Rileximi i Don Kishotit: Idealisti dhe materialisti

Don Kishoti deshi që ta ndryshonte botën. “O botë, o prapësi, o dreq”, klithte Shekspiri. Ndryshimin donte ta bënte sipas mënyrës së tij. Në fakt, ai e kishte humbur botën e jashtme dhe jetonte në botën prej ëndrre, ngjashëm sikurse njeriu i sotëm, që më shumë jeton në botën virtuale se sa në botën reale. Ndryshe nga Don Kishoti, që donte ta ndryshonte botën, njeriu modern nuk e ka fisnikërinë e kalorësit të arratisur.

I fismi Don Kishot angazhohej për një botë më të mirë dhe më të fisme. Ai synonte ta korrigjonte padrejtësinë. Pasi bota e jashtme i ngatërrohej me botën e brendshme dhe pasi kishte zgjedhur metoda të vonuara për ta realizuar misionin e tij fisnik, ai dukej qesharak. Bota e jashtme përherë i ka tallur idealistët. Bota pragmatike, materialiste, sipërfaqësore, nuk ka dashur t’ia dijë për vlerat e fisme. Njeriu priret nga ekzistencialja dhe janë të paktët ata që u intereson esencialja. Në botë, thotë Marina Cvetajeva, ka numër të kufizuar shpirtrash dhe numër të pakufizuar trupash.

A i duhet botës Don Kishoti?

Përgjigja është pohuese: botës i duhet shpirti aventurier, i duhet pasioni, i duhet çmenduria, sepse pa këtë shpirt nuk arrin dot te zbulimi, te ndryshimi i botës. Vetëm Don Kishoti brenda nesh na shtyn drejt aventurës, na mundëson të punojmë me vite për të arritur diku, pa menduar se mundi mund të na shkojë huq.

Botës i duhet dhe Sanço Panço, sepse i duhet arsyeja, pragmatikja, racionalja, utilitarja.

Don Kishoti dhe Sanço Panço e plotësojnë njëri – tjetrin edhe pse janë të ndryshëm.

Don Kishoti tenton ta ringjallë botën kalorësiake, e cila është shpallur e vdekur. Ai dëshiron ta rikthejë fisnikërinë, por kjo kohë ka përfunduar. Ai i beson ëndrrës së tij. Duke e ndjekur ëndrrën ai shtegton si idealist nëpër botën e makuterisë dhe nuk arrin ta kuptojë se bota e librave që ka lexuar dallon nga bota e vërtetë.

Sanço Panço është tipi i kundërt i Don Kishotit. Edhe pamja e tij dallon nga e padronit me origjinë fisnike. Sanço i bindet autoritetit, për dallim nga Don Kishoti që beson se është autoritet moral. Don Kishoti është idealisti, Sanço është materialisti. Don Kishoti është i sinqertë, Sançoja është dredhak. Don Kishoti është pasioni, Sançoja është arsyeja. Don Kishoti nuk e njeh censurën e moralit, Sançoja i nënshtrohet kësaj censure. Don Kishoti është njeriu dinjitoz dhe i panënshtruar, Sançoja është edhe servil. Don Kishoti e thotë atë që ja dikton zemra, Sançoja e thotë atë që dëshiron ta dëgjojë padroni. Don Kishoti rrezikon, Sançoja bën të kundërtën, pra u përshtatet rrethanave. Don Kishotit i intereson interesi i përgjithshëm, Sanço Pançoja merakoset për interesin personal. Don Kishoti është asketi, altruisti, i vetëflijuari, kurse Sançoja është njeriu që dëshiron t’i shijojë kënaqësitë e jetës.

Don Kishoti dhe Sanço Panço jemi ne. Kemi pasionin dhe arsyen. Njeriu është i plotë vetëm nëse e ka brenda Don Kishotin dhe Sanço Pançon. Në botën tonë Don Kishotin e kanë shpallur të vdekur. Jeton vetëm Sanço Pançoja. Botës sonë i ka humbur baraspesha. Idealizmi sot e ka humbur betejën me materializmin. Bota jonë është botë e konsumit, e zhurmës, e fasadës.

Si brez i ngjajmë kalorësit të arratisur, që ende nuk është kthjelluar. Vazhdojmë të jetojmë me ëndrrën për botën tjetër, që nuk shihet askund…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ende ka shprese.Megjithese i kufizuar numri i shpirtrave shkrimi juaj e verteton kete. Ju keni shpirt te bukur.
    me respekt
    hhasanaj

Leave a Reply to Hekuran Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button