Antikorrupsioni në nishan të deputetëve

Sot në Kuvend po diskutohet për punën e Komisionit për antikorrupsion. Deputetët akuzuan kryetaren Ljubinka Korabovska për mos kryerje të punës së saj dhe si person i pa kualifikuar për atë pozicion.

“Maqedonia është një ndër vendet më të korruptuara, sepse qeveria vjedh në mënyrë perfekte. Korrupsioni ne RM po zvogëlon bruto prodhimin vendor, harxhon fondet publike, efikasitetin e shërbimeve publike, rrit ekonominë e zezë” – tha Izet Zeqiri.

Sipas statistikave të cilave u referohet deputeti i RDK-së, shqiptarët japin më shumë ryshfet se maqedonasit.

“Ryshfeti, si problem kryesor, jepet më së shumti në polici 25%, 16% gjyq, 15% urbanizëm, 9% shëndetësi, e kështu me radhë. Nëse e shohim në aspekt etnik, shqiptarët paguajnë më shumë ryshfet se sa maqedonasit” – tha Zeqiri.

Ndërkaq opozita maqedonase kontestoi kapacitetin dhe pavarësinë e kryetares së Komisionit.

“Menaxher i turizmit udhëheq komisionin për antikorrupsion. Ju jeni kryetare e komisionit partiak për fshehjen e korrupsionit dhe krimit të VMRO-së, dhe komisionit për ndjekjen e kundërshtarëve të kësaj partie” – tha Vesna Bendevska, deputete e LSDM-së.

As kryetarja, e as deputetë nga VMRO ose BDI nuk iu përgjigjën akuzave të opozitës. Debati vazhdon pas pauzës në orën 15:00./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button