Kosovë, regjisori i njohur turk xhiron filmin “Shpata prej Druri”

Regjisori i filmit “Shpata prej Druri”, Emre Konuk, thotë se është vështirë xhirimi i një filmi në gjuhën shqipe të cilën nuk e njeh, por shton se emocionet janë universale. “Emocionet që i kam ndjerë kur kam lexuar skenarin në gjuhën turke janë të njëjta me emocionet që po ndjej pasi që i shikoj skenat e artistëve në gjuhën shqipe. Sepse aktrimi është një gjë e tillë, ka një gjuhë universale”, thotë ai, shkruan Anadolu Agency.

Regjisori i njohur turk Konuk, i cili me filmin “Çirak” ka fituar çmime të shumta në festivalet ndërkombëtare dhe në ato në Turqi, është regjisor i filmit “Shpata prej Druri”, i cili fokusohet në historinë e “jetimit Hajdar”, babai i të cilit është zhdukur gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Me këtë film bardh e zi, për herë të parë producentët turq xhirojnë një film në gjuhën origjinale shqipe dhe me artistë kosovarë në qytetet e Kosovës.

Konuk në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se filmi “Shpata prej Druri” ka një skenar shumë të fuqishëm, real dhe me fiksion shumë të mirë, duke shtuar se ky realitet dhe vërtetësi ka bërë që ai të pranojë të punojë për këtë film.

FOTO- Musa Alcan – Anadolu Agency

Ai thotë se është vështirë të punojë në një gjuhë që nuk e njeh, por shton se është e këndshme të punosh në Kosovë. Konuk vuri në dukje se emocionet janë universale dhe se po punon me artistë shumë kualitativ, duke i bashkuar artistët e gjeneratës së re me ata me përvojë.

“Por, unë mendoj se emocionet janë universale. Emocionet që i kam ndjerë kur kam lexuar skenarin në gjuhën turke janë të njëjta me emocionet që po ndjej pasi që i shikoj skenat e artistëve në gjuhën shqipe. Sepse aktrimi është një gjë e tillë, ka një gjuhë universale. Emocionet janë universale, ndjenjat janë universale. Kështu që ne filluam rrugën me një ekip të mirë, produksion të mirë dhe me një skenë të fuqishme dhe me lejen e Zotit do të arrijmë në përfundim”, thotë ai.

Sipas tij, do të bëhet një film i gjatë, por jo edhe i bezdisshëm. Konuk tha se “Gjatë xhirimit të skenave, e pashë si të drejtë që të përpunoj luftën e brendshme të Hajdarit…. Filmi mund të jetë i gjatë por shpresoj se nuk do të jetë i bezdisshëm. Sepse pas përfundimit të tij, çdo skenë mua më ngjall ndjenja të thella. Tani kemi ardhur në gjendje sa që duartrokasim artistët pas përfundimit të çdo skene. Kështu që do të vijë një film i fuqishëm. Një film i gjatë, por i fuqishëm i cili nuk është i bezdisshëm”.

Regjisori turk shton se në këtë film po punojnë në një histori në kohë shumë të afërt, ku sipas tij, madje edhe në fytyrat e artistëve mund të shihet ai trishtim.

“Ne kur i mbajtëm mbledhjet e para me artistët, ata i bëri të emocionohen që një producent turk dhe një regjisor turk do të xhirojë një film në Kosovë në lidhje me luftën në këtë vend. Kështu që edhe reagimi i qytetarëve në këtë vend për këtë projekt është shumë pozitiv, bëjnë më të mirën e tyre”, thotë ai.

“Po përpiqem që të zgjedh histori të vërteta brenda jetës”

Konuk duke folur në lidhje me karrierën e tij tha se “Në këtë sektor kam hyrë si kinematograf. Vij nga teknika dhe kuzhina e punës. Por, gjithmonë kisha një emocion që të bëhem regjisor sepse kisha histori të shumta që doja të tregoja. Jeta ime që nga dita e parë ka filluar në mënyrë shumë interesante. Ditën kur kam lindur më ndërroi jetë xhaxhai, kështu që unë nuk kam festime të ditëlindjes dhe zakonisht hapen temat në lidhje me vdekjen e tij”.

