TABELAT E MJERIMIT

Michael Ignatieff-i në librin “Gjaku dhe Përkatësia – Udhëtime në Nacionalizmin e Ri”, thotë se lufta në Kroaci filloi me ndërrimin e emrave të rrugëve dhe të vendbanimeve. Tabelat ndryshonin varësisht se cila forcë ushtarake kishte kontroll në atë territor.

Emrat e rrugëve, vendbanimeve dhe institucioneve, flasin për statusin e një gjuhe, kulture apo kombi në një territor apo shtet.

Gjatë periudhës së Mbretërisë së SKS rrugët dhe lagjet e Tetovës quheshin: “Karagjorgjeva”, “Kral Aleksandar”, “Kral Milutin”, kurse shkollat kishin emra shenjtorësh dhe carësh serbë. Nxënësit shqiptarë ndiqnin mësimin skolastik në gjuhën serbe. Pushteti serb nuk e respektonte diversitetin etnik, kulturor ose gjuhësor. Nëpër shkolla nuk flitej për gjuhën, kulturën ose historinë shqiptare. Nxënësit shkruanin vetëm me alfabet cirilik. Daskalët serbë ishin pjesë e shërbimeve serbe të inteligjencies.

Sipas një vendimi me numër 24/649, të 2 prillit 1931, të firmosur nga ministri i Arsimit të SKS, për emërtimin e shkollave, siç thuhet, në “rajonin e Pollogut të Poshtëm të Banovinës së Vardarit” (Prosvetni Glasnik, Beograd, 1.4.1931, f. 384 /5), shkollat në Pollog u emërtuan si më poshtë: Shkolla e Bërvenicës quhej “Stepa Stepanoviq”, shkolla e Bogovinës “Kral Milutin”, e Belovishtës “Kral Stevan Deçanski”, e Breznës – “Kraleviq Marko”, e Blacës – “Filip Vishnjiq”, e Vratnicës – “Vojvoda Mishiq”, e Volkovisë – “Milosh Obiliq”, e Reçicës së Madhe – “Kral Dragutin”, e Gajres – “Boshko Jugoviq”, e Gradecit – “Car Dushan”, e Sedllarcës së Epërme – “Carica Milica”, e Debërcës – “Car Urosh”, e Dobroshtit – “Kral Petar”, e Pallçishtit të Poshtëm – “Kral Milutin”, e Zhelinës – “Knez Mihajllo”, e Jellovjanit – “Kral Milutin”, e Jelloshnikut – “Ivan Gunduliq”, e Kamjanit – “Karagjorgje”, e Leshkës – “Car Lazar”, e Lisecit – “Karagjorgje”, e Miletinës – “Zmaj Jova”, e Negotinës – “Dositej Obradoviq”, e Nerashtit – “Jovan Cvijiq”, e Neproshtenit – “Stevan Nemanja”, e Odrit – “Banoviq Strahinja”, e Pirokut – “Milan Toplica”, e Raotincës – “Kral Stevan Prvovençani”, e Radiovcës – “Branko Radiçeviq”, e Rogaçevës – “Svetozar Miletiq”, e Stençes – “Jug Bogdan”, e Siriçinës – “Vojvoda Putnik”, e Stara Sellës – “Car Urosh”, e Setoles – “Car Dushan”, e Sellcës – “Kral Milutin”, e Tudencës – “Kral Dragutin”, e Urviqit – “Gjura Daniçiq”, e Çiflikut – “Njegosh”, e Xhepçishtit– “Vojvoda Bojoviq”, e Shipkovicës – “Sveti Sava”, kurse shkollat në Tetovë quheshin “Sveti Sava”, “Vuk Karaxhiq” dhe “Gjura Jakshiq”.

Tetova frymonte shqip gjatë sundimit italian, kur dokumentet shkruheshin në gjuhën shqipe, u botuan edhe gazeta shqipe, kurse njëra shtypej në rrugën “Naim Frashëri”.

Në fillimet e periudhës komuniste disa shkolla mbanin emra personalitetesh nga kultura dhe historia shqiptare, por shumë shpejt emrat e tyre u ndryshuan.

