10 vjet në përdorim, kryeministri Zaev nuk është i informuar se shqiptarët fyhen në librat shkollor (VIDEO)

Me buxhetin e vitit 2019 janë paraparë mjete për korrigjim të shumë teksteve mësimore me përmbajtje ofenduese, me qasje të gabuar dhe me të pavërteta historike, megjithatë, nuk dihet se nëse pjesë e këtyre teksteve do të jenë edhe librat e Historisë dhe Gjeografisë së Gjimnazit të reformuar, me përdorimin e të cilave është duke u bërë shkelje e ligjit për libra të arsimit fillor dhe të mesëm, pasi që kanë përmbajtje ofenduese, dhe material mbi 30 për qind jo të saktë, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev duke u përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk se a do të kërkojë nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi që të tërhiqen librat e historisë dhe gjeografisë së gjimnazit të reformuar, deklaroi se nuk i di detajet, por se se premtori se nëse vërtetë librat janë ashtu siç e njoftuam ne, atëherë libri do të tërhiqet.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev

“Nuk i di detajet. Do të flas me Ademin. Më detajisht do të ju përgjigjem, se a është ajo ashtu, dhe nëse është ashtu, kur do të tërhiqet, si tërhiqet, dhe të ngjashme”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev Zaev njoftoi se me or se me buxhetin 2019 janë ndarë mjete për korrigjim të shumë teksteve mësimore, por nuk bëri të ditur se a do të korrigjohet edhe librat e caktuar.

“Për këtë lloj të vlerave, sigurisht duhet të thirremi. Nuk i di detajet. Me ministrin kemi biseduar dhe kemi ndarë para nga buxheti i 2019-së, që të tërhiqen disa libra që kanë mangësi brenda, nga ky karakter, me ofendime, përmbajtje me qasje të gabuar, apo të ngjashme, këto janë fëmijë tanë, dhe ne duhet ti edukojmë me vlera, e jo t’i gënjejmë ata, me materiale joadekuate. Kështu që do të ndërmarrë gjithçka që të largohen punët e tilla”, tha Zaev.

Duke folur Agnesa Qerimi

Në kuadër të forumit të organizatave qytetare që u mbajt sot në Shkup, pjesëtarja e Këshillit Rinor të Kosovës, Agnesa Qerimi duke folur për urat lidhëse që duhet të krijohen brenda Ballkanit, e aktualizoji problemin e librave në Maqedoni duke thënë: “Unë dje takova një mikun tim, ai më tregoi se si në shkollë mësohet se shqiptarët janë kriminel. Besoj se më prioritet është që të punohet për krijimin e urave brenda shtetit, pastaj të shihet jashtë”.

Në lidhje me këtë, kryeministri Zaev tha se se integrimi i brendshëm në Maqedoni është duke ndodhur çdo ditë.

“Sa më shumë që ne do të jemi të gatshëm të heqim dorë nga ajo që quhet nacionaliste në shtëpi, dhe të ndërtojmë atë çfarë është e përbashkët, aq më shpejtë do të evropianizohemi dhe do të shkojmë në NATO. Ndër të tjerash, ajo çfarë është integrim i brendshëm, ajo ndërtohet çdo ditë, dhe besojmë do të plotësohet çdo ditë. Përcaktimi i kësaj qeverie është barazi të plotë në çdo bazë, dhe për të gjithë qytetarët. Atëherë, do të jetë një shoqëri për të gjithë”, tha Zaev.

Librat në përdorim që dhjetë vjet

Librat e lëndës së gjeografisë dhe historisë, të ribotuara në vitin 2009, kanë përmbajtje me prapavijë politike, ofenduese dhe shtrembërojnë historinë shtetërore dhe të entiteteve që jetojnë në Maqedoni. U kërkua që të përpilohet planprogram i ri mësimor, por deri atëherë, librat duhet të largohen nga përdorimi.

Libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë-për vitin II të gjimnazit të reformuar” ka shtatë momente kontestuese të historisë së Maqedonisë.

Faqja 99 thotë: Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit.
Në shumë pjesë të librit, përfshirë edhe faqen 104, thuhet se: Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780.
Në faqen 104 ka pika të përbashkëta me “Serdarot” të Gligor Përliçev ku thuhet se: Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke.
Në faqen 103: Shqipëria shfaqet si okupatore e Maqedonisë Perëndimore.
Në faqen 105: Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia.
Në faqen 84 dhe 85 në pjesën e definimit të Maqedonisë antike dhe të sotme, figurativisht dhjetëra herë “lind” dhe “vdes” shteti i Maqedonisë, kjo paraqet pengesë për krijimin e një pasqyre të qartë të historisë së Maqedonisë.

Gabime bëhen edhe me prejardhjen e pakicave, ngaqë aty futen të gjithë të ardhurit, duke krijuar idenë se në Maqedoni nuk ka popull autokton.

Ligji parasheh heqjen nga përdorimi

Sipas ligjit të librave për arsim fillor dhe të mesëm, Neni 14 parasheh se në rast se gabimet janë më shumë se 30 për qind, përpilohet planprogram i ri, kurse Neni 26 thotë se libri shkollor tërhiqet nga përdorimi nëse miratohet plan-programi i ri mësimor ose nëse bëhet ndryshimi ose plotësimi i më shumë se 30% të planit dhe programit mësimor, nëse nuk i përmbush qëllimet shkencore-profesionale dhe metodologjike dhe nëse përmban materie me të cilën ofendohen historia, kultura dhe vlerat tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas, si dhe qytetarëve të cilët jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë.

Jozyrtarisht, Portalb.mk mësoi se deri tash nuk është ndërmarrë asnjë aktivitet për formimin e komisionit i cili parasheh korrigjimin apo edhe përpilimin e planprogramit të ri të historisë dhe gjeografisë.

Gjeografia dhe historia do të revidohet vetëm për historinë maqedonase

Ndryshe, libri i historisë dhe i gjeografisë ka vite që kërkohet të ndryshohet, ajo u aktualizua gjatë procesit të zhvillimit të negociatave Maqedoni – Greqi edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Krahas ndryshimeve kushtetuese, marrëveshja parasheh edhe revidim të teksteve mësimore të Historisë dhe Gjeografisë.

Për heqje të librit kishte kërkuar edhe grupi i nxënësve të shkollës së mesme “Zef Lush Marku” në kuadër të Lidhjes së Nxënësve Shqiptarë, por edhe pse u ishte premtuar atëherë nga pjesëtarët shqiptarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, libri edhe pas 9 vitesh, sërish është në duart e nxënësve.

 

Ende në përdorim, çfarë fshihet pas librave skandalozë të gjeografisë dhe historisë? (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button