Ali Ahmeti: S’më frikon koalicioni LSDM-PDSH

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk frikohet, nga koalicioni eventual parazgjedhor për zgjedhjet lokale mes bllokut opozitar maqedonas të udhëhequr nga LSDM-së dhe PDSH-së. Kështu u shpreh lideri i BDI-së Ali Ahmeti, duke komentuar informacionet e kohëve të fundit për afrim të LSDM-së me PDSH-në, për zgjedhjet lokale që në rreth të parë. 

I pyetur se BDI a negocion me partnerin e koalicionit VMRO-DPNE-në për ndonjë marrëveshje eventuale për zgjedhjet lokale, Ahmeti tha se një gjë e tillë është e largët dhe se ka kohë deri në zgjedhjet lokale.

“Jo nuk na frikojnë. Nuk është biseduar për frikë. Mund të ketë marrëveshje për vende të caktuara. Marrëveshje në zgjedhjet e kaluara janë bërë një muaj par zgjedhjeve  dhe ato marrëveshje janë bërë ku janë interesat e përbashkët” tha Ahmeti.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, sa i përket avancimit të gjuhës shqipe, u shpreh se gjuha shqipe sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit është gjuhë zyrtare, por është në proces dhe në mandatin e ardhshëm sigurisht që kjo çështje përfundimisht do të mbyllet. Këtë mandat, sipas tij, theksi ka qenë në rregullimin e çështjes së amnestisë.

“Është një marrëveshje me partnerin e koalicionit qeveritarë dhe është votuar një ligj në parlament e Maqedonisë dhe unë jam shumë i hapur dhe transparent me shqiptarët e Maqedonisë, se kjo është e arritur në këtë mandat, sa i takon ligjit për gjuhën shqipe. Ky ligj është decid, është miratuar në parlament e Maqedonisë. Të gjithë ata që flasin në parlament, flasin në gjuhën shqipe. Për BDI-në në këtë mandat ka qenë çështja e amnistisë, ku amnistia më ka preokupuar mua personalisht dhe personaliteteve publike dhe politike në vend, sepse, kishim problem që mund të shkaktonte thellim të hendekut” – ka thënë Ahmeti.

Ai gjithashtu foli edhe për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve nëpër institucione, duke pranuar se mbetet punë për të bërë në këtë drejtim.

Këto komente kreu i BDI-së Ali Ahmeti i bëri pas takimit që realizoi me ministrat e punëve të jashtme të  Republikës Sllovake, Mirosllav Lajçak dhe të Republikës së Austrisë, Mihael Shpindelegger, ku kanë biseduar për përshpejtimin e proceseve euro-integruese dhe MO-në.

“Dua të them që të dy ministrat në emër të ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së kërkuan që ne sa më shpejtë të gjejmë një zgjidhje që të arrihet konsensus për fillimin e negociatave për anëtarësim me çka unë shpreha gatishmërinë dhe vullnetin e fuqishëm të BDI të pjesës që mban mbi supe përgjegjësinë për proceset euro integruese” tha Ahmeti. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button