Le të shohim se çfarë emrash kanë rrugët e Tetovës, që mund t’i gjeni edhe në hartat e Google-s. Ato quhen: “Aleksandar Jovanovski – Zhurçin”, “Andrea Ristovski”, “ARM”, “Albert Ajnshtajn”, “Bane Stefanovski”, “Banjica”, “Belgradska”, “Beliçica”, “Bihaçka”, “Bllagoja Toska”, “Boris Kidriç”, “Boro Vuliç”, “Braça Milladinov”, “Braça Simovski”, “Çairska”, “Cetinska”, “Cvetan Dimov”, “Dimo Gavroski – Kara”, “Dr. Eggman”, “Drenovec”, “Franklin Ruzvelt”, “Gjorçe Petrov”, “Goce Dellçev”, “Goce Simovski”, “Henri Hadson”, “Ilindenska”, “Iliria”, “Industriska”, “Ivo Lola Ribar”, “Jordan Zllatanovski”, “Karaorman”, “Karposh”, “Kiro Ristevski – Drnc”, “Kole Nedelkovski”, “Kongresi i Manastirit”, “Kumanovska”, “Kuzman Josifovski Pitu”, “Lenin”, “Lube Bozhinovski”, “Lubin”, “Lublanska”, “Lubo Bozhinovski – Dish”, “Maksim Gorki”, “Mara Isaeva”, “Marshal Tito”, “Massie”, “Mirçe Acev”, “Moskovska”, “Murat Baftjari”, “Nikolla Parapunova”, “29 Nëntori”, “Nobelovska”, “Ohridska”, “Pançe Kamxhik”, “Partizanski odredi”, “Pashë Derralla”, “Pitu Guli”, “Potoçka”, “Predrad Jançevski”, “Probishtipska”, “Radovan Coniç”, “Rruga e trimave”, “Savo Taseski”, “Sharplaninska”, “Shtipska”, “Strasho Pinxhur”, “Strushka”, “Todor Cipovski – Merxhan”, “Vera Ciriviri”, “Vidoe Smilevski – Bato”, “Vladimir Kostov”, “Vodenska”, “Vukashin Simovski”, “Zhedenska”, “Zhelezniçka” etj.

Këshilli Komunal i Tetovës, më 2007, solli vendimin për ndryshimin e emrave të 11 rrugëve. Rruga “Marshal Tito” u quajt “Iliria”. Një pjesë e rrugës “JNA” u vendos të quhej “Dervish Cara”, kurse pjesa tjetër “Atentatorët e Selanikut”. Rruga “29 Nëntori” u quajt “Mehmet Pasha”. Një pjesë e rrugës “Ivo Lola Ribar” u quajt “Kongresi i Manastirit”, pjesa tjetër “Republika e Krushevës”, kurse pjesa e tretë “Dëshmorët e Kombit”. Rruga “Boris Kidriç” u vendos të quhej “Metodi Andonov Çento”, “Radovan Çoniç” mori emrin “Abdyl Frashëri”, kurse rruga “Lenin” mori emrin “Sami Frashëri”. Por emrat e ndryshuar nuk i gjejmë në hartat ndërkombëtare. Autoritetet komunale dikur ishin justifikuar se ndryshimin e emrave duhej ta bënte ministria e Pushtetit Lokal. Ministria e përmendur justifikohej se kompetencat i takonin qeverisë. Në Regjistrin Qendror thuhej se emrat e ri nuk ishin evidentuar për sa kohë Komuna e Tetovës nuk kishte bazë të dhënash në Regjistrin Qendror. Një labirint nga i cili nuk gjetur dalja. Sipas emrave të rrugëve krijohet bindja se shqiptarët në Tetovë janë pakicë.

Gjithashtu, shumica e shkollave fillore dhe të mesme, shtëpia e kulturës, biblioteka, kanë emra partizanësh e komunistësh. Shkollat fillore quhen: “Bratstvo – Migjeni” (u bë nami kur shqiptarët deshën ta emërtonin shkollën me emrin e Migjenit, prandaj iu ngjit edhe një “Bratstvo” përpara dhe assesi prapa), “Istikball”, “Naim Frashëri”, “Kirili dhe Metodi”, “Goce Dellçev”, “Andrea Savevski – Kikish”. Shkollat e mesme quhen: “Kiril Pejçinoviq”, “8 Shtatori”, “Nikolla Shtejn”, “Mosha Pijade”, “Goce Stojçevski”, kurse shkolla e muzikës quhet “Todor Skaloski – Tetoec”. Emrat e institucioneve kulturore janë: Biblioteka e qytetit “Koço Racin”, Shtëpia e kulturës “Ilo Anteski Smok”. E njëjta gjendje është edhe në qytetet tjera me shumicë shqiptare.

Përfaqësuesit tanë, duke u marrë me të ardhmen e ndritur, nuk interesohen për rrugët ku ecim çdo ditë: rrugë të shkatërruara, me gropa, me emra të çuditshëm. Dhe mos harrojmë se komuna e Tetovës udhëhiqet nga shqiptarët, që merren me punë të mëdha…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button