Mungon CR7 në Champions, trigolëshi i Dybala mban Juventusin në krye të grupit

Juventusi rezulton me pikë të plota pas dy ndeshjeve të zhvilluara në fazën e grupeve të Champions League. Skuadra e drejtuar nga Allegri, në “Allianz Stadium” të Torinos ka mposhtur 3-0 zviceranët e Young Boys, duke qëndruar në krye të grupit H me 6 pikë, falë trigolëshit të argjentinasit Dybala.

 Dybala mund të quhet edhe si “vrastari” i mbrëmjes, teksa zhbllokoi rezultatin pas vetëm 5 minutash lojë, për të shënuar sërish në minutën e 33-të të pjesës së parë, përpara se ekipet t’u drejtoheshin dhomave të zhveshjes. Edhe me rikthimin në fushë, do të ishte sërish argjentinasi 24-vjeçar që do të gjente rrugën e golit në minutën e 69, ndërkohë që goditi edhe shtyllën në një tjetër rast. Për t’u përmendur, edhe pse pa shumë ndikim, kartoni i kuq i marrë nga Camara i zviceranëve, kur kishim mbetur edhe 12 minuta lojë nga koha e rregullt.

Trigolëshi i shënuar prej Dybala është i pari i tij në Champions me fanellën e Juventusit, e gjithashtu edhe e para sezonale që prej ardhjes së tij te bardhezinjtë, me të cilët ka shënuar 72 gola gjithsej, 9 nga të cilët në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë.

Paulo Dyballa iu bashkohet kështu Pippo Inzaghit, Alessandro Del Pieros dhe Arturo Vidal (i fundit që ia doli në vitin 2013), që kanë mundur të shënojnë një trigolësh në Champions me fanellën e Juventusit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button