Post-referendum

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Referendumi më i rëndësishëm në historinë e këtij shteti kaloi para disa ditësh, por fatkeqësisht nuk zgjodhi asgjë dhe ishte shumë larg pritshmërive në aspekt të daljes në votim. Nuk zgjodhi asgjë, përkundrazi komplikoi shumë gjëra: ngriti çmimin e pazarit për VMRO-DPMNE në e cila në sajë të bojkotit të gjerë u rifaktorizua dhe u ripozicionua në kërkesat e vazhdueshme për amnisti të cilat kishin kohë që ishin jashtë loje dhe jashtë konsiderimi. Si pasojë e kësaj, marrëveshje në Kuvend për t’i kaluar ndryshimet kushtetutese lidhur me Marrëveshjen e Prespës sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë. Në pyetje është një numër i konsiderueshëm prej 10 deputetësh, duke marrë parasyshë këtu që edhe njëri nga deputetët aktualë të shumicës parlamentare ka thënë që nuk do i votojë këto ndryshime kushtetuese. Pra, sipas të gjitha gjasave, do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare të cilat duhet të mbahen deri me 25 Nëntor në mënyrë që të arrihen afatet e caktuara në Marrëveshjen e Prespës. Duke pasur parasyshë që  dy herë deri tani ndodhi që të ketë votime dhe të mos ketë zgjidhje (edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 edhe në Referendumin e 2018), duke marrë parasyshë që një shumicë e kualifikuar parlamentare do të ishte vështirë të krijohet edhe me këto zgjedhje, dhe duke marrë parasyshë që VMRO-DPMNE mendohet t’i bojkotojë këto zgjedhje të parakohshme nëse nuk plotësohen kushtet e tyre, eksistojnë dyshime serioze se vendi mund të futet në një krizë ende më të thellë politike.

Prandaj, është thjeshtë e pakuptueshme si arritëm që aq lehtazi dhe me nonshalancë ta lëshojmë mundësinë për të dhënë mesazh të fuqishëm se ne, pa më të voglin dyshim, jemi për integrim në BE dhe në NATO. Nuk arritëm ta bëjmë këtë për shumë arsye.

Së pari, nuk arritëm të reflektojmë që ky referendum ishte për ne, për ardhmërinë tone si qytetarë të këtij vendi. Inatet personale me politikanët si dhe pakënaqësitë e shtresuara nga partitë poltike dhe premtimet e tyre të parealizuara vendosëm t’i shprehim me mosdalje masive në referendum, me mendimin se kështu më së miri i dënojmë politikanët tanë, veçanërisht politikanët shqiptarë të cilët unanimisht thirrën në përkrahje të referendumit. Gabim i madh ky, sepse duke dëshiruar t’i dënojmë ata, në fakt e dënuam vehten, dhe ia prolonguam vetëvehtes procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE. Nuk ka askund dënim më të mirë për politikanët tanë se anëtarësimi në BE dhe NATO, aty ku korrupsioni i tyre dënohet, aty ku ata nuk mund të bëjnë çfarë të duan dhe të sillen si të duan me popullin dhe në fund për këtë të mos mbajnë përgjegjësi. Kështu që, bravo na qoftë, që duke dashur t’i dënojmë politikanët e korruptuar në fakt ua zgjatëm atyre karierën politike. Bukuri!

Së dyti, nuk arritëm të përçojmë mesazh të qartë se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë dyshime kur bëhet fjalë për integrim në NATO dhe BE. Më vjen keq, por këtë nuk arritëm ta bëjmë. Dy qytetet më të mëdha shqiptare në Maqedoni, Tetova dhe Gostivari, nuk arritën të nxjerrin gjysmën e popullatës së tyre në votim. Gostivari 32% ndërsa Tetova 40% dalje në referendum. Këto dy qytete së bashku kanë të paktën 4 universitete, që do të thotë se janë qendra e inteligjencës shqiptare në Maqedoninë Perëndimore. Ajo inteligjencë nuk arriti të bindë as gjysmën e popullatës të dalë dhe të votojë PËR në këtë referendum. Ajo inteligjencë nuk arriti t’ia sqarojë popullit rëndësinë e këtij referendumi dhe ta zgjojë nga gjumi letargjik që rrezikon ta kaplojë që në këtë vjeshtë të hershme.

Së treti, partitë tona politike as për së afërmi nuk e treguan angazhimin e tyre që e tregojnë zakonisht në zgjedhjet që i tangojnë direkt ata. Partitë tona poltike e shndëruan votuesin shqiptar në votues përtac, të cilit duhet ti paguani një sanduiç, një kafe dhe një lëng pasdarke në shtabin partiak të mëhallës, të cilit duhet ti jepni një kartelë të parapaguar telefoni, të cilin duhet ta merni dhe ta transportoni deri tek vendvotimi me premtimin se nëse fitoni në zgjedhje do i gjeni edhe ndonjë punë në administratën shtetërore ku ai do mund të rrijë në shtëpi dhe do të marrë rrogë vetëm se ekziston si numër në këtë shtet. Partitë tona politike dekada me rradhë e krijuan këtë mentalitet tek votuesti tanë. Ata nuk krijuan në asnjë moment një masë të vetëdijshme dhe kritike për veprimet e tyre. Dhe pasi krijuan një klientelizëm dhe një servilitet të tillë, tani e lanë votuesin të dalë dhe të votojë vet, me inicijativën e vetë dhe sipas bindjes së vetë, pa asnjë aktivitet të mirëfilltë politik. Dhe votuesi nuk doli sepse nuk ishte mësuar të votojë pa asnjë përfitim meskin personal dhe afatshkurtër. Integrimi në BE dhe NATO i duken tani më atij koncepte shumë abstrakte, që as nuk i sigurojnë punë ku nuk punohet dhe merret rogë e as i sigurojnë një darkë mufte në shtabin partiak. Partitë tona e krijuan këtë mentalitet, dhe tani ne të gjithë i heqim pasojat e tij. Ja tani do kemi zgjedhje parlamentare dhe do shikoni sa bukur do të dinë partitë tona të hapin shtabet e mëhallave, sa bukur do të dinë të shkojnë shtëpi më shtëpi për t’i bindur qytetarët që duhet të votojnë për ta dhe sa bukur do kujdesen që në ditën e votimit të gjithë ata që i konsiderojnë të vetit ti dërgojnë në vendvotim me përcjellje pompoze sikur të ishin emisarë të lartë ndërkombëtare, sepse këti do bphet fjalë për karriket e tyre dhe për rrogat e tyre, e jo për gjëra abstrakte si UE dhe NATO.

Unë e kuptoj shumë mire atë që nuk është barrë e shqiptarëve të Maqedonisë ta zgjidhin kontestin që maqedonasit dhe grekët e kanë lidhur me emrin e këtij shteti. E kuptoj fare mirë që detyrë primare e maqedonasve etnikë me mendime përparimtare ishte pikërisht të sigurojnë dalje të lartë në referendum në vendet e tyre. Por megjithatë, nuk arrij ta kuptoj si ne si shqiptarë nuk arritëm të dalim 50% në këtë referendum ku pyetja fillonte me “A jeni për integrim në NATO dhe BE…” Unë këtë nuk e kam të qartë. Asnjëherë nuk ka qenë ideal i shqiptarit të këtij vendi të bëhet në një tabor me Mirkën, Milenkon, Sollzën. Ndërta tani këto kategori të neveritshme njerëzish i falenderojnë shqiptarët që u solidarizuan me ata për çështjen e emrit, ndërsa VMRO-DPMNE e llogarit mosdaljen e tyre pjesë të bojkotit të organizuar dhe numër të shtuar në votat e tyre. Kjo situatë për mua është thjeshtë e papranueshme dhe nuk ka asnjë fare arsyetimi.

Sidoqoftë, 600.000 veta e më tepër votuan PËR në këtë referendum. Ky është një numër për respect në këto kushte. Edhe 1.200.000 votues të kishin dalë atë ditë, përsëri del që shumica në këtë shtet janë pro integrimeve në BE dhe NATO. Prandaj edhe BE edhe NATO nuk kanë hequr dorë ende prej nesh. Që në fillim e theksuan që 91% e atyre që dolën në votime votuan PËR. Të tjerët as që llogariten, sepse që të fitosh një garë, duhet së pari të marrësh pjesë në të njëjtën. Dhe këtu qëndron shpresa, se këta 600.000 njerëz që e rrëzuan Gruevskin nga pushteti para dy vitesh dhe që tani qartë u shprehën në favor të integrimeve euro-atlantike do të arrijnë ta bindin BEnë dhe NATOn se ia vlen të na kenë në konsideratë dhe të mundohen të na tërheqin nga balta e gjallë ku jemi futur bashkë me atë mishmashin e bojkotuesve, shovinistëve, dhe shqiptarëve të painteresuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP