Hetimi i ri “Harmonia” nga PSP, Nikolla Gruevski dhe Mile Janakieski në krye të dyshimit

Me urdhër për zbatim të procedurës hetimore në rastin “Harmonia”, që e hapi sonte Prokuroria Speciale e Maqedonisë,  janë përfshirë tre persona zyrtarë, për shkak të ekzistimit të dyshimit për vepër të kryer penale Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar nga neni 353 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 22 dhe nenin 45 të Kodit Penal (KP), transmeton MIA.

Ekziston dyshim i bazuar se në vitin 2012 të dyshuarit Nikolla Gruevski, kryetar i Qeverisë së RM-së, Mile Janakieski si ministër i Transportit dhe Lidhjeve dhe Stevço Jakimovski, kryetar i komunës Karposh, me shfrytëzimin e pozitës së tyre zyrtare, si bashkekzekutues, për Universitetin privat ndërkombëtar ballkanik Shkup kanë fituar dobi të konsiderueshme pronësore në shumë prej 23.730.912 denarëve, përkatësisht 385.868 euro, në mënyrën në vijim:

Nga dëshmitë del se Nikolla Gruevski, për shkak të lidhjeve të afërta miqësore me persona nga Republika e Turqisë u ka ndihmuar pronarëve të përfitojnë dy parcela ndërtimore në tokë atraktive në pjesën veriore të kazermës Ilinden, për çmim joreal të ulët prej vetëm 71 denarë për m2, përkundër çmimit të paraparë fillestar prej 1400.00 denarë për m2.

Njëherit, Nikolla Gruevski në mbledhje të Qeverisë ka intervenuar për ndryshimin e dispozitës e cila ka të bëjë me shitjen e tokës shtetërore, me çka ishte konfirmuar çmimi fillestar prej 61 denarëve për m2 për ankand  publik.

Në marrëveshje me Nikolla Gruevskin, Mile Janakieski i ka dërguar shkresë Stevço Jakimovskit, kryetar i Komunës së Karposhit të zbatojë procedurë për tjetërsim të parcelave të përmendura me anë të ankandit publik.

Me qëllim që të minimizohet mundësia për pjesëmarrje edhe në subjekte të tjera në ankand, Nikolla Gruevski ka paraparë kusht plotësues të veçantë – pjesëmarrësit përveç akreditimit për arsim të lartë, të parashtrojnë edhe garanci të lartë disproporcionale prej 100.000 eurove për parcelë.

Pas publikimit për ankandin publik në fillim të muajit maj, Universiteti ballkanik paraqitet në ankand nga fundi i muajit maj, por komisioni ka konstatuar dhe me anë elektronike e ka njoftuar universitetin se dokumentacioni nuk është komplet dhe se nuk mund të marrë pjesë.

Në marrëveshje me Mile Janakieskin dhe Stevço Jakimovskin, kryetari i komunës së Karposhit, dokumentet e pakompletuara ia ka kthyer përfaqësuesit të Universitetit, pas çka, duke e përdorur pozitën e tij zyrtare, ka kërkuar nga komisioni sërish t’i marrë prapa, tashmë dokumentet e kompletuara dhe t’i lejojnë të marrë pjesë në ankandin elektronik.

Në atë mënyrë i ka mundësuar subjektit juridik, si pjesëmarrës i vetëm në ankand të përfitojë dy parcela me çmim prej vetëm 71.00 denarëve për m2, me çka i kanë mundësuar Universitetit të përfitojë dobi të konsiderueshme pronësore në shumë prej 23.730.912 denarëve, përkatësisht 385.868 eurove.

Vitin e ardhshëm, në nëntor, të dyshuarit Nikolla Gruevski dhe Mile Janakieski sërish Universitetit ballkanik i kanë mundësuar dobi të kundërligjshme pronësore, në shumë prej 15.951.237,00 denarëve përkatësisht 259.370 eurove, ndërkaq në dëm të buxheteve të Qytetit të Shkupit dhe komunës së Karposhit duke u mundësuar të paguajnë 50% çmim më të ulët taksa komunale për ndërtim të objektit në dy parcelat e përmendura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button