratën e kryeministrit më tepër si një kërcënim apo si një reagim emocional të shkaktuar nga qëndrimet kritike (shpeshherë edhe shpifje) që i vijnë nga këto media”, shtoi ai.

Elvin Luku, një studiues i medias në Tiranë tha se regjistrimi i faqeve të internetit në autoritetet fiskale vështirë se përbën një zgjidhje.

“Po, ne kemi nevojë për regjistrim dhe identifikim të autorëve nëpër faqe interneti, gjithsesi ka shumë faqe që nuk janë komerciale dhe nuk duhet të taksohen si të tilla,” tha ai.

“Regjistrimi i të gjitha faqeve të internetit në Qendrën Kombëtare të Biznesit vështirë se do ta zgjidhë problemin e shpifjeve,” shtoi Luku. “Ka plot shpifje edhe në median e regjistruar”.

Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve, një organizatë me bazë në Tiranë, tha se kërkesa për regjistrim në QKB përbën një taksë për të ekzistuar për shumë blogje që drejtohen nga gazetarët. Ai e cilësoi afatin e dhënë “deri të hënën” thjeshtë si të papërshtatshëm.

“Natyrisht faqet e internetit duhet të kenë autorë dhe administratorë, gjithsesi regjistrimi i tyre në QKB nuk duhet të përfshijë detyrime financiare për shkak se shumë prej tyre janë iniciativa individuale dhe jo komerciale,” shtoi Çipa.

“Uroj që legalizimi i faqeve të internetit të mos ketë fatin e legalizimeve pronësore të paskomunizmit,” ironizoi Çipa duke iu referuar procesit që nuk po mbaron kurrë të legalizimit të ndërtesave pa leje.

Theodoros Alexandridis, një ekspert për të drejtat e njeriut, tha se propozimi i Ramës shkon kundër rekomandimit të Raporterit të OKB-së për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtës së lirisë së opinionit dhe të shprehjes mbi këtë çështje. Ai theksoi se e drejta për të komentuar në mënyrë anonime në internet është e pranuar gjerësisht.

“Kërkesa për t’u regjistruar në QKB duket tepër e gjerë dhe nuk i shërben asnjë qëllimi të veçantë. Ajo efektivisht synon të ndalojë çdokënd nga të komentuarit/raportuarit të një historie në mënyrë anonime,” tha Alexandridis. “Gjithashtu, nuk ka prova (ose së paku Rama nuk paraqet prova) se sistemi ekzistues (i cili përfshin kryerjen e një kallëzimi dhe kërkimit nga prokuroria të gjurmojë adresën IP) nuk funksionon,” shtoi ai.

Alexandridis theksoi se Raporteri i OBK-së i ka bërë thirrje shteteve anëtare të sigurojnë që individët të kenë të drejtë të komentojnë në internet në mënyrë anonime dhe të vetëpërmbahen për të mos adoptuar një sistem regjistrimi të emrave realë. Sipas Raporterit, masa të tilla mund të ndërmerren vetëm në situata të jashtëzakonshme.

Media në internet në Shqipëri shikohet si kaotike me dhjetëra faqe që shpesh nuk mbartin informacion për administratorët apo autorët e shkrimeve. Shumë faqe interneti thjeshtë kopjojnë deklarata për shtyp apo lajme të publikuara më herët në median konvencionale. Disa prej faqeve duket se përdoren nga partitë politike për të përhapur propagandë të fshehtë apo dizinformim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button