Referendumi, sot Maqedonia vendos për fatin e saj evropian

Në referendumin që mbahet sot, qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”, transmeton Portalb.mk.

Të drejtë vote kanë 1.806.336 votues, të cilët janë regjistruar në listën zgjedhore. Lista zgjedhore është mbyllur më 10 shtator.

Votohet në 3.480 vendvotime, në 80 komuna. Vendvotimet janë hapur në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Dje votuan personat e sëmurë, të rënduar, të burgosur dhe në burg shtëpiak të cilët janë shtetas të Maqedonisë.

Krahas të sëmurve, votuan edhe diaspora e Maqedonisë në përfaqësitë konsullore në: Bern, Lubjanë, Vjenë, Toronto, Londër, Bon, Hagë, Berlin, Melburn, Kanbera, Bruksel, Stokholm, Paris, Rim, Kopenhagë, Uashington, Detroit, Pragë, Abu Dabi, Beograd, Pordgoricë, Ankara, Athinë, Bukuresht, Stamboll dhe Budapest.

Anëtarët dhe zëvendës-anëtarët e këshillave zgjedhorë kanë votuar më 26-shtator, pasi që morën pjesë në votimin e diasporës për referendumin e 30-shtatorit.

LEXO: Referendumi, sot votojnë anëtarët e këshillave zgjedhorë

Marrëveshjen me Greqinë në gjuhën shqipe mund ta lexoni: KËTU.

Partia në pushtet, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM), ka udhëhequr koalicionin “Së bashku për Maqedoni evropiane”, koalicion që përbëhej nga 30 parti politike dhe shoqata civile, të cilat së bashku kërkonin nga qytetarët rezultat potiziv për referendumin dhe për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, u bëri thirrje qytetarëve që në këtë referendum të marrin vendim dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.

Përveç fushatave “për” dhe “kundër”, në fushata u përfshin edhe shoqata civile të cilat konsideronin se referendumi duhet të bojkotohet, përfshirë edhe i ashtuquajturi “Shtabi i krizave”, i cili ishte i përbërë nga disa shoqata civile dhe u paraqitën me sloganin “Maqedonia – bojkoton”.

Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka deklaruar se nuk do të votojë në referendum, sepse siç tha ai, “dy herë ka marrë besimin nga qytetarët që mos të lejojë ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit kushtetutes”.

Në prag të referendumit, Maqedonia u vizitua nga diplomatë dhe përfaqësues të huaj, ndër të cilët edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ai austriak, Sebastian Kurz, si dhe funksionarë të tjerë të huaj të cilët apeluan te qytetarët e Maqedonisë të dalin në referendum dhe të votojnë për një të ardhme më të mirë të vendit të tyre.

Kujtojmë se referendumi i sotëm është i treti me radhë në nivel shtetëror në 27 vite të pavarësisë së Maqedonisë, i cili vjen pas marrëveshjes në qershor midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe që paraqet kushtin kryesor për anëtarësim të vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

Referendumi i parë ishte në vitin 1991, që rezultoi me pavarësinë e Maqedonisë nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ndërsa i dyti ishte në vitin 2004 për t’u prononcuar qytetarët lidhur me Ligjin për ndarjen territoriale të vendit. Edhe pse shumica votuan kundër ndarjes territoriale referendumi nuk ishte i suksesshëm për shkak se pjesëmarrja në votim që ligjërisht duhet të tejkalojë 50 për qind ishte vetëm 26,58 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button