Referendumi: Liri apo vdekje!

Historiku i organizimit të referendumeve është praktikuar shumë më herët në disa shoqëri dhe shtete, si kompromis mes forcave politike që pretendojnë se veprojnë në të mirë të popullit, kombit, apo etnisë së tyre. Referendumi ka për qëllim t’ju mundësoj qytetarëve të një territori apo shteti, që të deklarohen në mënyrë direkte me votën e tyre, “për” apo “kundër” një çështje të politizuar skajshmërisht nga faktorët politik. Mirëpo, duhet kuptuar se organizimi i referendumeve jo gjithmonë ka patur për qëllim qëndrimin demokratik të një populli. Në shtetet me demokraci të theksuar, referendumi gjithmonë ka dhënë përgjigjen e fundit të qytetarëve për një çështje madhore të interesit të tyre. Në raste tjera, referendumi u ka shërbyer pushtetarëve të ndryshëm si një vegël më e qëlluar, për të maskuar dhe për të legjitimuar qëllimet e tyre të errëta në emër të popullit, sidomos referendumet e organizuara nga pushtetet autokrate të kohës së Napoleonit, dhe fillimit të shekullit të XIX, që arriti kulminacionin e keqpërdorimit në kohën e Gjermanisë naziste. Referendumi pas luftës së dytë botërore, është përdorë si armë kryesore për deklarimin qytetarë, posaçërisht në vendet dhe shtetet e çliruara nga kolonializmi dhe formimi i shteteve të reja, me qëllim të vendosjes së demokracisë dhe konsilidimit të demokracisë në shtetet e zhvilluara.

Historia shënon më tepër se 1500 referendume të organizuara në shtete të ndryshme të botës. Për të qenë rezultatet e referendumit obligative, dhe për të marrë formën e prerë juridike, secili shtet ka legjislacionin e ndryshëm që i parasheh format dhe mënyrën e organizimit dhe zbatimit të referendumit. Në disa shtete të botës, kjo formë e deklarimit qytetarë, është përdorë për shumë çështje, në disa shtete shumë rallë, ose asnjëherë. Referendumet, si mjet i politikës paqësore, u përdorën më së shumti nga të gjith popujt që e përbënin Federatën Jugosllave, dhe nga shtetet që pa dëshirën e tyre u futën nën ombrellën e Bashkimit Sovjetik.

Përpjekjet për organizimin e referendumeve në Ish-Jugosllavi

Përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos SHBA-ve dhe BE-së, për të vendosur demokracinë në ish Jugosllavinë me mjete paqësore, kanë qenë të panumërta, në përkrahjen e vullnetit të popujve, republikave, dhe krahinave autonome në atë Federatë Jugosllave, që me Kushtetutën e vitit 1974 kishin të definuar kufijt dhe territoret e veta, që të organizojnë referendum dhe të shprehin vullnetin e lirë për mbetje apo largim nga ajo federatë në shtete të pavarura. Duke marrë parasyshë se projektet hegjemoniste serbe ishin të gjalla, dhe përkraheshin nga Akademia e Shkencave Serbe, që kishin përpunuar në detaje projektet e tyre për marrjen dhe uzurpimin e sa më shumë territoreve nga popujt tjerë që e përbënin atë federatë, dhe daljen në skenë të politikës së Millosheviqit, që ishte vegël në duart e Akademisë së Shkencave Serbe, u pamundësua ndarrja paqësore nëpërmjet deklarimit të këtyre popujve për pavarësi, sidomos pas organizimit të “jogurt revolucioneve” për marrjen e autonomisë së Kosovës, Vojvodinës, Malit të Zi, dhe kryengritjes së popullit serb në Kroaci dhe Bosnjë, me përkrahje direkte të politikës serbe. Përparësitë dhe superioriteti i politikës serbe në këtë luftë ishte grumbullimi i gjith potencialit ushtarak të ish Jugosllavisë në duart e veta, dhe përdorimi i potencialit të madh të bashkëpuntorëve të ish UDB-së nga të gjith popujt, për qëllime hegjemoniste, sidomos të bashkëpunëtorëve nga radhët e popullit shqiptarë dhe boshnjak.

Politika serbe, nën udhëheqjen e Milosheviqit, arriti që me projekt të detajizuar të fusë në lojë kartën fetare, sidomos Islamin, duke regrutuar një numër të madh prijësish fetarë, sidomos rininë Islame, që kinse në emër të të drejtave fetare të dobësojnë ose të shkatërrojnë palcën e udhëheqjes kombëtare, dhe luftës për pavarësi të shqiptarëve për një Kosovë të pavarur, si pjesë konstituive e ish federatës me Kushtetutën e vitit 1974, dhe pavarësimin e shtetit të Bosnjës. Në emër të kësaj lufte fetare, arritën që në Bosnjë të shkaktojnë një luftë vëllavrasje të tmerrshme, dhe në mesin e shqiptarëve arritën të fusin përçarrjen dhe urrejtjen kombëtare, me shpresë se më në fundë do të dominojë opcioni fetarë mbi atë kombëtarë, dhe Kosova dhe Bosnja do të mbeten përgjithmonë pjesë dhe territor i administruar nga politika serbe, duke shkatërruar kombëtaren dhe duke u kënaqur kinse me liritë e fituara fetare nën Serbinë e Madhe.

