Benelux for dummies

Para pesë vitesh, në Vjenë, bashkë me një kolegë-ambasador të një republike të ish-Jugosllavisë, ishim të pranishëm si mysafirë të posaçëm në një darkë të organizuar për nder të një grupi të afaristëve të lartë prej një shteti me ndikim të BE-së. Të rrethuar me nikoqirë të pangarkuar me protokolle diplomatike dhe obligime shtetërore, diskutimi zhvillohej me ton të hapur dhe fokusohej në tregjet e Ballkanit, me theks të posaçëm mbi atë shqiptar “si treg që nuk njeh kufij dhe e pranon rrezikun”, si që përfundoi njëri prej mysafirëve. Ajo që megjithatë më bëri më së shumti përshtypje ishte heshtja thuajse konstante e përfaqësuesit të tyre diplomatik dhe kolegut tonë, një heshtje të cilën më vonë në një diskutim diskret ai e arsyetoi si “realitet i kohës në të cilën biznesi është diplomacia e re”. Disa vite më vonë dhe disa mijëra kilometra më larg, një ambasador tjetër, gjithashtu prej BE-së, në një rast mu ankua që autoritetet në Turkmenistan po e injorojnë atë dhe preferojnë të bisedojnë drejtpërdrejt me afaristët e shtetit të tij. Komenti im ishte i shkurtër – “biznesi nuk do dëshmitarë”. 

Kujtimet e këtyre episodeve u paraqitën nën vërshimin e sukseseve verbale parazgjedhore të koalicionit qeveritar, gjeografikisht të ndara në mënyrë precize në rrjedha lindore jugore dhe benelukse të Ballkanit Perëndimor. Anash dyshimeve që në rastin e Rrjedhës jugore bëhet fjalë për maskë gazpërçuese të barokut për qetësim të Maqedonisë Lindore gjithnjë më të alarmuar nga opozita, imponohet pyetja për notën strategjike të kësaj marrëveshjeje dhe reperkusionet e mundshme për shtetin tonë dhe vetë probabilitetin e realizimit të kësaj marrëveshjeje. Megjithatë, ka arsye pse sfera e rrjeteve gazpërçuese në fjalorin bashkëkohor i takon zërit të sigurisë energjetike, e cila ka të bëjë me një spektër shumë më të gjerë të interesave strategjike, kuptohet duke e përfshirë në radhë të parë momentin ekonomik, por duke mos e anashkaluar aspak as momentin politik apo atë ushtarak e të sigurisë. 

Marrëveshjet janë një gjë, por harta e gërshetuar e rrjedhave energjetike njeh shembuj të pafund të marrëveshjeve të lidhura, e pastaj të modifikuara apo të prishura, si rezultat i politikës ditore apo dominimit të opsionit qeveritar në një shtet apo rajon të caktuar. Si shembull mund të merret fati i Nabuko-s apo raportet në rajonin e Kaspikut dhe të Azisë Qendrore. Sido që të dalë puna, 2015 është larg, e në ndërkohë nuk guxojmë të harrojmë që premtimet i ngrohin zemrat, por politikat shkurtpamëse mund të na ngrijnë, si që e kuptuan shumë evropianë para disa viteve. Aq më shumë që afatet e propozuara për depërtim të gazit rus në shtetin tonë përputhen edhe me iniciativa tjera të ngjashme prej palëve tjera të interesuara, prej përkrahjes së të cilave jemi mjaft të varur. 

Por, nëse rrjedhat jugore fituan njëfarë nënshkrimi zyrtar të administratës qeveritare, riparaqitja e idesë për Beneluks ballkanik është padyshim një ilustrim solid i motos që çdo politikë është qenësisht lokale, ose në rastin konkret madje më e përshtatshme është të thuhet – partiake. 

