Vdekje fashizmit…

Dita e sotme në Maqedoni festohet si ditë e fillimit të luftës kundër fashizmit në kuadër të të gjitha lëvizjeve anti-fashiste në këtë rajon. Për fat të keq, sot e kësaj dite e vërteta është kjo: Në Luftën e Dytë Botërore, Hitleri dhe Gjermania u mundën, por jo edhe fashizmi. Fashizmi vazhdoi të mbijetojë, të ristrukturohet dhe të rishfaqet si në të kaluarën ashtu edhe në ditët e sotme, edhe në këtë vend që sot fesotn pikërish fillimin e luftës kundër tij.

Vetëm para disa muajsh kishim protesta kundër Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ku sërish bashkëqytetarët tanë kërkonin dhoma gazi për shqiptarët. Vendi feston luftën kundër fashizmit por nuk ka arritur për asnjë moment as ta pakësojë fashizmin dhe shovinizmin e qytetarëve të vetë, edhe në këto vite të civilizimit modern të shekullit XXI.

Padyshim që gjatë njëmbëdhjetë viteve të kaluara ky fashizëm lulëzoi sërish në Maqedoni. Farat e mbjellura qëmoti gjetën kohën e përshtatshme për të nxjerur fryt, të stimuluara nga pushteti që promovonte ndasi dhe në kuadër të asaj ndasie merte vazhdimisht votat e nevojshme për të ndejtur në pushtet. Dhe duke ndejtur në pushtet, korruptohej vetë dhe koruptonte të tjerët. Deri sa një ditë kuptuam të gjithë se kemi qenë shtet i kapur, njësoj si që ka qenë shtet i kapur Gjermania e Rajhut të Tretë, sepse të mos harrojmë, edhe atje Hitleri erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Pasojat e atij fashizmi i shohim edhe në ditet e sotme. Pikërisht ai fashizëm ka ndikuar që ndasitë të jenë aq të mëdha sa që maqedonasit të mendojnë se shqiptarët janë duke ua marrë shtetin e shqiptarët të mendojnë se nuk kanë të bëjnë me këtë shtet dhe nuk duhet t’ju interesojë se çbëhet aty. Pikërisht i fashizëm herë i kamufluar e herë tërësisht i hapur ka ndikuar që maqedonsit ta kenë tabu të flasin shqip dhe të angazhohen për mirëqenien e bashkëqytetarëve të vetë, ndërsa shqiptarët ta kenë tabu përkrahjen e proceseve shtetërore ku edhe ata kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë si qytetarë të këtij vendi. Dhe ka funksionuar kjo gjë deri më tani edhe atë shumë bukur. Sepse nuk ka gjë më të fuqishme që mobilizon masat se sa fashizmi dhe nacional-shovinizmi. Dhe gjuhë të tillë të urrejtjes që mbjell dhe avanson këto dukuri shikojmë gjithandej. Gjuhë dhe krime të urrejtjes që ende nuk dënohen në mënyrë adekuate, që të jenë mësim për të tjerët, që të jenë mesazh se fashizmi nuk tolerohet. E vetmja arsye që deri tani vetëm në dy vitet e fundit kemi pasur protesta kundër Platformës Shqiptare, kundër krijimit të qeverisë së re, kundër Ligjit për përndorim të Gjuhëve dhe kundër Marrëveshjes së Prespës është fashizmi latent që është lejuar të mbijetojë në shpirtin e qytetarëve deri në këtë kohë. E vetmja arsye pse ndodhi 27 Prilli i vitit të kaluar është pikërisht ky fashizëm. Sepse të mos ishte pikërisht ky fashizëm, do të ishte e pamundur që strukturat shtetërore të atëhershme të mobilizojnë aq shumë njerëz të cilët do të pajtohen të hynë në Kuvend, të kryejnë vepra terrorizmi, e për çfarë? Që të nxsin luftë qytetare e cila do i shpëtonte urdhërdhënësit e tyre të cilët ama fare nuk mërziten as për fashizmin, as për ndjenjat kombëtare e as për mirëqenien sociale. E vetmja gjë për të cilën ata janë shqetësuar kanë qenë karriket e tyre, dhe xhepat e tyre të thellë, të mbushura me mjete nga buxheti shtetëror. Sepse në kohëra fashizmi fitimet e tilla janë shumë të mëdha.

Ashtu si që kanë përfituar profiterët e luftës gjatë kohës së Rajhut të Tretë, ashtu kanë përfituar edhe përkrahësit e fashizmit në vendin tonë. Dhe tani ballafaqohen me dënime serioze për këtë gjë. Ballafaqohen me hetime dhe aktakuza të PSP, ballafaqohen me dënime efektive me burg. Dhe po ti lexoni të gjitha rastet që ka ngritur deri më tani PSP do të shihni se ata që kanë mbjellur dhe propaganduar fashizëm, nuk kanë pasur fare problem të bëjnë “biznese” me “hebrejët” siç i quanin ata “shqiptarët e mallkuar” në këtë vend. Nuk kanë pasur asnjë problem të bëjnë biznes as me ata kundër të cilëve historikisht kanë luftuar, sepse, VMRO ka qenë historikisht organizatë e fshehtë që ka luftuar kundër Perandorisë Osmane apo jo? Dhe hetimet e reja të PSP ngrejnë bukur mirë dyshime për atë se çfarë krejt ka bërë kryeministri i mëparshëm që t’ua shesë tokën shtetërore për hiç pare të ri-pushtuesve të huaj që kanë agjendat e tyre në këto vende. Dhe në krejt këtë proces të vazhdojë të trajtohet si patrioti më i madh në vend.

Arsyet pse këto gjëra janë të mundura dhe sipas shumë gjasave edhe kanë ndodhur në shtetin tone, është pikërisht fakti që fashizmin brenda nesh asnjëherë nuk kemi arritur ta mundim. Dhe kot festojmë luftën kundër tij kur ende në Kuvend nuk dihet a do të votohen ndryshimet kushtetuese që duhet të na afrojnë me shtetet e NATOs dhe BEsë. Kot festojmë kundër fashizmit kur ende ka dilema për atë se cilën kahje duhet të marim si shtet, atë të demokracisë apo të autoritarizmit. Kot festojmë kur për 10 vite me rradhë tolerojmë që përfaqësues i jonë ndërkombëtarisht të jetë Ivanov, i cili më mirë i përfaqëson interesat ruse në këtë vend se sa interesat e qytetarëve të shtetit të tij. Kot festojmë luftën kundër fashizmit sepse ai nuk është i vdekur, por është më i gjallë dhe më i rrezikshëm se kurdoherë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button