“Ëndrra e shtatë studentëve” u realizua mbrëmë edhe në Dibër (FOTO+VIDEO)

Shfaqja diplomë “Ëndrra e shtatë studentëve” është paraqitur mbrëmë në kuadër të edicionit të 17-të festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni” që është duke u mbajtur në Dibër, transmeton Portalb.mk. Kritika teatrore e vlerësoi lartë lojën e aktorëve, edhe pse ata përçuan mesazhe pesimiste për statusin jo të mirë që aktorëve dhe për të ardhmen të paqartë të tyre në Maqedoni.

Në shfaqjen luajtën: Ajshe Useini, Taulant Destani, Sabina Memishi, Faton Ibrahimi, Arta Zejneli, Abdulla Osmani dhe Shpresa Hashimit. Udhëheqës i studentëve në shfaqje është Qëndrim Rijani, kurse është e bazuar në shfaqjen e shkrimtarit Uilliam Shekspir “Ëndrra e një nate vere”.

Shfaqja "Ëndrra e shtatë studentëve" në Dibër, foto: Gent Mehmeti
Shfaqja “Ëndrra e shtatë studentëve” në Dibër, foto: Gent Mehmeti

Në debatin që organizohet pas shfaqjeve, kryetari i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Kosovës “Shota”, Shefqet Gjocaj vlerësoi se qëllimi i debatit ndaj shfaqjes është që të zgjerohet këndvështrimi për perspektivën teatrore shqiptare.

Në lidhje me shfaqjen “Ëndrra e shtatë studentëve”, artisti Gjocaj vlerësoi se aktorët përcollën porosi me përmbajtje pesimiste, dhe shprehu dëshirën që të njëjtit të ishin paraqitur të lumtur, po aq sa energjia që e shpalosën në skenë.

“Në porositë e juaja ka defetizëm dhe pesimizëm, të cilat realisht neve na vrasin, jo se nuk janë të vërteta, por na vrasin edhe mbase ju në këtë moshë nuk do të duhej të merreshit shumë me to. Do të doja që ju të jeni optimist, ashtu siç i keni premtuar vetes, që do ta ndiqni ëndrrën tuaj. bashkërisht me kolegët tuaj më të vjetër, qoftë përmes institucioneve, organizimeve të ndryshme, apo edhe festivaleve, që sikur Ylber Nuredini i bën të mundshme në Tetovë, dikush tjetër do t’i bëj të mundshme edhe në Tetovë, Gostivar. Do të doja të ju shoh me fytyra shumë më të lumtura, më të qeshura sot këtu, njëjtë sikur energjia pozitive që ju e transmetuat në skenë”, tha ndër të tjerash Gjocaj duke përfunduar se studentët janë të vetëdijshëm se çfarë mund të hiqej e shtohej në shfaqjen.

Aktori Dritëro Ame kujtoi vështirësitë nëpërmjet të cilave kanë kaluar studentët, dhe shprehu përgëzimet për mënyrën se si ata u paraqitën në skenë dhe për atë se e realizuan ëndrrën e tyre, edhe pse kishin periudha që nuk kishin as pedagog në studime.

“Do të doja t’i përgëzoj këta të rinj dhe këto vajza, të cilët na rikthyen në kohë, edhe pse në një kohë të çuditshme. Edhe atëherë kur ne ishim studentë, ne ishim gjeneratë eksperimentale, dhe nuk dihej fati jonë. Këta janë studentë që i kam ndjek gjatë studimeve, dhe në vitin e tretë kanë mbetur pa pedagog, por me lutje që i bënë, arritën të sigurojnë pedagog në vitin e katër, dhe këta e arritën qëllimin dhe ëndrrën e tyre, të cilën na e thanë. Unë pajtohem me fundin që e thanë. Por kjo është jeta, dhe duhet të përballemi me të, dhe se janë barriera që duhet të tejkalohen”, tha Ame.

LEXO: Festivali “Teatri shqiptar në Maqedoni”, dielli që ngroh dibranët me art (VIDEO)

Sot në kuadër të festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni” do të shfaqet Teatri i Gjilanit me shfaqjen “I vetëm në banesë”, me autor Avni Shkodra, në regji të Natyra Kallabës, kurse nesër, më 11 tetor do të prezantohet “Teatri Shqiptar i Shkupit”, me shfaqjen “Gratë” me autor Robert Thomas dhe në regji të Qëndrim Rijanit. Nesër është edhe nata përmbyllëse e festivalit në të cilën do të ndahen çmimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button