Edhe Suzana Saliu pro Beneluksit?

Përderisa nga njëra anë shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Poposki thotë që nuk ka bazë për Beneluks shqiptar, pro kësaj ideje ka dalë dhe nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu. 

Ajo në fjalimin e saj në konferencën “Fqinjët e Shqipërisë” tha se “gjatë vizitës në Shqipëri disa ditë më parë ministri i Ekonomisë i Maqedonisë promovoi idenë dhe intensifikimin e bashkëpunimit tregtar sipas modelit të vendeve të Beneluksit, në të cilin do të përfshiheshin Republika e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Mali i Zi.

Kjo ide tashmë është duke qarkulluar si debat në Maqedoni, por derisa nga shqiptarët e Maqedonisë kjo shikohet si më se e nevojshme, opinionet e qytetarëve maqedonas janë të ndara”, tha ajo, duke shtuar se është më rëndësi fakti se në Republikën e Maqedonisë po zhvillohen debate për gjithçka” tha Saliu, transmetojnë mediet shqiptare.

Më tej ajo theksoi se, “ndër segmentet kryesore të bashkëpunimit rajonal patjetër duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik, i cili duhet të intensifikohet më shumë. Duhet të thellohet më tej bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik dhe përshpejtimi i realizimit të projekteve të përbashkëta aktuale në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetikës, në kuadër të korridorit të 8-të dhe lidhjeve hekurudhore”, tha ajo.

Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë vlerësoi se, “angazhimet e vendeve të rajonit për bashkëpunim dhe zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore është nxitje kryesore që kontribuon në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e vendeve tona”. “Shqiptarët e Maqedonisë i japin zemër dhe i çojnë përpara këto procese”, tha ndër të tjera zëvendëskryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button