Air Albania, ura lidhëse e shqiptarëve me metropolet e botës

Kompania kombëtare e fluturimeve e Republikës së Shqipërisë, Air Albania, e krijuar në partneritet me Turkish Airlines, po realizon fluturimet e para të saj.

Pas udhëtimit të studentëve të ekselencës, radha për të udhëtuar me Air Albania ishte e gazetarëve dhe artistëve shqiptarë, të cilët vizituan Stambollin. I shtrirë ndërmjet dy kontinenteve, Azisë dhe Evropës, qyteti ka qenë mysafir i gazetarëve dhe artistëve në një udhëtim promovues me linjën e re ajrore.

Përfaqësuesit e mediave nga Shqipëria shëtitën dhe vizituan destinacionet turistike të Stambollit, si Xhaminë Blu, Aja Sofian, Muzeun e Pallatit Topkapi, duke mos munguar as udhëtimi me anije në Bosfor, ndërsa mbetën të mahnitur nga bukuritë dhe trashëgimia historike e metropolit turk.

“Do të jemi një urë lidhëse për të gjithë shqiptarët”

E konsideruar si një urë lidhëse ndërmjet shqiptarëve dhe vendeve të tjera të botës, Air Albania është shndërruar tashmë në imazhin e ri të Shqipërisë, jo vetëm si një mundësi për të promovuar vendin në metropolet e botës, por edhe sepse pritet të ofrojë shërbime cilësore për shqiptarët në të ardhmen.

Pjesëtarët e stafit të Air Albania ishin të entuziazmuar që u bënë pjesë e kompanisë së re, e cila pritet të shtojë destinacionet e fluturimeve në muajt në vazhdim, duke e vlerësuar këtë edhe si një përvojë të rëndësishme në jetën e tyre.

Doris Rojba, shefe kabine në Air Albania, duke folur për Anadolu Agency (AA), u shpreh se e konsideronte si të veçantë në jetën e saj përvojën në kompaninë e parë shqiptare të fluturimeve.

“Është një përvojë shumë e rëndësishme dhe e veçantë për të gjithë ne, pasi përfaqësojmë shtetin tonë dhe do të jemi një urë lidhëse për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Do të jetë një urë lidhëse mes metropolit të Shqipërisë dhe metropoleve të tjera të botës. Kjo do të jetë diçka pozitive për të gjithë ne”, tha Rojba.

Ajo vlerësoi, ndër të tjera, trajnimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga stafi i Turkish Airlines, si dhe u shpreh se kanë përfituar shumë nga përvoja dhe profesionalizmi i kompanisë turke, duke marrë njohuri mbi bazat e sigurisë në aviacion.

Sejdin Metani është një tjetër pjesëtar i stafit të Air Albania, i cili po ashtu e vlerëson pozitivisht angazhimin në këtë kompani.

“Vendosa të realizoj intervistën dhe tani jam pjesë e Air Albania. Ne do të përfaqësojmë shtetin tonë gjatë çdo itinerari që do të përshkojmë. Pse jo, të bëhemi edhe një urë lidhëse e çdo shqiptari dhe kujtdo tjetër që do të udhëtojë në Shqipëri, duke ofruar fluturime sa më të sigurta e të këndshme me Air Albania”, vlerëson Metani për AA.

Për sa i përket trajnimit, Metani thekson se janë trajnuar nga një ndër kompanitë me të mëdha në botë, që është Turkish Airlines.

“Trajnimi ka qenë shumë intensiv dhe shumë kërkues. Nuk mund të mos lë pa përmendur profesionalizmin e instruktorëve të Turkish Airlines, pasi janë ato që na e kanë bërë më të lehtë trajnimin, duke na mësuar dhe shpjeguar gjithçka me hollësi e në mënyrë sa më të kuptueshme për ne”, shprehet Metani.

Krijimi i kompanisë kombëtare të fluturimeve të Shqipërisë me mbështetjen e Turqisë është tashmë një realitet i mirëpritur edhe nga shqiptarët.

Ceremonia e përurimit të Air Albania u organizua në mesin e muajt shtator. Udhëtimet e para janë realizuar drejt Stambollit, ndërsa në muajin tetor, kompania do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore evropiane.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në ceremoninë e përurimit të kompanisë ajrore Air Albania në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, iu falenderua edhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, duke u shprehur se, “Air Albania është një ndërmarrje e mundimshme, sepse është dashur e nuk diskutohet që pa iniciativën dhe mbështetjen bujare të Presidentit Erdoğan, sot ne nuk do të ishim këtu”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button