FSK-ja e gatshme të fillojë tranzicionin në mandat ushtarak

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Burim Ramadani dhe, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pritur nga senatorja Joni Ernst në Washington D.C.

Në takimin që zhvilloi delegacioni i MFSK-së me senatoren nga Iowa u diskutua për angazhimet e përbashkëta Kosovë-SHBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe për aftësimin e Kosovës në përballje me sfidat rajonale dhe globale, transmeton Koha.net.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, nënvizoi gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në sigurinë e rajonit dhe më gjerë.

“FSK është e gatshme të fillojë transicionin në mandat ushtarak, duke u bazuar në Planin afatgjatë që e kemi të koordinuar. FSK-ja do të vazhdojë të jetë profesionale, shumetnike, e besueshme dhe e gatshme”, tha gjeneral Rama.

Ramadani vuri theksin tek orientimi i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e kapaciteteve të FSK-së në mandatin ushtarak dhe të mbrojtjes bazuar në standardet amerikane.

“Për Kosovën është jetësore të vazhdojë ndërtimi i FSK-së me standarde amerikane në doktrinë, lidership, sistem të armatimit dhe në pajisje”, tha zëvendësministri Ramadani, duke shprehur orientimin e Kosovës për partneritet të plotë me SHBA-të.

Ndërkaq, senatorja Ernst shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e saj për vazhdimin dhe mbështetjen e Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve për siguri dhe mbrojtje.

Në takimin me senatoren Ernst mori pjesë edhe ambasadorja Vlora Çitaku, shefi i kabinetit të Ministrit të FSK-së Jashar Ramadani, atasheu i Mbrojtjes së Kosovë kolonel Ilir Qeriqi, diplomati Frymëzim Isufaj dhe atasheu amerikan i Mbrojtjes në Kosovë koloneli Ryan Nichols.

Delegacioni i MFSK-së po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA lidhur me avancimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-SHBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP