Beneluxi benevolent

Një nga krahasimet më shpesh të përdorura për gjendjen në Maqedoni është filmi “The Truman Show”, ku protagonisti i filmit të cilin e luan Jim Carrey është i inçizuar gjatë tërë jetës së tij, pa mos qenë i vetëdijshëm për këtë. Ky krahasim për Maqedoninë përdoret shpesh herë gjatë incidenteve, dukurive dhe ndodhive të cilat njerëzit nuk mund t’i sqarojnë. Gjithsesi se për përdorim të këtij krahasimi pjesëmarrje të madhe kanë edhe sqarimet konspirative, ndaj të cilave jemi të prirur t’u qasemi, për gjëra të ndryshme. Kjo para se gjithash, me perceptimin e gabueshëm për rolin dhe funksionin e përfaqësuesve ndërkombëtar në Maqedoni, por edhe me pranimit të rolit vetanak vetëm si statistë, ndonëse me definicion ne si qytetarë jemi, edhe atë si, aktorë të shtetësisë tonë.

Por, ndjenja për rolin është e ndryshme. Disa prej nesh mendojnë se janë statistë, disa se janë aktorë, por nuk munden pa suflerë. Edhe të tjerë, të cilët e dinë se janë aktorë, dhe se munden edhe pa suflerë. Kështu disi ndryshojmë sa ju përket roleve, por, thuajse të gjithë, e kanë të njëjtën ndjenjë se janë futur thellë në film. Ndërsa filmi shpesh është ai i Truman-it. Rrallë herë kush kërkon mënyrë se si të del prej filmit, përveç atyre që çdo ditë dhe gjithnjë e më masovikisht e braktisin këtë vend.

Emigrimi tani nuk është vetëm kurbet. Dallimi tani nuk është vetëm nominativ, se ky term është më i vjetër dhe arkaizëm për të njëjtën gjë. Kjo pasi më herët në kurbet kanë shkuar vetëm njerëzit e “këqinj”. Ata të cilën nuk kanë mundur të zënë vend në vendin e vet. Apo ata të cilët nuk kanë qenë të suksesshëm sa duhet në fshatin, qytetin apo vendin e tyre. Tani, në këtë kohën më të re, ne kemi largim të atyre që nuk u mjafton fshati, qyteti, apo vendi i tyre. Kjo tani është largim i mendjes, bukurisë dhe zotësisë.

Por, ka edhe një mënyrë tjetër për të dalë nga filmi. Edhe ai është një kuadër në të njëjtin film, me të cilin ne krahasohemi. Aty, heroi kryesor mëson se diçka nuk funksionon në realitetin e jetës së tij, atëherë kur duke vuajtur për gruan e dashur e cila e braktis ate, sipas skenarit, ai shikon video inçizimin e dasmës. Me këtë rast ai vëren se kur ajo aty iu betua për besim dhe dashuri që do të zgjat tërë jetën, nga prapa i kryqëzon gishtërinjtë për të mos e kapur ndonjë mallkim! Dashuria e vërtetë është ajo që nuk mund të aktrohet, e madje edhe aktorët frikohen nga mallkimet! Mu për këtë gjë, lidhjet më mirë të aktruara të dashurisë nëpër filma, thuajse çdoherë përfundojnë me rënie të vërtetë në dashuri mes dy aktorëve, edhe në jetën reale!
Qytetarët në Maqedoni plot dy dekada presin prej atyre që aktrojnë aktorë, politikë dhe pushtet, duke luajtur shtet, njëherë edhe të bëhen me të vërtetë. Por asgjë nga kjo, deri më tani. Ky epilog i deritanishëm, ndërlidhet me shumë gjëra, por para se gjithash, me atë se qytetarët gjithnjë e më rrallë, vetëm në zgjedhje, ndjejnë se janë më të vërtetë aktorë, e jo vetëm statistë, pa nevojën e suflerit. Ndërsa e vërteta është se qytetarët si bartës të sovranitetit të shtetit çdoherë janë edhe skenaristë edhe regjisorë.

Por, që të kuptohet pozita e vërtetë e regjisorit dhe skenaristit, gjëja e parë që duhet bërë është; të dilet nga filmi!. Për atë ne duhet të vëremë kuadrot dhe çastet, si gishtërinjtë e nuses së rreme të Truman-it. Ndërsa këto çaste janë të shpeshta në Maqedoni. Monumenti i Todor Aleksandrov, si përmendorja e tretë e paemëruar në Shkup, shelgjet nga Mali Sharr të mbjellura në Vardar dhe Beneluksi benevolent i BDI-së.

Shelgjet në formë të çastit i vërejti një bashkëqytetar i yni në njërën nga videot më të klikuara në Youtube, e titulluar si: “Edhe unë jam hajn, ama këta…” Video në të cilën ai në mënyrën më racionale e përfundon manifestin e angazhimit të nevojshëm qytetar, me fjalët: “Unë jam i arsimuar më pak se sa duhet,  por këta, definitivisht, janë analfabetë!

Monumenti i Aleksandrovit u nënvizua nga komisioni profesionist i VMRO-PP-së. Për atë që kuptojnë shenjat, kjo mjaftonte. E nëse jo, atëherë, me siguri në të ardhmen e afërt do të vijon nismë, nga ana e shqiptarëve, me të cilën do të kërkohet që përmendoreve t’u qëndrojnë emrat. Ata sigurisht do të kërkojnë, për shkak të parave që i kanë dhënë përmes tatimit, saktë të theksohet se çka është ndërtuar. Nuk do të pritet çdoherë komisionet profesionale që të dihet kush është! Spërkatës me ngjyrë në dorë apo tablo në të cilën do të qëndrojë, në shqip: Leka i Madh!

Pas brekëve të Prometeut, çdo gjë është e mundur! Madje edhe ideja e disa elementeve inventiv të qeverisë së ardhshme, që të ftohet në vizitë David Copperfield, i cili do të bëjë që e tërë ky grumbull i ndërtesave dhe përmendoreve të zhduket në vitin 2014.

Beneluksi është argument klasik se analfabetët tradhtohen përmes fjalëve. Përderisa heshtin, edhe i mençuri edhe analfabeti, duken njësoj! Kur fillon të flet për atë se çka duhet bërë, atëherë të gjitha dyshimet largohen. Analfabetizmi politik, i cili çdoherë dhe çdokund do të thotë mosnjohje bazike për ligjet dhe buxhetin, edhe kësaj radhe publikisht u bë e njohur! Me këtë rast lideri i BDI-së sinqerisht pranoi se në mandatin e tanishëm prioritet kryesor e ka pasur vetëamnistimin. Ashtu nga filmi, kjo gjë, më u bë barsoletë. Sikur atij të gjorit nga barsoleta, që kur e kishin frikësuar plaçkitësit dhe i kanë thënë: o Paratë, o lekët! Ai u përgjigjet: Jetën!  Plaçkitësit i thanë: po kush po ta lyp jetën, o budalla! Kështu gjuha shqipe i paska mbetur për mandatin tjetër, ushtarët e UÇK-së pasi të rregullon veten, etj. Gjithçka do ishte në rregull kur Toka do rrotullohej vetëm rreth Diellit. Por, çka bëjmë me rrotullimin e Diellit, mandej llojlloj grimcëza, taze të zbuluara, të reja…E po, për mandatin e ardhshëm në shkrimin e ardhshëm!

Në vazhdim ua rekomandoj ta shikoni këtë video: 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button