Londra, parajsë për pastrimin e parave

Kur Britania e mohon se po pastron paratë e botës, është njësoj si kur Rusia mohon që helmon spiunë. Nuk i beson njeri, përcjell Top Channel. 

Po të shkoj në bankë tani e të kërkoj të depozitoj 55 milionë sterlina, do të më thonë të kontaktoj me menaxherin, e ndoshta edhe me policinë. Por nëse i lëviz këto shifra nga ndonjë parajsë fiskale “offshore”, duke blerë ndonjë apartament në Belgravia apo stolì në Uest End, do të më ofronin një vizë të klasit të artë e do të më nderonin me statusin e investorit të huaj. Kjo është “McMafia”! Le të plasin nga inati punëtorët e huaj e hidraulikët polakë.

Kam një farë simpatie për Zamira Haxhijevën, të cilës këtë javë iu hoq privatësia financiare nga Gjykata e Lartë. Bashkëshorti i saj, që është arrestuar në Azerbajxhan për mashtrim, u quajt nga avokati mbrojtës si “një bankier ndërkombëtar i llojit ‘mace e shëndoshë’”, një term që përdorej dikur për të përshkruar politikanët e lartë e të përfshirë me njerëz të korruptuar. Ai e bëri me shpresën se kështu do ta prekte gjykatën.

Zamira ka dy prona që vlejnë 25 milionë euro, si dhe ka shpenzuar mesatarisht 5000 euro në ditë te Harrods. Veç këtyre, ka një avion Gulfstream dhe një fushë golfi, të cilat gjenden në Guernsej dhe në Ishujt Virxhin të Britanisë. Haxhijeva mund të ketë të drejtë të protestojë e të thotë që është si çdo qytetare tjetër e shtresës së pasur, që ka jetuar historikisht në Najtsbrixh.

Ky ishte urdhri i parë për shpjegim pasurie që është lëshuar nga qeveria. Me atë urdhër, ata i kërkojnë Haxhijevës të shpjegojë burimin e të ardhurave. Dyshimi është që mund të kenë ardhur nga banka e të shoqit. Avokatët e saj këmbëngulin, me të drejtë, se urdhri nuk duhet të nënkuptojë që ajo ka kryer shkelje.

Para dy vitesh, kur u tha se do të zbatohej transparenca e parajsave fiskale, u hamendësua se synimi ishte të shmangej pastrimi i parave. Por u desh të ndodhte skandali i Panama Papers në vitin 2016, që të kuptohej se deri në ç’pikë arrinte tregu i shmangies së taksave në vendet karaibiane.

Kontrasti shihej në atë që ndodhi më pas. Persona nga Nju Jorku, që kishin shmangur taksat, u nxorën me pranga nga zyrat e tyre. Gjermanët çuan 71 veta në gjyq. Spanjollët çuan edhe Lionel Mesin e Kristiano Ronaldon. Pakistanezët burgosën ish kryeministrin, dhe i dhanë jo pak, por 10 vite burg.

Në Britani u arrestuan vetëm katër veta dhe gjashtë u morën në pyetje. Zëvendës Drejtori i Zyrës së Taksave dhe Doganave, Richard Las, tha muajin e shkuar se anëtarët e pasur të komunitetit kalojnë shpesh pa u hetuar, pasi zyra e Taksave dhe Doganave parapëlqen ta përdorë frikën e ndotjes së reputacionit për hetime të tjera private. Vërtet drejtësi republike bananesh.

Qeveritë kanë thënë gjithnjë se të bëhesh vend për pastrim parash, nuk i bën dëm askujt. Britania vetëm sa përfiton dhe e quan si investim të huaj. Toni Bler dhe Devid Kamerun kanë mirëpritur haptazi oligarkët rusë, princa sauditë dhe biznesmenë nga Kina që kërkonin të blinin prona. Ekspertët thonë se paratë e pista “offshore” arrijnë deri në 21 trilionë sterlina. 390 miliardë mendohet se janë lëvizur nga Rusia vetëm pas rënies së Murit të Berlinit. Ideja e shifrave të tilla i ka çoroditur ministrat britanikë, edhe pse buxheti nuk sheh asnjë qindarkë.

