Shpaloset busti i dëshmorit të flamurit Nazmi Saliu

Me aktivitete dhe manifestime të shumta, nën patronazhin e kryetarit të komunës të Gostivarit dhe kryetarit të Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani u shënua 15 vjetori i ngjarjeve sa të dhimbshme aq edhe krenare të 9 korrikut të vitit 1997.

Qyteti i Gostivarit me rrethinë, u stolis me flamuj kombëtarë dhe parulla “Dëshmorët i takojnë atdheut” si dhe u ndërtua një mini-shesh në Turçan të vogël, fshatin e dëshmorit të flamurit Nazmi Saliu, ku edhe u vendos busti i tij të cilin e shpalosi Osmani. Shënimi i 15 vjetorit të ngjarjeve të 9 Korrikut filloi me homazhet mbi varret e dëshmorëve Milaim Dauti në Dobërdoll, Shpend Iseini në Forinë dhe Nazmi Saliu në Turçan të Vogël. 

“Ky përvjetor i 15-të sot ka veçori dalluese sepse ne sot përmbushëm njërin nga obligimet  bazike duke shpalosur bustin e heroit të flamurit Nazmi Saliu, njëkohësisht gjatë festave te nëntorit do të shpalosim edhe bustin e dr.Shpend Iseinit dhe Milaim Dautit dhe në këtë mënyrë do të përmbushim njërin nga obligimet bazike për rehabilitimin politik te dëshmoreve të flamurit te vitit 1997”, theksoi ndërmjet tjerash lideri Osmani.

“Po të mos sakrifikohej për të mbrojtur protestuesit tjerë nga breshëria e armëve, do të ishte i gjallë dhe sivjet edhe ai bashkë me ne do të kremtonte 100 vjetorin e pavarësisë. Do të përkulej krenar edhe ai para flamurit të cilin aq shumë e çmonte. Ai do të ishe me ne, por s’do të ishin shumë të tjerë. Edhe flamuri ynë kombëtar, më ndryshe do të valonte”, tha mes tjerash Nuri Bajrami, gazetar i atëhershëm i televizionit lokal TV2, i cili lexoi referatin për kronologjinë e ngjarjeve të 9 korrikut 1997. 

Në këtë ceremoni u lexua edhe telegrami me mbështetje dhe me thirrje për unitet, nga ana e shoqatave shqiptare që veprojnë në SHBA. “Vetëm të bashkuar mund të nderojmë Gjuhën, Flamurin dhe mund të marrim udhën e ardhmërisë në hapësirat tona etnike! Koha po troket në ndërgjegjen tonë kombëtare shqiptare, Gostivari e mori Flamurin Kuq e Zi,e sotmja dhe e nesërmja kërkon që të fillojë epoka demokratike e avancimit të kombit shqiptar në Maqedoni i barabartë me popullin maqedonas dhe me kahe të reja”, thuhej ndërmjet tjerash në telegramin e dërguar nga shoqatat shqiptaro-amerikane.

Manifestimet rreth shënimit të përvjetorit 15 të ngjarjeve të Gostivarit, u përmbyllën me Akademinë përkujtimore që u mbajt në Qendrën për kulturë në Gostivar e cila filloi me një minutë heshtje për dëshmorët dhe me intonimin e himnit kombëtar, në interpretim të Kuintetit “Prishtina Brass”  dhe me vokal të Sokol Hidërshës dhe Besarta Murtezanit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button