Prokuroria e Lartë kërkoi rritje të dënimit për Iliqin dhe dy të dënuarve për dhunë (VIDEO)

Prokuroria e Lartë gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Apelit për ankesat në rastin “Almir Aliu”, ka kërkuar që të dënuarit për vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, Boban Iliq dhe të dënuarve për dhunë, Sami Demiri dhe Abdullah Aliu t’u rritet dënimi, njofton Portalb.mk.

Prokuroria e Lartë nuk është e kënaqur që Boban Iliq të dënohet me 6 vjet burg, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu të dënohen me nga 9 muaj burg.

“Pajtohemi me vendimin e Gjykatës, përveç në pjesën e nivelit të dënimit, gjegjësisht kërkojmë që të rritet dënimi për Iliqin, Aliun dhe Demirin. Njëkohësisht kërkojmë që Gjykata e Apelit t’i hedh poshtë ankesat e palëve”, tha përfaqësuesja e Prokurorisë.

Gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Apelit, fillimisht gjykatësi raportues i lëndës, Enver Bexheti e shtjelloi në mënyrë të  detajuar vendimin e Gjykatës, ndërkaq më pas, iu dha fjala palëve që t’i sqarojnë ankesat e tyre.

Avokati i Iliqit, Stevan Pavlevski, kërkoi që Gjykata e Apelit ta shfuqizojë vendimin me dënim për të, pasi që nuk ka bazë ligjore që i njëjti dë dënohet.

“Ne kemi pasur një teori për ngjarjen dhe ngelemi në atë. Iliq ka qenë i sulmuar dhe ngjarja ka ndodhur në vazhdimësi, pra nuk ka ndërprerje të ngjarjes. Prej këtu mund të themi se s’ka paramendim. Kjo gjithashtu mbahet në atë se Iliq është sulmuar, dhe vepra është kryer në mbrojtje”, tha Pavlevski, transmeton Portalb.mk.

Avokati i tre të akuzuarve për dhunë, babait të Almirit, Sedat Aliu, Sami Demirit dhe Abdulla Aliut, kërkoi që lënda të kthehet në rishqyrtim pasi që Gjykata Themelore e Kumanovës dhe Prokuroria kanë bërë lëshime të shumta.

“Gjykata dhe Prokuroria e Kumanovës nuk e kaluan provimin për zgjidhje të drejtë të këtij rasti. Gjatë gjykimit ka pasur një sërë lëshimesh në procedurë. E kemi rastin me ekspertizat, ku ekspertë me licencë të skaduar kanë kryer ekspertiza. Nga ana tjetër, nga tërë procesi unë nuk kam parë veprime për të cilat po akuzohen klientët e mi. Nëse e shihni CD-në, Sedat Aliu nuk sulmon askënd, por ai gjatë kohës kur Iliq e ka goditur fëmijën me veturë ai ka shkuar te fëmija, me një fjalë, nuk ka dëshmi materiale. Besoj dhe shpresoj që ta shfuqizoni vendimin e shkallës së parë dhe të kthehet lënda në rigjykim”, tha Spahiq.

Pas avokatëve, ju dha fjalë edhe të dënuarve.

Iliq tha se ndjehet i penduar pasi që nuk ka dashur që ta shkelë fëmijën, ndërkaq babai i Almirit tha se në këtë lëndë është më i dëmtuari dhe nuk e ka të qartë se përse po duan ta burgosin. Sami Demiri dhe Abdullah Aliu nuk dëshiruan të shtojnë asgjë, përveç asaj që tha avokati i tyre.

Tani për tani, vendimi i shkallës së parë nuk është i plotfuqishëm, derisa të vendos Gjykata e Apelit. Sipas procedurës, vendimi i Apelit është i plotfuqishëm dhe aktivizohet menjëherë, kjo nënkupton që nëse vendimi ngelet i pandryshuar, atëherë, Boban Iliq, nga paraburgimi shkon në burg për të vuajtur dënimin me 6 vjet, Sedat Aliu me 6 muaj, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu me nga 9 muaj.

Ndryshe, në korrik të vitit 2016-të, vogëlushi nga Kumanova Almiri, u shkel me makinë nga Iliq, pasi që paraprakisht babai i vogëlushit dhe ai kishin pasur një zënkë banale në ambulancë.

Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën vrasje me paramendim, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal”.

LEXO: BDI takon familjarët e Almirit, iniciojnë komision parlamentar për rishikim të procesit
LEXO: Sa mund ta ndihmojë drejtësinë për Almirin Komisioni Anketues i BDI-së?

Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra në opinion, duke organizuar protesta masive nga qytetarët të cilët e dënuan aktin e Prokurorisë, për shkak të rikualifikimit të lëndës.

Gjatë gjykimit, pati reagime në lidhje me atë se janë bërë lëshime gjatë procedurës, gjegjësisht janë marrë për dëshmi ekspertizat neuropsikiatrike të ekspertëve me licenca me afate të skaduara. Pos kësaj, edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua.

LEXO: Rasti “Almiri”, Avokati i Popullit thotë se ka reaguar në kohë, avokati mbrojtës demanton

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button