Begaj-Balaj: Çmimi Nobel ju jep zemër viktimave të dhunës seksuale që të aplikojnë

Çmimi Nobel për Paqe për këtë vit i është ndarë dy personaliteteve që bëjnë fushatë që t’i japin fund përdorimit të dhunës seksuale si armë e luftës apo konfliktit të armatosur – gjinekologut nga Kongo, Denis Mukwege dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, Nadia Murad.

Këtë lajm kryetarja e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, Minire Begaj-Balaj, e ka parë si një sinjal shumë të mirë.

“Lajm shumë i mirë sepse i dedikohet dhe është në përkrahje të të gjithë mbijetuarve të dhunës seksuale që kanë përjetuar gjatë luftës, njëkohësisht edhe për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë”.

“Bashkë me këtë çmim, ne si Kosovë mund të themi se jemi një shtet në rajon që kemi arritur të punojmë dhe të kemi një sistem që shteti i Kosovës po i njeh vuajtjet e dhunës seksuale të gjithë atyre që kanë përjetuar një gjë të tillë gjatë luftës”.

“Është vullnet që të punojmë më shumë në të ardhmen për këtë kategori që gjithë bota ka kthyer sytë dhe është përkushtuar për këtë çështje”.

“Në mesin e 331 kandidatëve që kanë qenë kanë fituar këta dy persona që është çmim i mirë për përkushtim dhe dedikim më të madh për këtë kategori”.

Begaj-Balaj ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se çmimi Nobel shpreson se do t’iu “japë zemër” të gjitha viktimave të dhunës seksuale në Kosovë që kanë hezitim të aplikojnë për statusin “e viktimave të dhunës seksuale”.

“Mendoj që ky çmim do të ketë ndikim pozitiv, do të jetë forcë për të tjerët. Nadia Murad ka qenë njëra prej atyre që ka përjetuar torturë dhe dhunë – ky çmim do të jetë forcë që të marrin zemër dhe të drejtohen te Komisioni të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale”.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button