“BE do të vazhdojë mbështetjen për Ballkanin Perëndimor”

Ministeriali Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor për çështjet e brendshme, ka mbledhur në Tiranë ministra dhe zyrtarë të tjerë nga rajoni dhe BE, të cilat kanë diskutuar për çështjet e luftës kundër terrorizmit, emigrimit të parregullt dhe për sigurinë në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas sesionit të parë të ministerialit mbajtën një konferencë për media komisioneri i BE-së për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj dhe ministër i Brendshëm i Austrisë, Herbert Kickl, vendi i të cilët mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

“BE do të vazhdojë mbështetjen për Ballkanin Perëndimor”

– ”BE do të vazhdojë mbështetjen për Ballkanin Perëndimor për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm”

Eurokomisioneri Avramopoulos tha gjatë konferencës se ministeriali është një takim shumë i rëndësishëm me disa rezultate konkrete, për çështjet e migracionit, sigurisë dhe menaxhimit të kufijve. “Gjatë viteve të fundit BE dhe kjo pjesë e Evropës janë bërë gjithnjë e më shumë bashkë, duke patur parasysh edhe lidhjet historike dhe kjo tregon vendosmërinë tonë të përbashkët për t’u përballur me sfidat e sigurisë. Migracioni gjithnjë ndryshon dhe ne duhet të jemi vigjilentë. Ne duhet të vazhdomë të punojmë se bashku që të ulet migracioni i parregullt dhe të ndalohet kontrabandimi i emigrantëve dhe të sigurojmë kufijtë”.

Komisioneri Avramopoulos theksoi se BE do të vazhdojë mbështetjen për Ballkanin Perëndimor për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. “Do të vazhdojmë të përshpejtojmë shkëmbimin e informacionit ndërmjet gjithë agjencive të ndryshme. BE do të ndjekë punët me partnerët në Ballkanin Perëndimor. Siguria është shumë më e gjerë sesa thjeshtë lufta kundër terrorizmit. Sfidat e emigracionit dhe sigurisë kërkojnë zgjidhja të plotë dhe gjithëpërfshirëse në bashkëpunim të plotë me gjithë partneret brenda familjes evropiane dhe më tej”, tha Avramopoulos.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, theksoi se ministerialin e kosndierojë si tregues i vëmendjes së shtuar që Komisioni Evropian dhe Austria i kushtojnë Ballkanit Perëndimor. “Bashkëpunimi ishte kryefjala e këtij forumi. Besoj se ky ministerial do të shënojë një hap të ri në bashkëpunimin midisi nesh në përballimin e sfidave e rëndësishme me të cilat jemi duke u ndeshur. Marrëveshjet e nënshkruara sot janë një konkretizim i qartë i vullnetit të vendeve të rajonit për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian. Vlerësojmë zhvillimin në Shqiëperi të këtij ministeriali, për promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, për më shumë stabilitet , siguri dhe zhvillim ekonomik në rajon”, tha Xhafaj.

Ministri Xhafaj u shpreh më tej se përballimi i sfidave të sigurisë kërkon veprim të përbashkët si dhe një qasje rajonale gjithëpërfshirëse, duke shtuar se drejtësia dhe siguria janë themelore sa i takon paqes, stabilitetit dhe qeverisje demokratike.

Ministri austriak, Herbert Kickl, u shpreh se qëllimi i ministerialit është shënjimi i përmbajtjeve në një situatë problematike aktuale dhe të rëndësishme, ku sipas tij bëhet fjalë për sigurinë dhe emigracionin. Ai shtoi se synohet të ofrohet një kontribut për të ardhmen e përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Duhet të konsolidojmë me tepër përpjekjet tona të përbashkëta. Kërkojmë partneritete solide me BE-në dhe Ballkanin Perëndimor. Ky është një hap i rëndësishëm sa i përket statusit të partneriteteve. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me njëri-tjetrin”, tha ministri Kickl.

Gjatë ministerialit u nënshkruan disa marrëveshje, si plani i përbashkët i veprimit kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor, nënshkruar nga ministrat e Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe komisioneri i BE-së, Avramopoulos, marrëveshja ndërmjet Qendrës Evropiane Monitoruese për Drogat dhe të Varësisë ndaj Drogave dhe Shqipërisë, si dhe marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së për veprimet në Shqipëri nga Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian (FRONTEX).

Ministrat pjesëmarrjes ishin ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, ministri i Brendshëm i Kosovës, Bejtush Gashi, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski, ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Mevludin Nuhodziç, dhe zyrtarë të tjerë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button