“SHBA konfirmon mbështetjen e fuqishme për FSK-në”

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur me nderime të larta ushtarake nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis, në selinë e Pentagonit në Washington, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se me këtë rast Haradinaj ka informuar Sekretarin Mattis për të gjitha zhvillimet nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Në takimin me krerët më të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, Haradinaj ritheksoi se Ushtria e Kosovës do të jetë garancë e paqes në vend dhe rajon, multietnike dhe e gatshme për të shërbyer krah ushtrisë amerikane në misione paqësore në botë. Haradinaj e njoftoi sekretarin Mattis për të gjitha të arriturat e vendit, në veçanti për procesin e nisur të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës”, njofton zyra e Kryeministrit.

Duke theksuar se të rinjtë kosovarë nga FSK-ja kanë pasur fatin që të mësojnë nga profesionistët më të mirë të ushtrisë amerikane, Haradinaj tha se “Kjo eksperiencë e fituar është baza më e mirë që e kemi për transformimin e FSK-së dhe Kosova është e gatshme për këtë etapë”.

Haradinaj më tej e ka informuar Sekretarin Mattis se Kosova është e gatshme të përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë dhe të përfundojë konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Njoftohet se Mattis ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë Amerikane për të ndihmuar Kosovën në procesin e dialogut, por edhe në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. “Në këtë kontekst Mattis konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për FSK-në dhe procesin e ndërlidhur me transformimin e kësaj force konform planit strategjik të paraparë. Në këtë plan Mattis konfirmoi se SHBA do të punojë ngushtë në implementimin e secilës etapë të këtij plani”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button