Shkup, Prokuroria ngrit procedurë kundër 2 persona për rrahje në një restorant

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka miratuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër dy personave për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Dhunë”, njofton Portalb.mk.

“Personat dyshohen se më 07.10.2018 kanë kryer dhunë të ashpër në një objekt hotelierie në Draçevë të Shkupit, gjatë së cilës, dy personave u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe në opinion kanë shkaktuar ndjesi të pasigurisë, rrezik dhe frikë”, thonë nga Prokuroria.

Siç thuhet në kumtesë, në natën kritike, të dyshuarit kanë ardhur si mysafirë në lokal, fillimisht kanë filluar përleshje verbale me të dëmtuarit, ndërkaq më pas janë rrahur.

“Njëri nga të akuzuarit me mjet të mprehtë u ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor dy të dëmtuarve. Kryerësit edhe një person tjetër kanë keqtrajtuar, ashpër e kanë ofenduar dhe ia kanë rrezikuar sigurinë më shumë personave. Kur bëhet fjalë për kryerje të dhunës ndaj një qytetari, ndërkaq si pasojë shkaktohet lëndim ose vdekje të ndonjë personi, dënimi për këtë vepër është prej 3 deri më 10 vjet burg. Për rastin konkret do të merren në pyetje të gjithë të dyshuarit, të dëmtuarit, por edhe dëshmitarë. Gjithashtu, do të merren edhe ekspertiza gjyqësore-mjekësore për llojin dhe karakterin e lëndimeve të të dëmtuarve. Në bazë të materialeve të mbledhura, prokurori më tej do të vendosë për procedurën, në kuptimin e konstatimit të gjendjes faktike dhe aplikimin e drejtë të Kodit Penal”, thonë nga Prokuroria.

Prokuroria ka propozuar paraburgim për të dy të akuzuarit, por gjykatësi nuk ka pranuar. Njërit prej të akuzuarve i është shqiptuar masa e paraburgimit shtëpiak, ndërkaq tjetrit, masë kujdesi. Ndaj këtij vendimi, Prokuroria ka dorëzuar ankesë deri te Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkupi 1 Shkup, ndërkaq vendimet për ankesat ende nuk kanë arritur në Prokurori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button