Korea e Jugut shqyrton heqjen e disa sanksioneve Koresë së Veriut

Qeveria e Koresë së Jugut është duke shqyrtuar mundësitë e heqjes së disa sanksioneve të vendosura më parë ndaj Koresë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm jugkorean, Kang Kyung-wha, në fjalimin e tij para deputetëve të parlamentit tha se janë në vijim bisedimet nëse do t’i hiqen sanksionet Koresë së Veriut të cilat ishin vendosur pas sulmit të anijes luftarake jugkoreane në vitin 2010, raporton agjencia e lajmeve Yonhap.

Kang tha se Qeveria e Koresë së Jugut në këtë mënyrë dëshiron të bëjë një hap simbolik në kuadër të përmirësimit të marrëdhënieve mes Seulit dhe Phenianit.

Sipas tij, negociatat zhvillohen për heqjen e pjesës më të madhe të “sanksioneve të 24 majit”, të cilat janë vendosur ndaj Koresë së Veriut pas sulmit mbi anijen në fjalë, dhe që vrau 45 anëtarë të marinës Koresë së Jugut.

Kang shtoi se negociatat vazhdojnë, duke shtuar se ky hap nuk do të thotë heqjen e plotë e të gjitha sanksioneve të vendosura më parë ndaj Koresë së Veriut.

Ministri i Koresë së Jugut tha se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet për të ndihmuar procesin e denuklearizimit që zhvillohet në mes të Koresë së Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Bazuar në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të, ne do të vazhdojmë në mënyrë aktive të luajmë rolin e një ure që do të ndihmojë Korenë e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara në formimin e një platforme të përbashkët”, tha Kang.

Pas fundosjes së luftanijes të Koresë së Jugut në vitin 2010, ky vend ka akuzuar Korenë e Veriut për fundosjen e anijes dhe ndërpreu marrëdhënie tregtare me Korenë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button