Shevchenko beson se Milani është në rrugën e duhur për të rikthyer shkëlqimin e vjetër
Legjenda e Milanit, Andriy Shevchenko, beson se ish-skuadra e tij është në rrugë të mirë për t’u kthyer në majat e futbollit botëror.
Ukrainasi ka folur edhe për derbin e Interit, duke thënë se Mauro Icardi është pika kyçe e zikaltërve.
“Jam entuziastë për Milanin. Ata kanë gjetur rrugën e tyre dhe me Paolo Maldinin e Leonardon sinqeriteti është kthyer”, ka thënë Shevchenko për Gazzetta dello Sport, transmeton Telegrafi.
“Ka seriozitet dhe është bërë një treg i transferimeve i mirë, ata kanë kthyer besimin te trajneri. Askush nuk po thotë se ata duhet të fitojnë Ligën e Kampionëve, por ata janë rikthyer të jenë konkurrues”.
“Kjo më sjellë kënaqësi dhe serioziteti e profesionalizimi i këtij Milani më bën krenar. Ata ende kanë shumë për të bërë, por janë duke u rikthyer në krye”.
Shevchenko ka folur edhe për derbin ndaj Interit në xhiron tjetër:
“Ata e filluan keq, por rezultatet vijnë ngadalë. Spalletti është trajner solid dhe Interi ka lojtarë kualitativ, jo vetëm Icardin”.
“Ai (Icardi) është një sulmues i madh, i cili është edhe kapiten, lider dhe lojtar kyç të motivojë bashkëlojtarët e tij”.
“Bota e futbollit ka ndryshuar, por Milano vazhdon të mbetet një qytet me traditë. Mendoj se Milani dhe Interi janë duke gjetur rrugën e duhur, vetëm se duhet t’i marrin gjërat hap pas hapi”, ka shtuar Sheva.