Sipas Daçiqit, Kosova “nuk po e kupton në ç’situatë është”

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq vazhdon të përsërisë se është i sigurt se deri në fund të vitit do të ketë vende të tjera që do të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se pret që numri të bie nën 100, raporton Tanjug, transmeton Koha.net.

“Kjo është e rëndësishme për pozicionet negociuese, meqë nga Prishtina thuhet “pse të negociojmë me ju kur na kanë njohur 116 shtete”. Ata e kanë fiksuar këtë listë, ndërsa, siç është shprehur ai, kjo është një gënjeshtër e madhe, meqë disa vende i kanë tërhequr njohjet”, ka thënë Daçiq.

Sipas Daçiqit, Prishtina është në defanzivë të madhe dhe se ajo nuk po e kupton situatën në të cilën ndodhet, ndërsa (përfaqësuesit e saj – sqarim ynë) po kalojnë kohën më të gjatë në vendet që kanë njohur Kosovën që të mos e bëjnë tërheqjen e atyre njohjeve.

“Nuk po e kuptojnë se shumica e aktorëve më të rëndësishëm ndërkombëtar është shumë e interesuar që të arrihet një marrëveshje që do të bazohej në kompromis. Ata vetëm sa po e vështirësojnë pozicionin e tyre si pasojë e ekzistimit të mospajtimeve brenda elitës së Prishtinës”, sikur “qan dertin” e tyre ministri serb i Jashtëm.

Ndërsa fakti se Prishtina ende nuk e ka formuar Asociacionin e Komunave serbe, sopas tij, tregon se nuk e kanë ndërmend të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button