Deputetët e partisë së Angela Merkelit: VMRO-DPMNE-ja të mos bllokojë, Maqedonia mund të izolohet

Me mbi 91% “PËR”, votuesit në Maqedonia kanë dhënë mbështetje të madhe për rrugën evropiane dhe për perspektivë më të madhe të vendit të tyre në BE dhe NATO, ka porositur kryetari i grupit parlamentar të partisë së Angela Merkelit, CDU dhe partisë CSU në Bundestagun gjerman, Johan David Vadelul, njofton Portalb.mk.

Pushtetarja gjermane CDU/CSU vlerëson se opozita nuk guxon që ta bllokojë perspektivën e Maqedonisë për NATO dhe BE. Ata paralajmërojnë se mossuksesi i marrëveshjes për emrin, do ta izolojë vendin gjatë kohë.

“Në referendum, më shumë se 91% të votuesve kanë votuar për ndryshim të emrit të shtetit në “Maqedonia e Veriut”, ndërkaq njëkohësisht edhe për perspektivën e mëtutjeshme të vendit në NATO dhe BE. Por, cenzusi i nevojshëm prej 50% nuk u arrit. Prej këtu, vendimtare do të jetë votimi në Kuvend”, thotë Vadelul.

Grupi i deputetëve të CDU/CSU thotë se i vjen keq që vetëm 37% e votuesve kanë marrë pjesë në referendumin për ndryshimin e emrit, dhe se nuk është arritur cenzusi.

Grupi i deputetëve të CDU/CSU e fton opozitën e Maqedonisë që të pajtohet me, ashtu siç thonë, votimin historik dhe të rëndësishëm në Kuvend për ndryshim të amendamenteve kushtetuese, pasi që në të kundërtën, do të ishte përgjegjëse për bllokimin e rrugës për Maqedoninë në afat të gjatë dhe me atë të izolohet vendi nga Evropa. Ajo gjithashtu, thonë nga CDU, do të reflektojë edhe në mundësinë për fillimin e bisedimeve për hyrje në BE.

Ndryshe, reagimi i CDU/CSU vjen pasi që opozitarja VMRO-DPMNE ka deklaruar se nuk do t’i përkrahë ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen me Greqinë, të cilat janë parakusht për anëtarësim në NATO dhe fillim të negociatave me BE-në.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button