KOLUMNA: PSE SHKRUAJMË? (I)

Frymëzimi për këtë shkrim na lindi pasditën e të premtes së kaluar, kur, në Tetovë, rastësisht takuam një mik që, në bisedë e sipër, mes tjerash e përmendi kolumnën tonë të fundit lidhur me profecitë e Hararit për shekullin 21 dhe shtoi: “Profesor, mos mendoni se nuk lexohet ajo që shkruani?…” Një qasje ndryshe kjo, nga ajo mediokre: “Hë mor burrë, se s’lexon shqiptari. Po kujt po i shkruani? Çka po lodheni kot së koti? Të shkruash sot është si të vizatosh mbi ujë.” Ta themi të drejtën, kurrë nuk kemi çarë kokën me psikologjitë defetiste, gjithnjë kemi besuar se fjala do ta gjejë subjektin, lexuesin potencial që rri dikund dhe kërkon ushqimin e vet ideor-intelektual. Janë ata dy apo njëmijë e më tepër veta është irrelevante.

Vetë jemi “rritur” dhe pjekur duke lexuar kolumna si student, të cilat i kishim vakt ditor tej atyre të barkut. Lexonim, nënvizonim, brengoseshim kur s’e gjenim gazetën me artikullin e kolumnistit tonë të preferuar. Një pjesë i pritnim me gërshërë dhe i arkivonim me pasionin që një ditë do të na duhen dhe se edhe ne ndoshta një ditë do t’i artikulonim gjërat me një stil të përafërt si i “yjeve” kreative të mediumeve të kohës. Me më të interesuarit nga mesi i kolegëve  i diskutonim në ndejat tona në kantinën studentore, herë pajtoheshim e herë jo. Kishte kolumna që i lexoninm edhe nga dy herë. Dhe sot, ja ku jemi, kemi një dritare apo një tabelë publike ku plasojmë qëndrimet tona. Shpesh ndjejmë edhe lodhje, sepse 3-4 ditët e fundit para nisjes së shkrimit, në kokë së pari krijohet një propozim-temë e skicë e shkresës së radhës, pastaj një turfullimë, panik, por kur vendoset pika mbi i, ndjejmë një kënaqësi të papërshkruar për produktin që i ofrohet “konsumatorit”.

Në fakt, ç’është kolumna? Është një nga formatet e shkrimit apo shprehjes së opinioneve të njerëzve të penës, të shkollarëve, që nga komunikologët quhet agenda setting apo vegël e përcaktimit të rrjedhave brenda një shoqërie. Ndryshe cilësohet edhe si shkrim ideor konciz, i qartë, jo më i gjatë se 500-800 fjalë, i botuar në gazeta, revista apo portale ku një autor shpreh mendimin e vet lidhur me një temë apo ngjarjet aktuale pa kaluar në detaje. Kolumnat shkruhen me një stil të veçantë, janë ditore dhe me mesazh. Të njëjtat më tepër se ekzakte janë të bukura, dinamike dhe tërheqëse. Qëllimi i tyre është orientimi i opinionit publik  duke i shpjeguar me një qasje kritike temat nga sfera politike, Në to trajtohen ngjarje reale, madje edhe imagjinare. Të njëjtat duhet të jenë objektive. Në plan të parë e kanë mendimin. Nuk e detyrojnë lexuesin të besojë në atë që shkruhet, kanë afrim multiperspektiv. Shpesh ngërthejnë fjalë të personaliteteve të madhërishme, janë frymëzuese.

Përmes kolumnës, gjegjësisht ndjenjave dhe mendimeve të veta, autori krijon një lidhje me lexuesin, tenton që të lë përshtypje tek ai, të nxisë procese të arsyetimit, madje edhe të aksionit. Sipas David L. Burton kolumna nuk është artikull lajmi, por mund të ngërthejë edhe informacion, me ton personal. Para se të shkruhet një kolumnë, duhet pasur parasysh katër gjëra: qëllimi, audienca, përmbajtja dhe struktura, si dhe pyetjet në vijim: Shkruaj për të zbavitur, informuar apo edukuar? Deri te kush dëshiroj të arrij? Çfarë gjuhe dhe niveli duhet të përdor në shkrime? Çka do të diskutoj në to? Shkruaj në stilin pyetje-përgjigje, çka duhet bërë ose kalendari i komunitetit?

Kolumnisti zakonisht është një zë i lirë (free voice), i pavarur, që ka një frymë të veten të trajtimit të gjërave, një stil të veçantë që nganjëherë mund ta trondisë opinionin. Kjo kategori shkrimore, këtu tek ne nuk është edhe gjithaq e zhvilluar, që flet për nivelin në të cilin gjendemi si komunitet. Njerëzit janë mësuar më tepër të shohin e shikojnë se sa të lexojnë. E vërtetë. Po atëherë, pason “pyetja më djallëzore, pse shkruajmë” (O. Koçyigit)? Cili është motivi, kur e dimë se, siç thotë George Orwelli, në veprën e vet Why I write?, të shkruash është është një përçapje sikurse “netët e kaluara me sytë katër nga një sëmundje trishtuese që e ha dhe e sos njeriun”. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button