Zaev thotë se Kuvendi do ta përcaktojë ardhmërinë e shtetit: Të anashkalohen kërcënimet

Kuvendi është shtëpia ku do të përcaktohet ardhmëria e Maqedonisë, deputetët ta përkrahin ardhmërinë në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE) dhe të anashkalojnë të gjitha kërcënimet dhe frikësimet, kështu është deklaruar sot kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, në vazhdën e seancës plenare ku duhet të kalojë leximi i parë i ndryshimeve kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është shtëpia që do ta përcaktojë ardhmërinë e shtetit tonë. Deputetët duhet ta përkrahin ardhmërinë e Maqedonisë. Të votojnë në pajtueshmëri me vullnetin e qytetarëve dhe me bindje personale. Qytetarët presin vendim nga i cili njihet lidershipi. Çështja e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është çështje e përgjegjësisë, kurse përkushtimi ndaj interesit të qytetarëve është arsye e mjaftueshme të anashkalohen të gjitha kërcënimet dhe frikësimet”, tha Zaev.

Ai ka vlerësuar se deputetët pa dallim se cilës parti i takojnë, kanë obligim historik dhe detyrim para qytetarëve, të sigurojnë rrugën e Maqedonisë për stabilitet, siguri dhe prosperitet ekonomik.

Kjo deklaratë e kryeministrit Zaev vjen dy ditë para leximit të parë të ndryshimeve kushtetuese, që do të jetë në rend dite të seancës së 61-të të Kuvendit të Maqedonisë, e caktuar për të hënën në ora 11:00. Ndryshimet kushtetuese vijnë me propozim të Qeverisë së Maqedonisë dhe parashihen me marrëveshjen e nënshkruar në Prespë ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Që të kalojë leximi i parë, duhet vota “për” e 80 deputetëve, që jozyrtarisht thuhet se është siguruar.

Nga ana tjetër, edhe shefi i misionit të OSBE-së në Maqedoni, Klemens Koja ka deklaruar se deputetët kanë përgjegjësi që ta vendosin interesin e shtetit para gjithçkaje.

http://portalb.mk/563066-seanca-plenare-do-te-realizohet-marreveshja-e-prespes-ose-maqedonia-shkon-ne-zgjedhje-foto/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button