LDK kërkon aleatë brenda koalicionit qeverisës për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) konsideron se Qeveria aktuale e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e ka humbur legjitimitetin e saj. dhe për këtë  zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme brenda këtij viti, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina

Deputeti Ismet Beqiri tha se presin edhe nga deputetë të koalicionit, që, sipas tij, janë të pakënaqur me këtë qeveri, ta votojnë mocionin e propozuar nga LDK-ja.

“LDK-ja tani i ka nënshkrimet e gatshme, kjo gatishmëri është shprehur edhe nga VV dhe PSD. Tani do të përgatitet edhe teksti i mocionit dhe po mbajmë kontakte edhe me të gjithë ata që janë në koalicionin qeverisës, e që janë të pakënaqur, që t`i bashkohen këtij mocioni dhe të na përkrahin për rrëzimin e kësaj qeverie”, tha Beqiri, për Radio Kosovën.

Por, deputetja Time Kadrijaj, e cila vjen nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK-ja, thekson se Qeveria aktuale po tregohet e suksesshme në punën e saj.

Madje, ajo shprehet se ky koalicion do ta dërgojë mandatin deri në fund.

“Koalicioni qeverisës është stabil dhe qeveria e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj është duke punuar mirë. Pra, ka rezultate që shihen dhe që e prekin qytetarin e Kosovës. Po punohet në liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në shumë tema të rëndësishme”, tha Kadrijaj.

Mirëpo, Ismet Beqiri, nga LDK-ja, thekson se koalicioni qeverisës tashmë e ka humbur edhe shumicën në Kuvend dhe nuk ka më forcë politike për të marrë vendime, çfarëdo qofshin ato.

“Është një koalicion i pakicës, në kuptimin e numrave në Kuvend. Aktualisht raporti është 58 deputetë me 42, në favor të opozitës. Kur flasim nga 100 deputetë shqiptarë dhe kur i marrim edhe pakicat, këta tash e kanë një shumicë të brishtë, e që në fakt nuk e kanë as këtë shumicë. Kjo do të thotë se ky koalicion nuk është në gjendje që të marrë asnjë vendim, madje as të mbajë seanca”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button