“Edhe pasiqë fillova të merrem me kinema, e vërejta këtë. Kur shkruaj diçka dora ime gjithmonë shkon te vdekja. Gjitmonë kam një impuls për të shkruar diçka për vdekjen. Për shembull filmi im i parë ‘Çirak’ ishte histori e një njeriu që kishte frikë vdekjen. Edhe filmat tjerë që i kam shkruar, pra dy filmat e tjerë të treshes po i përpunojnë temat e ngjajshme. Por, ‘Shpata prej Druri’ hyri shumë mirë në mes. Sepse tema e vdekjes ndodhet në të gjitha skenat dhe në gjithë ritmin e këtij filmi. Dhe, kjo është një nga arsyet kryesore që kam pranuar këtë film. Por, karrierën time e vazhdoj jo vetëm nga kinemaja, por edhe nga sektori i serialeve. Edhe në xhirimin e serialeve, asaj që i kushtoj rëndësi është që të ketë një çështje”, thotë Konuk.

Musa Alcan – Anadolu Agency

Ai bëri të ditur se karrierën e tij me seriale ka nisur me serialin “Yunus Emre” në TRT dhe se më pas ka vazhduar me “Payitaht Abdülhamid”.

“Mund të them se jam më tej se synimet e mia, pra kam një karrierë që ka përparuar shpejtë. E dua shumë punën time. Kur e xhiroj një projekt punoj deri në mëngjes për të hyrë në brendësi të atij projekti dhe për ta ndjerë atë. Për këtë arsye Zoti e jep rezultatin e kësaj”, tha ai.

Konuk thotë se të interesimi për artin vizual është një nga faktorët kryesorë që ai ka zgjedhur kinemanë. Ai thekson se në plan të parë e vendos vërtetësinë ose realitetin. Sipas tij, “Shpata prej Druri” është një film i tillë, “shumë real dhe nga jeta”. Ai tha se në Kosovë ka shumë histori e drama të tilla, jetimë që kanë humbur babatë e tyre.

Regjisori turk bëri të ditur se vitin e ardhshëm do të xhirojë një film të ri të quajtur “Uşak” (“Shërbëtor”), e cila është histori e një burri të moshuar i cili ballafaqohet me vdekjen. Ai tregon se filmi kalon në Turqinë e viteve të 1950-ta.

Të gjithë aktorët e filmit janë kosovarë

Skenari i filmit “Shpata prej Druri”, i cili po xhirohet me mbështetjen e Fondit të Promovimit të Republikës së Turqisë, me bashkëproducimin e TRT-së (Radio-Televizioni i Turqisë) është shkruar nga Selman Kılıçaslan.

Të gjithë aktorët e filmit janë kosovarë, ku aktori kryesor në rolin e Hajdarit është Florist Bajgora. Përveç tij, në kastingun e filmit janë aktorët e njohur si Fiona Gllavica, Mensur Safqiu, Bislim Muqaj, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Ernest Malazogu dhe Artiole Hamdiu.

“Babai i Hajdarit i cili ka lindur në fshatin Krushë të Vogël të Kosovës, Hyseini si personi i vetëm që ka shpëtuar nga një masakër e madhe e serbëve në këtë fshat në luftën e vitit 1999, është zhdukur. Pas disa vitesh pas vdekjes së nënës së tij, Hajdari mbetet i vetëm dhe përkujdesjen e tij e marrin xhaxhai Nexhati dhe gruaja e tij Fatimja. Hajdari i cili braktis edhe studimet universitare në drejtimin e historisë për shkak të kushteve ekonomike, filloi të ndiqte një shenjë me dëshirën për të gjetur babanë e tij. Gjëja e vetme që kishte mbetur si kujtim nga babai i tij për 22 vjeçarin Hajdarin, ishte një shpatë prej druri. Në kërkim të babait të tij të zhdukur, Hajdari në njërën anë bëhet dëshmitar i një qëndrimi prej dervishi të babait të tij, ndërsa në anën tjetër ndjek përgjegjësit serbë të masakrës së kryer në fshatin e tij”, është tema e filmit që po përgatitet nga kompania A23 Media.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button