Shkup, u vendos gurrëthemeli i kompanisë shqiptare nga industria farmaceutike SAGEN

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot mori pjesë në vendosjen e gurrëthemelit të investimit më të ri në Zonën e lirë ekonomike në Shkup, kompanisë shqiptare nga industria farmaceutike SAGEN.

Ministri Bekteshi në paraqitjen e tij tha se Sagen është një fabrikë moderne me teknologjinë më të sofistikuar për prodhimin e përbërjeve infuzive dhe barnave gjenerike, fabrikë e cila në disa faza do të bëjë edhe hapjen e rreth 300 vendeve të punës, me çka SAGEN do ti bashkohet listës prej 1500 punësimeve tashmë të shpallura nga kompanitë që kanë filluar me realizimin e aktiviteteve të tyre investuese kohëve të fundit.

‘Sot është një ndër ngjarjet më të bukura që na kanë ndodhur për një periudhë kaq të shkurtër dhe që konfirmon trendin dhe ciklin e përshpejtuar të investimeve në Maqedoni, në prag të anëtarësimit tone në NATO, dhe fillimit të negociatave për tu bërë pjesë e Evropës së bashkuar, dhe për shkak se bëhet fjalë për një konfirmim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë fqinje, me Shqipërinë mike, si pjesë e bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve tona për integrim ekonomik’, tha Bekteshi.

Ministri Bekteshi tha se investimi i SAGEN do të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të eksporteve, pasi kompanitë që operojnë në zonat e lira ekonomike janë eksportuesit tanë më të mëdhenj. Vetëm në gjysmën e parë të vitit shënojmë rritje të eksporteve për 18% nga zonat e zhvillimit teknologjik-industrial, andaj vlera e mallrave të eksportuara nga zonat arrin në 1 miliard 360 milionë euro.

‘Ky investim nga Shqipëria gjithashtu flet se me procesin e iniciuar për integrimin e vendit në NATO dhe BE tashmë po i ndjejmë edhe përfitimet, ndërsa hyrja në NATO dhe fillimi i negociatave me BE do të thotë ritje më e shpejtë e trendit të investimeve në industri, zbutje e papunësisë, rritje të produktivitetit të punës dhe rritje e konkurrencës në ekonomisë vendase’, tha Bekteshi.

Investimi përgjithshëm i planifikuar i kompanisë “Sagen” është 20 milionë euro, dhe do të hap 300 vende të reja pune, nga të cilat në fazën e parë do të investohen 6.5 milionë euro. Përfaqësuesit e kompanisë mbollën një pemë ulliri si një simbol i paqes dhe miqësisë, e cila me investimin shqiptar në Shkup synon të bëhet një simbol i miqësisë së gjatë midis Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe një nxitje për bashkëpunim të ndërsjellë ekonomik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button