Startojnë “Vera e Ohrit” dhe “Këngë Jeho”

Mbrëmë, më 12 korrik, me spektaklin “Romeo dhe Zhulijeta” të Shakespeare-it, në regji të Dejan Projovskit, filloi festivali “Vera e Ohrit”. Skena e Teatrit Antik në Ohër, do të grumbullojë emra të mëdhenj të muzikës, teatrit, dramaturgjisë, baletit, etj, në hapjen e edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar muzikor dhe skenik, “Vera e Ohrit”.

Ky festival, i cili këtë vit organizon edicionin e 52, do të jetë mundësi e mirë që spektatorët që vijnë jo vetëm nga Maqedonia, por nga mbarë bota, të kenë mundësi të shohin edhe shfaqe të suksesshme e ndër to është edhe shfaja e Teatrit Shqiptar nga Shkupi, “Opera e lypsarëve”, sipas tekstit të disidentit dhe ish presidentit çek Vacllav Havell, në regji të Dino Mustafiq nga Sarajeva, ndërsa në rolet e tyre do të paraqiten: Xhevdet Jashari, Adem Karaga, Bajrush Mjaku, Gresa Pallaska, Mirlinda Saiti, Fisnik Zeqiri, Teuta Ajdini-Jegeni, Amernis Jovanovska-Nokshiqi, Drita Kaba-Karaga, Zarije Jonuzi, Dritëro Ame, Besfort Idrizi, Genci MIrzo, Mona Mustafa dhe Visar Etemi. Kjo shfaqe është premierë në këtë festival.

Poashtu, gjatë ditëve të festivalit në vazhdim, i cili do të vazhdojë deri më 20 gusht, priten solistë mjaft atraktiv dhe ekskluziv, duke filluar nga pianisti Mishel Kamilo, ansamblin “Perpetum xhezile”, pianistin Andrej Korobejnikov, por nuk do të mungojnë as emrat e solistëve shqiptar, ku janë të pranishëm me koncertet e tyre, pianisti shqiptar Zamir Kabo, si dhe pianisti shqiptar nga Maqedonia, Dino Imeri.

Vlen të theksohet se në këtë festival janë ftuar edhe solist të njohur të violinës si Ermir Arbeshi nga Shqipëria, Boris Brovcin nga Rusia e shumë e shumë të tjerë, për të përmbyllur me duon violoncellist nga Zagrebi, “2CELLOS”-Lluka Suliq dhe Stjepan Hauzer”. 

Nga ana tjetër, mbrëmë në Strugë filloi Festivali i këngëve dhe valleve “Këngë jeho”, i cili tradicionalisht  në Strugë po organizohet për 21 vite me radhë. Në këtë festival, për tre ditë me radhë do të shfaqen gjithsej 16 Shoqëri kulturore artistike dhe Ansamble nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Presheva, dhe 11 këngëtarë të estradës popullore.

Ky festival krijon mundësinë që publiku pjesëmarrës të mund të njihet me traditat dhe kulturat e të gjitha trojeve shqiptare./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button