Mund të mos jetë problem i Britanisë nëse vendet e tjera lejojnë t’u vidhet pasuria, por Britania kthehet në aksesor të kleptomanisë më të madhe të shekullit. Si për autoritetet amerikane të taksave, ashtu dhe për njerëzit e thjeshtë nëpër rrugët e Moskës, Londra është kryeqyteti i oligarkëve, i veprimtarisë së “McMafias”. Britani është në fakt përgjegjëse për 2/3 e parajsave fiskale të botës, kryesisht në vendet karaibiane. Ligjshmëria që ofrojnë nuk i pastron nga morali. Janë si piratë mesjetarë, një refuzim i hapur ndaj rendit ekonomik botëror.

Një tjetër çështje është të qenit i drejtë. Manjati i pronave, NIk Kendi, i bëri një rivlerësim apartamentit të tij në Londër dhe arriti shifrën 160 milionë dollarë. Kjo tregon që në Londër vazhdojnë të vijnë para nga Rusia, Kina dhe vendet e Gjirit. Sipas llogaritjeve të fundit, në territorin e Londrës kanë hyrë rreth 35 miliardë para ruse.  Edhe pse thuhet që ka mungesë shtëpish në tregun e pronave, ndërtuesit kanë lejuar që rrugë të tëra në Uestminister, Kensigton dhe Çelsi, të bëhen qytete fantazma. Ka plot shtëpi e blloqe banimi që rrinë bosh. Këto blerjet e pronave “sa për t’i pasur e për të ikur” kanë nisur të kenë një ndikim të errët në tregun e banesave. Si një person që ka jetuar gjithë jetën në Londër, më bezdis statusi si “qoshja e qejfit” për të gjithë botën. Dhe kryebashkiaku Sadik Kan rri po aq i patrazuar për këtë çështje sa dhe paraardhësi i tij, Boris Xhonson.

Vendet e tjera u kërkojnë të huajve që të paktën të paguajnë taksa mbi të ardhurat dhe taksa prone. Oligarkët e Londrës paguajnë diku te 2000 sterlina në vit. Banorët e Manhatanit paguajnë tre deri në 10 herë më shumë. Në lagjet më të pasura u kërkohet pronarëve të jenë banorë. Qytete të tjera nëpër botë nuk i lejojnë të huajt të blejnë, të japin me qira apo të mbajnë një pronë të pabanuar. Mes këtyre qyteteve janë Berlini, Singapori dhe Hong Kongu. Australia s’i lejon të sapoardhurit të blejnë prona në Sidnej apo Melburn, dhe nuk u janë dëmtuar ekonomitë nga këto masa. Sa për shmangien e pastër të taksave, ngaqë nuk janë banorë, kjo është diçka e pafalshme. Britania legalizon gjëra për të cilat amerikanët bëjnë burg.

A do të sjellin ndonjë ndryshim urdhrat për të shpjeguar pasuritë e pajustifikuara? Është mëse e arsyeshme që një vend të përpiqet të mbajë larg hajdutët dhe mashtruesit. Por kjo s’ka vlerë nëse autoritetet nuk bëjnë gjë, përveçse të deklarojnë dikë, herë pas here, si të padëshiruar në vendin e tyre.

Për sa kohë që bankierët mund të fitojnë viza të klasit të parë, e për sa kohë që ishujt e largët të mbretërisë trajtohen me dorë të butë për ligjet mbi taksat, paratë e pista të botës do të vazhdojnë të trokasin në derën e Londrës. Nëse qeveritë refuzojnë të vendosin kufizime mbi pronat, e nëse nuk vendosin  taksa realiste, paratë e pista do të vazhdojnë të vijnë. Tani kemi Brexit, e me të ndoshta do të kemi një eksod të investimeve të pastra. Të gjitha paratë, të pista e të pastra, mund të duken si lajm i mirë. Por a do vërtet Londra të kthehet në një tjetër Monako apo Makau? Një strehë për piraterinë fiskale, në mes të Europës? Nuk do të habitesha.

Simon Jenkings, the Guardian

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button