KRIJUESI SHPIRTRILINDËS

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Bilall Maliqi është i njohur me krijimtarinë e tij të gjithanshme letrare dhe publicistike. Ka vite  që Ai përpiqet ta mbajë gjallë me tërë qenien shpirtin e rrezikuar shqiptar në Luginën e Preshevës. Këtë e bën në kushte tejet të pafavorshme dhe në një moment delikat kur, më shumë se nga hallku, qenia jonë rrezikohet nga vetë shqiptarët inferiorë ndaj tendencave asimiluese të të tjerëve.

Betejën në fjalë Bilalli e bën nëpërmjet vargjeve, nëpërmjet shkrimeve kritike e publicistike, nëpërmjet revistës letrare QËNDRESA dhe aktiviteteve të pandalshme si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve FENIKS për Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë.

Parë nga ky kënd, Bilall Maliqi është zgjatim i prometejëve të Rilindjes shqiptare, që flijuan gjithçka për çështjen e ruajtjes së njësisë së gjuhës, gjakut dhe vatanit.

Gjer më tani Bilalli ka botuar mbi 20 tituj librash me poezi e proza për të rritur dhe për fëmijë, me recensione e vështrime kritike, me çka e ka dëshmuar krijuesin brenda vetes. Është dhe fitues i shumë shpërblimeve dhe çmimeve të rëndësishme letrare.

Në mesin e veprave mbresëlënëse që ky autor ka botuar viteve  të fundit është NËPËR NDJESI POETIKE, në të cilën ka përfshirë një mori vështrimesh që lidhen kryesisht me veprat poetike dhe me studimet letrare të krijuesve shqiptarë. Nëpërmjet tyre Bilalli, me një qasje dashamirëse dhe me një energji të rrallë pozitive, ka vënë në pah vlerat evidente të gjithsecilit krijues dhe gjithsecilit libër për të cilin ka shkruar, duke shpërfaqur kësisoj me pak fjalë lejenjoftimet estetike të të përzgjedhurve të tij.

Vështrimet e Bilall Maliqit janë të qarta dhe si të tilla komunikojnë lehtësisht me të gjitha shtresat libërdashëse të lexuesve. Kjo dëshmon se autori, para së gjithash synon, që nëpërmjet tyre të edukojë dhe të kultivojë shijen estetike të auditorit, që sot, mbase më shumë se dikur, ia ka kthyer shpinën librit dhe kënaqet me informacionin diskutabil letrar të rrjeteve sociale. Jo rastësisht Bilalli ka zgjedhur për të komunikuar me lexuesit e tij nëpërmjet gjuhës së qartë e troçe shqipe. Jo rastësisht ai e bën punën e tij me fanatizëm rilindësish.

Mbresëlënëse janë vështrimet mbi veprën Lëkura e shpirtit të poeteshës Alda Marini (kandidate për çmimin Nobel për letërsi) dhe mbi veprën Heshtjet e pafejuara të poetit rumun Dimitru Ichim, me të cilët hapet libri me kritika letrare i Bilall Maliqit.

Megjithatë, qasjet më të veçanta e më mbresëlënëse dhe vështrimet më të thukta Bilalli i rezervoi për veprat letrare të poetit të ndjerë preshevar Qerim Arifit (1946-1990), poetit të tij të adhuruar, krijuesit që ka merituar më shumë vëmendje nga kritika jonë letrare, duke qenë se ka lënë gjurmë të pashlyeshme në poezinë shqipe të viteve të ’80-ta. Veprën e Qerim Arifit Bilalli e ka analizuar libër pas libri, cikël pas cikli e varg pas vargu, duke shpërfaqur përpara lexuesve portretin e plotë të autorit, që iku herët nga kjo botë.

Krahas veprimtarisë letrare, Bilall Maliqi jep kontribut të vazhdueshëm edhe në sferën e arsimit. Me një fjalë, ai është përherë aty ku janë ngjarjet kulturore të Luginës së Preshevës dhe betejat e pasosura në mbrojtje të shpirtit  të saj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP