Saraçini apelon te zejtarët të shfrytëzojnë subvencionet

Ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini dhe përfaqësues të Odës zejtare të Maqedonisë sot në Çarshinë e vjetër të Shkupit vizituan zejtarët të cilët kishin ekspozitë të artizanateve, si pjesë e manifestimit Java e Çarshisë.

Gjatë këtij manifestimi Saraçini theksoi se Ministria e Ekonomisë po ndihmon zejtarët me subvencione për mjete, vegla dhe edukim profesional deri në 300.000 denarë.

“Në programin e Ministrisë së Ekonomisë vend të posaçëm ka promovimi dhe përkrahja e zejtarëve në vendin tonë. Për këtë qëllim ne kemi planifikuar subvencione deri me 300.000 denar për të përkrahur zejtarët” – tha Saraçini.

Por këtë mundësi dhe këto subvencione nga ministria sipas Saraçinit nuk shfrytëzohen sa duhet. Për këtë shkak ai bëri apel deri te zejtarët që të aplikojnë për këto subvencione.

“Procedura është thjeshtëzuar, nuk është e nevojshme që të shkruhen projekte të mëdha. Gjithçka që duhet bërë është të dërgojnë kërkesë deri te Ministria e Ekonomisë, të kenë vërtetim financiar për harxhimet që kanë bërë dhe të kenë vërtetim se janë regjistruar dhe licencuar në regjistrin e zejtarëve” – tha Saraçini./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button