Komentet, nofkat dhe nënvlerësimet nuk janë gazetari

Burimi: KriThink

Ndodh edhe që në një artikull të vetëm të një medie të gjeni të gjitha elementet e një shkrimi joprofesionist, tendencioz dhe të mangët. Ata tekste për lexuesit duhet të shërbejnë si një tregues se si jo çdo shkrim i publikuar në media mund të pranohet në tërësi si i vërtetë. Një shembull të tillë, ku janë shkelur disa nga parimet bazë të të bërit lajm, e gjeni më poshtë.

Linku deri te artikulli origjinal: “« DOKUMENT » Kreshnik “soncja” vazhdon të anashkalojë biznesin shqiptarë!? (VIDEO)”

Data dhe koha e publikimit: 10.10.2018

Data e recensionit: 14.10.2018

Recensues: Fatlume Dervishi

Gazetari komenton performancat e ministrit sipas qejfit të vet

Edhe pse titulli fillon me fjalën “DOKUMENT”, në dokumentin e ofruar si fotografi nuk ka asgjë kontestuese ose që do të vërtetonte anashkalimin e qëllimshëm të biznesit shqiptar nga ministri, të cilin autori pretendon se e ka vërtetuar dhe verifikuar me dokumente. Nëse autori (emri i të cilit nuk shkruan) do të kishte arritur të siguronte dokumente të tilla për anashkalim, do të kishte bërë një punë shumë të mirë. Ministrit Bekteshi, në këtë shkrim, i është ngjitur epiteti “sonce”, është etiketuar si “ikonë negative” për opinionin dhe qytetarët shqiptarë dhe është quajtur si ministri më i dobët në kabinetin qeveritar, duke mos treguar kriteret mbi të cilat është bërë matja e fuqisë ose dobësisë së tij.

Kodi etik i gazetarëve:

Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve.

Nxitje në baza etnike

Përfaqësuesit e bizneseve të cilat theksohen se adresojnë ankesa nuk janë cituar. Asgjë nuk e siguron lexuesin se “ata” nuk janë të trilluar. Dikush me emër dhe mbiemër, ose qoftë edhe anonim por me ndonjë karakteristikë që do ta vërtetonte ekzistencën e tij, duhet të kishte pohuar në teskt se “ministri jo vetëm që anashkalon institucionalisht, ai shkel dhe përbuzë buznesin shqiptarë”, gjë të cilën e shkruan autori. Për “hulumtimin” e tij, autori madje vlerëson se “nuk ka nevojë për ndonjë analizë të thuktë”.

 “Nuk ka nevojë për ndonjë analizë të thuktë që të konstatohet se në të gjitha qytetet shqiptare, ka nga një kompani elitare taksie që drejtohet e menaxhohet nga një afaristë shqiptarë. Por ministri Bekteshi, nuk parapëlqen të ketë një bashkëpunim me këto kompani, por ka zgjedhur një kompani maqedonase me emrin “Sonce” që të bëjë kontratë dy vjeçare për shërbime taksie.”

Autori, si duket me qëllimin për të arritur sa më shumë ndikim me insistimin e tij për diskrimin në rrafshin e përkatësisë etnike, ka prekur edhe çështje të ndjeshme duke e lidhur kontraktimin e një kompanie maqedonase nga ana e ministrit tani, me luftën e vitit 2001.

“Kështu që parat nga arka e ministrit të partisë që doli nga lufta BDI, shkojnë te arka e një kompanie taksie me prefiks nacionalist.”

***

“Zhurnal nga burime të saj brenda Ministrisë së Ekonomisë mëson se mjetet nga ky KONKURSë poashtu kanë përfunduar në arkat e shoqatave maqedonase.

Agjencia e Lajmeve Zhurnal posedon edhe dokument të shoqatave shqiptare të cilat kanë konkuruar në këtë KONKURSë dhe të cilët vetë kanë hartuar me mjetet e tyre projeketet, por janë refuzuar pa asnjë arsye, për arsye se sipas logjikës së ministrit Bekteshi, ekskluzivitetin e parave nga arka e Ministrisë së Ekonomisë e kanë maqedonasit.”

Në konkurse për furnizime publike, në një shtet multietnik nuk ka dhe nuk guxon të ketë asnjë kriter që përcakton përkatësinë etnike të pronarit ose menaxhuesve të firmave ose organizatave që marrin para për arsye të caktuara nga shteti. As gazetari nuk guxon “të luajë me këto letra”. Madje kjo konsiderohet si nxitje në baza etnike.

Kodi etik i gazetarëve:

“Gazetari nuk ka për të krijuar ose përpunuar me vetëdije informata, të cilat i kërcënojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk ka për të folur me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”

Pyetjet publike – retorike, më të lehta se kërkimi i drejtpërdrejtë i llogarisë

Pyetjet e llojit “Zoti Bekteshi deri kur do vazhdon shfrenimi ytë!?”, “z.Bekteshi është e udhëz të jepni llogari për këtë KONKURSë?” janë parashtruar publikisht, pa treguar nëse është bërë qoftë edhe përpjekja më e vogël që ministri ose dikasteri i tij të kontaktohen dhe gazetari të bëjë punën e tij duke i kërkuar llogari ministrit për këto çështje. Është e drejtë e gazetarit të dijë çdo detaj të harxhimit të parave të qytetarëve.

Lexues kujdes; Komentet, nofkat dhe nënvlerësimet nuk janë gazetari

Nuk duhet të bie pre e këtyre manipulimeve nga ana e mediave të cilat dukshëm kanë prapavija të tjera si bazë mbi të cilën janë bërë këto komente të kamufluara si tekst gazetaresk. Artikulli gazetaresk, në realitet, duhet të jetë i çliruar nga katakteristikat e këtilla. Lajmi kërkon fakte dhe këtu gazetarit faktet i mungojnë. Në fakt, për të sjellë të gjitha këto konstatime, autorit i është dashur një analizë më shumë se sa e thuktë, i është dashur një hulumtim. Komentet, nofkat dhe nënvlerësimet, assesi nuk duhet të ishin shkruar nga gazetari. Është e lehtë të ulesh dhe të shkruar mbi bindjet personale të cilat, natyrisht, edhe ne gazetarët i kemi. Por misioni jonë, përveç ruajtjes së interesit publik, është edhe informimi i drejtë.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button