Sociologjia e së ardhmes: 21 mësime për shekullin 21

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti

“Bota është më e ndërlikuar se sa një tabelë shahu.”

Y.N. Harari

Pse demokracia liberale është në krizë? A po kthehet Zoti apo e shenjta në skenë? A po vjen një botë e re? Çka shenjon fenomeni Donald Trump? Çfarë mund të bëjmë lidhur me epideminë e “lajmeve të rrejshme”? Cili qytetërm do ta mbizotërojë globin, Perëndimi, Kina po Islami? A duhet Europa t’i mbajë dyert e hapura për imigrantët? A mundet nacionalizmi t’i zgjidhë problemet si pabarazia dhe ndryshimet klimaterike? Çka mund të bëjmë kundër terrorizmit? Këto janë disa nga pyetjet që trajtohen në librin më të ri të të famshmit, sipas “The Guardian”, një guru i kohëve tona, Yuval Noah Harari. 21 mësime për shekullin 21, botuar nga Spiegel-Grau (2018), në fakt janë shkrime të përgatitura për në New York Times dhe Bloomberg. Pyetja kërkimore e këtij punimi është kjo: Çfarë ofron për njerëzimin në shitoren e vet viti 2050, si ta presin pasardhësit tanë shekullin 22? “Ndryshimi është konstantja e vetme” thotë ai dhe pyet se si mund ta përgatisim veten dhe fëmijët tanë për një botë të ndryshimeve të papritura dhe të paqartësive radikale. Për çfarë shkathtësish kanë nevojë ata që të gjejnë punë në atë epokë të re, një e panjohur të cilën nuk mund ta parashikojmë ngaqë nëse teknologjia do të na mundësojë të inxhinierojmë trupa, tru dhe mendje, asgjë e njohur më parë si fikse s’do të jetë më e tillë.

Ne jemi të detyruar të merremi me këto pyetje, anipse duhet të shkojmë në punë, t’i ushqejmë fëmijët tanë ose të përkujdesemi për pleqtë. Jemi të detyruar ta bëjmë historinë e së ardhmes. Nuk ka arsyetime nëse ajo krijohet pa pjesëmarrjen tonë. Historia nuk bën koncesione. Në këtë drejtim, duhet t’i shmangemi formulës së gabuar për trajtimin e problemeve duke i ndryshuar pyetjet e jo duke i zgjidhur ato.

Temat e këtij teksti kanë të bëjnë me “këtu dhe tash”, jo si tek dy librat e tij të mëhershëm. Për shembull të Sapiens flitej për të kaluarën, kurse tek Homo Deus trajtohej çështja e pavdekësimit të njeriut përmes teknologjisë. 21 mësime merret me çështjet aktuale dhe të ardhmen e afërt të shoqërive njerëzore, me sfidat më të mëdha të njerëzimit dhe zgjedhjet më të rëndësishme që duhet t’i bëjë ai. Titujt e kapitujve të këtij teksti janë këto: (i) sfida teknologjike (zhgënjimi-fundi i shtyrë i historisë, puna, liria, barazia), (ii) sfida politike (komuniteti, qytetërimi, nacionalizmi, feja) (iii) dëshpërimi dhe shpresa (imigracioni, terrorizmi, lufta, nënshtrimi, Zoti, shekullarizmi), (iv) e vërteta (injoranca, post-e vërteta, fanta-shkenca), (v) fleksibiliteti (arsimi, domethënia, meditimi).

Sipas tij, jemi kah iu kushtojmë kujdes problemeve të gabuara dhe po hapërojmë jashtë kohës. Duhet të jemi vigjilentë ndaj rrjedhave, ndonëse në këtë botë ka aq përqasje sa njerëz: shtatë miliardë njerëz, shtatë miliardë agjenda. Nëna e karrakatinës në Mumbai, me dy fëmijë të uritur mendon për vaktin e ardhshëm, refugjati në varkën në Mesdhe skanon në horizont shenjat e tokës, pacienti që po jep shpirt në spitalin e Londrës së mbipopulluar me gjithë forcat mundohet të marrë edhe një frymë. (fq. xiv) Në këtë punim, disa kapituj lavdërojnë urtësinë e disa të tjera atakojnë budallakitë. Sipas Hararit, në një botë të stërngarkuar me informacione, kthjelltësia është forcë.

Ky libër, që analizon subjekte politike, teknologjike, sociale dhe ekzistenciale, e thirr njerëzimin të t’i marrë punët drejt, përndryshe do të përballet me një të ardhme të acartë. Avancimet teknologjike sjellin çështje madhore etike, sfida më e madhe më të cilën është ballafquar ndonjëherë njerëzimi. Ndryshimet të mëdha, si kurrë më parë, janë gjeneruar në infoteknologji, bioteknologji dhe në segmentin e nxemjes globale që sfidojnë mbijetesën tonë si specie. Zgjedhjet politike do të jenë e passé (e kaluar). Inteligjenca artificiale do t’i kontrollojë emocionet, ndërsa robotika do të eliminojnë shumë vende pune. BE duhet ta zgjidhë çështjen e imigrantëve në një mënyrë shembullore që t’iu japë sinjal të tjerëve; duhet të shpëtojmë nga prangat e fisit tonë. Deglobalizimi është i pamundur. Deri më 2048 njerëzit do të merren me migrimet në hapësirën kibernetike, me identitetet gjinore fluide, me përvojat e reja sensoriale të prodhuara nga implantet kompjuterike. Big Data po na shikon, kurse Google dhe Facebooku po e qeverisin botën. Përkujton vetëm rrjetet sociale dhe Pranverën Arabe, Lëvizjen #MeToo. Coca-Cola, Amazoni, Baidu dhe qeveria tentojnë të na hackojnë. Kontrolli dhe censurimi sot janë thuajse të pamundur. Njerëzit mësojnë në çast nga Wikipedia, ndjekin TED talks.  Gjërat që i dimë sot, më 2050 do të jetë irrelevante. Andaj duhet në mënyrë permanente të zbulojmë, të rizbulojmë. Është koha e algoritmeve dhe e inteligjencës artificiale.

Shkollat para së gjithash duhet të mësojnë katër gjëra (në gjuhën agleze “katër C-të”): mendimin kritik (critical thinking), komunikimin (communication), bashkëpunimin (collaboration) dhe  kreativitetin (creativity), duhet t’i mësojnë nxënësit të mendojnë për vetëveten, jashtë narrativave të mëdha, në veçanti në këtë epokë kur pas dështimit të fashizmit dhe komunizmit, nuk ndodhi fundi i historisë, kur regjistrohen lëkundje sizmike të liberalizmit. Vendimet që do të merren ne dekadat e ardhshme do të përcaktojnë të ardhmen e shekujve në vijim. Harari, që kritikohet se shfaqet si futurist dhe komentues e jo si shkencëtar, nuk ofron përgjigje të thjeshta, nxit mendimin kritik. 21 mësime për shekullin 21, vepra më sociologjike e autorit në fjalë, është një nxitje për pjesëmarrje në debatin lidhur me të ardhmen sociale të llojit tonë human, një thirrje për shqyrtim të vlerave, kuptimit dhe angazhimit personal në një botë plot zhurmë dhe pasiguri. Siç shprehet McMahon, ky libër na ofron veglat për t’u mbrojtur nga nihilizmi, arroganca dhe izmat primitivë dhe për t’u bërë qenie njerëzore plotësisht e realizuar. Siç shprehet një lexues, Harari nuk është futurologjist i tipit Toffler dhe Kurzweil, është një antrofuturist, një njeri që para së gjithash merret me fatin e njerëzimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP