O media, na ruani nga gënjeshtrat e politikanëve!

Burimi: KriThink

Një analizë për bishtnimin e deklaratave të funksionarëve pas referendumit dhe pafuqia e mediave për të treguar se kush gënjen, e kush e thotë të vërtetën. Alarm, qytetari është i pambrojtur!

Nga: Agron Vrangalla

Funksionarët politik në Maqedoni nuk janë koherent në deklaratat e tyre. Marrin përsipër një rrezik shumë të madh për të ndryshuar atë që kanë thënë në fillim. Ku janë mediat në këtë histori? Si lejojnë që çdo politikan që i kujtohet të bishtnojë deklaratat e veta, të kalojë në media pa i bërë ballë njeri? Kujdes, në këtë rast, viktimat e vetme janë qytetarët.

Qytetari sot nuk është i mbrojtur nga dhuna e ligjërimit politik. Në vend që media të jetë korrektori, seleksionuesi dhe ajo që quhet Watchdog (ruajtëse e interesit publik), ajo po bëhet palë me politikën, duke transmetuar deklaratat e tyre pa analizë dhe pa verifikim të fakteve, për ta lënë qytetarin të vetëm, të pambrojtur. Media përpos informimit, e ka për detyrë “të ndajë shapin nga sheqeri” dhe t’i tregojë publikut se ku qëndron problemi me këto deklarata.
Gazetaria është më shumë se transmetim i deklaratave ashtu siç janë. Qytetari ka të drejtë të kuptojë “të fshehtën” e një qëndrimi të mjegullt të një politikani dhe këtë gazetari mund ta bëjë përmes zhanreve gazetareske si: analiza, komenti, lajmi i zgjeruar, intervista.

Shembull për fenomenin në fjalë është mënyra si mediat transmetuan vlerësimin e rezultateve të referendumit nga partitë politike, apo më saktë, nga koalicioni qeveritar LSDM-BDI.
Sapo u shpallën rezultatet nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dolën liderët dhe uruan qytetarët për rezultatin e arritur. Kryeministri Zaev e shpalli referendumin të suksesshëm. Menjëherë pas tij, të njëjtën gjë deklaruan ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, për të vazhduar më pas dy zëvendës-kryeministrat Bujar Osmani dhe Radmilla Shekerinska, duke deklaruar se referendumi ka qenë i suksesshëm. Për hir të së vërtetës, lideri i BDI-së, vetë personalisht, nuk deklaroi ndonjëherë se referendumi ka qenë i suksesshëm, por vetëm vlerësoi angazhimin e qytetarëve që kanë votuar në këtë referendum. Arsyetimi i zyrtarëve të lartpërmendur se referendumi doli i suksesshëm, ishte fakti se të dielën që shkoi, kanë votuar PRO, mbi 600 mijë qytetarë.
Dhe siç ndodh rëndom, të gjitha mediat publikuan deklaratat e zyrtarëve më të lartë të shtetit. Por çfarë ndodh vërtetë? Këta zyrtarë, me këtë rast, në pikë të ditës, gënjyen përpara syve të gjithë publikun. Gënjyen sepse referendumi nuk ishte i suksesshëm pasi që nuk arriti të marrë të paktën 50 përqind të votave nga numri i përgjithshëm i votuesve në vend, siç parashikohet me ligj, qoftë edhe për një referendum konsultativ. Siç raportoi KSHZ, gjithsej kanë votuar 666.743 votues apo 36.91 për qind prej numrit të përgjithshëm të votuesve. Prej tyre 609.813 apo 91.46 për qind janë përgjigjur “PËR”, ndërsa 37.700  apo 5,65% janë përgjigjur “KUNDËR”.
Referendumi dështoi. Pyetja që lind është kjo: A pati një kontribut gazetaresk atë ditë për t’u thënë qytetarëve se autoritetet gënjejnë kur e quajnë referendumin të suksesshëm? Përgjigja është jo! Domethënë, këtu mund të thotë kush çfarë të dëshirojë, ndërsa mediat i transmetojnë të gjitha. Dakord, mediat duhet të transmetojnë atë që thonë politikanët, por duhet të shtojnë më pas se këto politikanë gënjejnë në pikë të ditës.

Nëse dikush mendon se Kodi i Gazetarëve të Maqedonisë e ndalon këtë, e ka gabim. Për shembull këtu po sjellim dy nënpika të pikës së parë të këtij kodi:

“Gazetari mund të publikojë diçka për të cilën nuk ka edhe aq dëshmi, por për të cilën ka mjaft indikacione se është i vërtetë, respektivisht diçka për të cilën ekziston dyshim i bazuar. Dyshimi i bazuar nënkupton prezantimin e argumenteve që janë të arsyeshëm dhe që janë indikacion se diçka është e vërtetë, pa pasur dëshmi konkrete për vërtetësinë”.

“Publikimi i informacioneve që kanë statusin “të besueshme” është e mundur atëherë kur do të konstatohet se e drejta e publikut  për të qenë i informuar është më e madhe sesa e drejta e respektimit të arsyeve të besueshmërisë të informacionit”.

Mediat tona ende nuk e kanë arritur këtë stad. Ato nuk marrin guxim të futen në interpretime, thjeshtë raportojnë. Ndërkohë harrojnë se nuk janë aty vetëm për të treguar ngjyrat dhe emrat e ngjyrave, por edhe për të treguar se kush është e bardha dhe kush është e zeza, dhe çfarë do të thotë e bardha e çfarë e zeza. Kjo është shumë e rëndësishme.

Bota e njeh këtë model për të cilin po flas. Për shembull, gazetari i njohur i CNN-it, Anderson Cooper, ndan disa minuta kohë për të interpretuar deklaratat e zyrtarëve dhe mënyrën se si ata gënjejnë duke deklaruar diçka, apo me fjalë të tjera, si tentojnë të transmetojnë lajme të rreme. Shikojeni këtu analizën e gazetarit.
Mediat konsiderohen si një lloj filtri shumë i fuqishëm i përpunimit të materialeve bruto që vijnë nga gjithandej. Qytetarët kanë nevojë për ndihmë. O media, na mbroni nga gënjeshtrat e politikanëve!

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button