Haradinaj: Kosova nuk do të eksportojë kriminalitet në BE

Kosova në mënyrë drastike e ka zvogëluar numrin e azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian (BE), deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e Nivelit të Lartë të Sundimit të Ligjit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij, Haradinaj theksoi se Kosova ka punuar shumë për zvogëlimin e migracionit në vendet e BE-së, pasi kjo është një nga çështjet kryesore në procesin e liberalizimit të vizave që po shkon kah fundi.

“Çështja e migrimit, që është një prej çështjeve kryesore ku BE dëshiron të sigurohet se nga Kosova nuk do të ketë migrim ndaj shteteve të BE-së. Pra, ne kemi bërë punë të mirë në ndalimin e fluksit potencial. Shifrat e azilkërkuesve kanë rënë në mënyrë drastike. Nga viti 2015 deri më sot kemi rënie të azilkërkuesve me mbi 95 për qind, prej 67 mijë në 2015 rënie pra në 2.800 në vitin 2018”, theksoi Haradinaj.

Ai shtoi se, pavarësisht kësaj, duhet të punohet edhe më shumë dhe se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se e ardhmja e tyre është këtu në Kosovën evropiane.

Haradinaj porositi gjithashtu se Kosova nuk do të eksportojë krim dhe pasiguri në BE, por qytetarë të ndershëm, studentë, turistë, sipërmarrës dhe njerëz që do të udhëtojnë për biznes në BE.

Pjesa tjetër e takimit ishte i mbyllur për media ndërsa morën pjesë zëvendës ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, Colleen Hyland, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të sigurisë.

Qeveria e Kosovës në vitin 2018 e ka cilësuar si vit të sundimin të ligjit dhe rendit në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button