Përkatësisht, duke gjykuar së paku në bazë të informatave, është e padyshimtë përshtypja që ideja e ringjallur për Beneluks ballkanik është paramenduar si një substitut pompoz verbal për debaklin nënçmues politik të proceseve euro-integruese nën kapelën e BDI-së. Secili njohës pak më i mirë i politikës së kësaj partie është i vetëdijshëm për obsesionin thuajse të përgjithshëm me të a.q. çështje të mëdha, që është më shumë ilustrim për modus operandi-n e tyre me të cilin i fitojnë zgjedhjet, se sa rezultat i ndonjë mendimi ideologjik, aq më pak i ndonjë mendimi strategjik rajonal. Me fjalë tjera, BDI ka nevojë qenësore t’i japë kuptim ekzistimit të saj si parti politike me mision historik. Posaçërisht në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme, ku ideja për Beneluksin ballkanik është e përshtatshme si iniciativë portabël për përdorim të njëhershëm dhe tërheqje të vëmendjes së votuesve prej disfatës qenësore të politikës së premtuar për shkrirje të proceseve për anëtarësim në NATO dhe BE. Në të vërtetë, vetë fakti që promovimi i idesë si të tillë i është dhënë një përfaqësuesi të ri, por megjithatë me përvojë të pamjaftueshme, siç është ministri i ekonomisë, mund të shërbejë si tregues i qartë për motivet dhe pritjet e vërteta. 

Por, në prapavijë të takimit të famshëm në Tiranë qëndron edhe një motiv plotësues, i fshehur, në formë të reprizës së llojit të vet të Kalasë 2011 në politikën e jashtme, me qëllim të promovimit edhe të një politikani lokal shpresëdhënës, të ri dhe të dashuruar në politikë të BDI-së, i cili nëpërmjet takimeve me burrështetas të kalibrit të Berishës duhet ta fitojë certifikatën e grande politikos në sytë e votuesve shqiptarë në Shkup. Promovimi i tillë i figurës më të re në duart e Leviatanit politik-afarist nga Çairi në të vërtetë e shënoi fillimin e luftës për pozita në vetë BDI-në, që u vërtetua shpejt me deklaratat të cilat vijuan nga ana e rivalëve të prekur dhe të alarmuar, të cilët e kuptuan natyrën e vërtetë të vizitës së Saraçinit në Tiranë. Mbetet vetëm edhe të kuptojnë që përrallat për Beneluksin nuk do ta tërheqin vëmendjen e votuesve prej gropave gjithnjë më të thella në asfaltin e Çairit. 

Anash lojërave dhe dinakërive lokal-politike të profiteve të vogla, megjithatë, ideja për bashkëpunim më të ngushtë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor (emri i tyre i vërtetë i pagëzimit) nuk është diçka që mund të pranohet pa një analizë të thellë të qëndrueshmërisë dhe nevojës ekonomike, e as të hidhet poshtë me arsyetim të akuzave paranoike për ndërtim të Shqipërisë së Madhe. 

Shikuar nga minus-perspektiva, promovimi i idesë së tillë në momentin kur Mali i Zi i fillon negociatat për anëtarësim në BE nuk jep shumë (apo aspak) shpresë për optimizëm. Thjesht, pse dikush do të hynte në një aventurë të pasigurt në hapësirë të ngushtë kur para vetes dalëngadalë i hapen (me te gjitha vështirësitë e sigurta) portat e familjes së madhe evropiane. Njëkohësisht, jashtëzakonisht e madhe është pyetja se cili do të ishte qëndrimi i lojtarëve të mëdhenj ndaj një grupi të tillë me dinamikë të paqartë të raporteve të brendshme. Në lidhje me këtë qëndrim, si një plus-perspektivë relative, mundësia për sukses të planit të tillë bazohet në një llogari të thjeshtë që për BE-në (së paku në formatin e tanishëm) është më e pranueshme të ekzistojë një votë nga Ballkani Perëndimor në vend të katër votave, që mund të ndikojë mbi procesin e vendimmarrjes dhe balancën e forcave në BE. 

Prandaj, në vend të përfundimit dhe më shumë si përkujtim, do t’i përmendja përsëri deklaratat nga fillimi i këtij artikulli. Ardhmëria e rajonit, në këtë apo në çfarëdo qoftë forme, të Rrjedhës jugore apo të Beneluksit, megjithatë nuk përcaktohet në sallonet politike dhe diplomatike, por në bordet e faktorëve ekonomikë. Në atmosfera diskrete të respektimit të ndërsjellë dhe planifikimit afatgjatë dhe larg, shumë larg veshëve dhe syve të opinionit publik. Çdo gjë tjetër është vetëm propagandë e lirë politike për përdorim të njëhershëm. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button