Në Qeverinë e Maqedonisë, gazetarët shqiptarë e kryejnë edhe rolin e përkthyesve (VIDEO)

Gazetarët shqiptarë, që të marrin përgjigje nga Qeveria e Maqedonisë duhet që ato t’i parashtrojnë në gjuhën maqedonase, nëse janë në gjuhën shqipe, s’ka përgjigje. Kështu u kuptua sot në konferencën për media të zëdhënësve të Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski dhe Muhamed Hoxha, transmeton Portalb.mk.

Gjuha shqipe nuk është funksionale: në konferenca për media, në linkun e marrëveshjes Maqedoni – Greqi, në akreditimet e gazetarëve shqiptarë dhe tërësisht në ueb-faqen e Qeverisë së Maqedonisë.

Gazetarët kryejnë punën e përkthyesve

Gazetarët shqiptarë sot në konferencën për media parashtronin pyetje në gjuhën shqipe, por që të gjithëve u tha që ato t’i përkthejnë në gjuhën maqedonase, edhe pse në konferencë i pranishëm ishte edhe zëdhënësi shqiptar Muhamed Hoxha. Në pyetjen e gazetares së Portalb.mk se pse duhet t’i përkthejmë ne pyetjet tona, zëdhënësi Boshnjakovski tha që të mund të merrni përgjigje.

Muhamed Hoxha dhe Mile Boshnjakovski gazetarëve shqiptarë: “Do të mund ta përkthesh pyetjen?”

Gazetarja: “Por pse ne duhet t’i përkthejmë pyetjet, ju keni përkthyes?”.

Mile Boshnjakovski: “Që të merrni përgjigje”.

Krahas kësaj, Portalb.mk më 14 shtator ka dërguar pyetje në gjuhën shqipe në e-mailin e zëdhënësit të Qeverisë, por deri më sot nuk ka përgjigje.

Pas këtij debati, zëdhënësi Mile Boshnjakovski premtoi që nga e mërkura e ardhshme konferencat e Qeverisë do të kenë përkthim simulantë shqip – maqedonisht.

“Kushtetuta është e rregulluar. Atyre të cilëve përkatësia kombëtare e tejkalon 20 përqindëshin, konferencat, në të ardhmen, nga e mërkura e ardhshme, meqë i kërkoni, do të përkthehen simulant edhe në gjuhën shqipe”, tha Boshnjakovski.

Linku i marrëveshjes Maqedoni – Greqi në shqip nuk është funksional

Gjatë këtyre ditëve është vërejtur se Qeveria e Maqedonisë nuk e ka funksional linkun e marrëveshjes përfundimtare të nënshkruar ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë në Prespë, për të cilën qytetarët e Maqedonisë u prononcuan në referendumin e 30-shtatorit.

Për këtë, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamed Hoxha tha se: “Për shkak të problemeve teknike, për momentin marrëveshja nuk është në sajt. Në çdo moment duhet të jetë aty”.

Pak minuta pas konferencës, linku i marrëveshjes Maqedoni – Greqi është ngarkuar në sajt, por nuk është në adresën e vjetër ku ka qenë, por: KËTU.

Akreditimet nuk janë në gjuhën shqipe

Javën e kaluar Qeveria e Maqedonisë ka shpërndarë akreditime për gazetarët, por ato janë vetëm në gjuhën maqedonase. Kishte rast që gazetarët shqiptarë i shqyen ata, e kurse për Portalb.mk nga Qeveria deklaruan se nëse duhet akreditime në gjuhën shqipe, të njëjtat janë në botim, dhe së shpejti do të shpërndahen në redaksitë shqiptare.

“Akreditimet të cilat i shpërndamë javën e kaluar, janë pjesë e akreditimeve të cilat u botuan të parat. Ata gazetarë të redaksive shqiptare, që kanë dorëzuar kërkesë që akreditimet të jenë në gjuhën shqipe, gjatë kësaj periudhe, këto ditë, do të botohen, dhe do të shpërndahen në redaksitë shqiptare. Përveç në maqedonisht, edhe në gjuhën shqipe”, tha zëdhënësi Muhamed Hoxha.

Edhe pas katër muajve, ueb-faqja e Qeverisë nuk është shqip

Qeveria e Maqedonisë premtoi se në qershor ueb-faqen do ta ketë tërësisht funksionale në gjuhën shqipe, por edhe pas katër muajsh, ajo nuk është. Edhe kumtesat e vendimeve qeveritare në gjuhën shqipe dërgohen me një ditë vonesë. Nuk premtohet datë konkrete.

“E dini shumë mirë se një kohë të gjatë ueb-faqja e Qeverisë ka qenë vetëm në gjuhën maqedonase. Tani, faqja zyrtare e Qeverisë së Maqedonisë, përveç gjuhën maqedonase, është edhe në gjuhën shqipe dhe angleze. Ka vonesa në postimin e lajmeve të cilat janë të shumta brenda ditës. Edhe këtë çështje do ta rregullojmë, dhe të gjitha lajmet njëkohësisht do të jenë të postuara edhe në gjuhën shqipe”, tha Muhamed Hoxha

LEXO: Versioni shqip i ueb-faqes së Qeverisë, ende nuk është tërësisht funksional
LEXO: Edhe pse premtoi, Qeveria ende nuk ka ueb-faqe funksionale në gjuhën shqipe!
LEXO: Qeveria: Ueb-faqja zyrtare për dy muaj do të jetë në tre gjuhë
LEXO: Kuvendi ka ueb-faqe në 4 gjuhë, presidenti në 2 gjuhë, Qeveria vetëm në një gjuhë

Sa për krahasim, ueb-faqja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht ajo e Zyrës së Kryeministrit është në tre gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht. Ueb-faqja e qeverisë së Serbisë është në: serbisht, anglisht dhe italisht.

Sipas ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve, i cili pritet që së shpejti të hyjë në fuqi, institucionet obligohen që ueb-faqet e tyre t’i kenë edhe në gjuhën e 20-të përqindëshit (shqipe).

Sipas Preambulës së Kushtetutës së RM-së, Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohet barazia e plotë dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë tjera që jetojnë në RM.

Neni 1 i Amendamentit V të Kushtetutës së RM-së përcakton qartë: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen… Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari…”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button