“NYT”: Dhëndri i Trump ka shmangur taksat, pa shkelur ligjin

Dhëndri dhe këshilltari i presidentit Donald Trump, Jared Kushner me gjasë ka paguar shumë pak, ose aspak taksa federale mbi të ardhurat mes viteve 2009 dhe 2016. Kështu thuhet në raportin e publikuar gjatë së shtunës nga “New York Times”, që citon dokumente financiare konfidenciale.

Dokumentet thuhet të jenë krijuar me bashkëpunimin e Kushner, si pjesë e shqyrtimit të financave të tij nga një institucion që po konsideronte një huadhënie ndaj tij. Sipas “NYT”, faturat e taksave të Kushnerit reflektojnë shfrytëzimin e një klauzole të taksave të njohur si “amortizimi”, që u lejon investitorëve të pasurive të patundshme të zbresin një sasi të kostove të pronave të tyre nga të ardhurat e tatueshme.

“New York Times” kujdeset të theksojë gjithashtu se, asgjë në dokumentet e shqyrtuara “nuk sugjeron se Kushner apo kompania e tij ka shkelur ligjin”. Gjithsesi, raportimi ka shkaktuar reagimin e Peter Mirijanian, një zëdhënës i avokatit të Kushnerit, Abbe Lowell, transmeton Top Channel.

I pyetur nga “Reuters” për një reagim, ai tha se nuk mund t’iu përgjigjej supozimeve të gazetës, që vijnë nga “dokumente të paplota, të siguruara në shkelje të ligjit dhe marrëveshjeve standarde mbi konfidencialitetin në biznes”.

“Duke ndjekur gjithmonë këshillat e avokatëve dhe kontabilistëve, Kushner ka dorëzuar dhe paguar në mënyrën e duhur të gjitha taksat, sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi”, tha më tej ai.

Dokumentet e para nga “New York Times” nuk tregojnë qartazi sesa taksa ka paguar Kushner, por përfshijnë përllogaritje mbi detyrimet “tatime mbi të ardhurat e pagueshme” dhe sa Kushner ka paguar në lidhje me taksat e parashikueshme, të njohura edhe si “taksa të parapaguara”.

Gazeta në fjalë thotë se për shumicën e vitit, të dyja këto zëra ishin në kuotën zero, ndërkohë që në vitin 2013, Kushner raporton tatime mbi të ardhurat e pagueshme në rreth 1.1 milion dollarë.

Kompanitë e Kushnerit kanë qenë me fitim në vitet e fundit, thotë më tej “NYT” duke cituar analistë dhe analiza financiare. Deri më tani, as Shtëpia e Bardhë dhe as kompanitë e Kushnerit nuk kanë reaguar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button