DEBAT

Në rrugë.  E ka ngritur dorën e majtë zëdhënësi i Partisë për Mirëqenien e Pritshme që është në pushtet dhe flet. Në ato çaste ia beh kolegu i tij i Partisë për të Kaluarën e Ndritshme. Pra tash janë ballë për ballë Pozitari dhe Opozitari. Seç thotë Pozitari:

  • Në kushtet fenomenologjike të situatës dramatike të sferave të interesit konkret ne bëmë një hap të vogël për që është shumë i madhe për mirëqenien e pritshme të qytetarëve tonë. Ne nuk do të ndalemi këtu. Kemi plane të thella. Bashkë me partnerin tonë të koalicionit do të bëjmë përpjekje që të hapim horizonte të reja në aspekt të kultivimit të kulumrijave në të gjithë shullërët e vendit.
  • Mos e mashtroni popullin! Kulumrijat, këtë e dinë mirë qytetarët, nuk pinë ujë në kushtet fenomenologjike të sferave të interesit konkret! ia kthen Opozitari.
  • Ku i ke faktet ti shoku Opozitar? Ju me koalicionin tuaj u munduat me krimba mëndafshi, por s’bëtë asgjë, ngase u thanë manat e krimbat mbetën pa gjethe! Çfarë të hanin krimbat e shkretë! U munduat t’i ushqeni me gjethe manaferrash. Nuk e diti asnjëri nga udhëheqja juaj se krimbat e mëndafshit nuk hanë gjethe manaferrash. Të gjorët krimba, i vratë! Edhe projekti kështu ju dështoi.  Treguat se s’jeni as për këtë punë. Pastaj u munduat të bëni ngrehina fjalësh boshe! Populli e pa se po e çoni në greminë dhe u tha: “ndal”!
  • Ore, o Pozitar i humbur, leri ti krimbat tonë, leri ngrehinat!… Shikoni ju qytetarët! Ne qytetarëve u ofruam paqe dhe u hapëm perspektiva ekonomike në bazë të parimeve familjare e fisnore. Kurse ju?!… Ju jeni pa ide për zhvillim. Ne hapëm shtigje të reja… Gjithë ato dyqane të lojërave të fatit, etj. etj.
  • Dërrr… dërrr… dërrr…! ia ktheu Pozitari. Të kishit qenë të mirë do të kishit qenë në pozitë.
  • Mërrr… mërrr… mërrr…! Më mirë në opozitë se në pozitë me ju si opozitarë, u përgjigj Opozitari.
  • Tërta-mërta! Tërta-mërta! tha Pozitari.
  • Bre, bre, bre!… Lehënzi! u përgjigj Opozitari.
  • Po Kushtetuta?! pyeti Pozitari.
  • Aaaaaa, s’e lejojmë aty të prekë as Shën Gjergji që vrau kuçedrën! tha me një pavendosmëri  Opozitari. Më së pari do të kemi zgjedhje! shtoi. Zgjedhjet do t’ju gjunjëzojnë juve, do të na hypin në kalë të bardhë neve. Pastaj shohim e bëjmë…
  • S’ka zgjedhje!
  • Ka, ka!
  • Po si do të jetë puna e shqiptarëve në planet tuaja, shoku Opozitar.
  • Do ta shohim këtë punë ditën e shtunë!
  • Kur?
  • Ditën e mërkurë!…
  • K… O.K…

Kështu e bënë një muhabet të mirë Pozitari me Opozitarin. Thanë e ç’nuk i thanë njëri-tjetrit.

Pastaj para kamerave dolën akademikë e analitikë. Debatuan. E në debat, krahas këtyre  ishte edhe një përfaqësues i Pozitës e një i Opozitës. Ishte edhe një përfaqësues i faktorit partiak shqiptar. I tjerrën fije e për pe fjalët e Pozitës dhe të Opozitës.

Doli se dueli midis Pozitarit dhe Opozitarit kishte qenë me nivel, gjë që është për t’u përshëndetur. Jo se s’ka pasur aty-këtu ndonjë dobësi, por më e mira e kësaj bisede ka qenë, sipas tyre, se kërkohet që problemet të zgjidhen përmes dialogut.

Njëri nga debatuesit televizivë reagoi:

  • Hej, po shqiptarët?!
  • Çfarë shqiptarësh?! pyeti debatuesi që e mbante anën e Opozitës. – Nuk është koha tash për të humbur kohë për minoritetet…

Përfaqësuesi i Pozitës vetëm e tundi kokën.
Përfaqësuesi i faktorit politik shqiptar heshti, siç e do tradita e partive shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button