Destabilizimet, manipulimet, dhe trazirat e ndryshme që tronditën Bashkësinë Fetare Islame të ish Jugosllavisë, dhe fërkimet e ndryshme nëpër xhamia, gati në të gjithë territoret ku jetonin pjesëtarët e islamit, nga Maqedonia e deri në Zagreb, ku ishte themeluar qendra Islame dhe xhamia e madhe, e kishin në dorë mbeturinat e ish UDB-së, që vepronin në drejtim të realizimit të projektit të përpiluar nga Akademia e Shkencave Serbe, dhe në interes të politikës së Milosheviqit, dhe në dëm të pavarësimit të shqiptarëve, boshnjakëve, malazezëve, dhe maqedonëve, në shtete të pavarura si shembulli i sllovenëve dhe kroatëve.

Pavarësisht kësaj politike të djallëzuar të Serbisë, dhe gabimit të madh të republikave të ish federatës, që  lejuan suprimimin e autonomisë së Kosovës, me përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë të gjitha shtetet arritën që nëpërmjet referendumit të organizuar në ato rrethana, arritën që të dëgjohet zëri i popujve të ndryshëm për pavarësi nga federata Jugosllave, dhe sidomos nga politika hegjemoniste serbe që të pavarësohen, edhe pse çmimin e kësaj pavarësie disa e paguajtën me gjak dhe luftë të tmerrshme për liri dhe pavarësi. Fatmirësisht, faktori ndërkombëtarë, Unioni Evropian, dhe sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke njohur mirë qëllimet e keqëpërdorimit të kartës fetare nga ana e politikës serbe, sidomos me Islamin, nuk ranë në këtë grackë të frikësimit se shqipëtarët dhe boshnjakët e rrezikojnë Evropën me fundamentalizmin Islam, por në mënyrë të prerë përkrahën vullnetin e këtyre popujve për liri dhe pavarësi në mënyrë decide, ashtu siqë ishte në kushtetutën e vitit 1974 përbërrja e njësive administrative, dhe shprehja e qytetarëve në referendum, të organizuara me shumë peripeci për pavarësi.

Shqiptarët e kanë të freskët në memorien e tyre organizimin e referendumit në rrethana të okupimit serb të Kosovës, referendumin e organizuar në Maqedoni, në Mal të Zi, Preshevë, Bujanovcë dhe Medvegjë, u munduan që të ngrenë zërin e tyre dhe në mënyrë paqësore të shprehin vullnetin e tyre si të gjitha kombet që e përbënin ish Federatën Jugosllave. Për shqiptarët në Ballkan, me rëndësi jetike ka qenë pavarësia e Kosovës dhe rrënia e sistemit më të egër komunist në Shqipëri. Organizimi dhe frymëmarrja në liri me përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë, sidomos këmbëngulja e SHBA-ve dhe BE-së, për një të drejtë elementare për liri dhe pavarësi, dhe trajtim të barabartë me kombet tjera në Ballkan, ka qenë synim jetësorë i shqiptarëve. Shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbi, asnjëherë nuk e kanë ndjerë veten të rrezikuar nga malazezët apo maqedonasit, por gjithmonë e kanë ndjerë mbi kokë grushtin e hekurt të Beogradit, që është ushtruar mbi ta në emër të nacionalizmit malazez dhe maqedonas. Në moment posa këta dy kombe u çliruan nga politika e Milosheviqit, bashkarisht me shqiptarët që gjendeshin në këto dy shtete, filluan të ecin drejtë ardhmërisë së përbashkët.

Mirëpo, në fund të kësaj pjese të analizës duhet thënë edhe anën tjetër të medaljes se, për të arritur deri te një paqe e përhershme në Ballkan, nuk duhet patur iluzion asnjë popull, duke e përfshirë edhe atë shqiptarë, se kjo paqe mund të arrihet pa bashkëpunimin e Serbisë. Këtë e dinë mjaft mire edhe vet serbët, që nga një element destabilizues mundohen të luajnë një rol stabilizues, dhe këtë më së miri e përshkruajti vet akademiku i shquar serb Dobrica Qosiq, që në vitin 1999 pati deklaruar: “është koha që ne serbët të përgaditemi dhe në mënyrë paqësore ta dorzojmë Kosovën në duart e ndërkombëtarëve dhe më pastaj në duart e vet shqiptarëve.” Kjo politikë e moderuar serbe, dhe ndryshimi i qëndrimit ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj fqinjëve, është garanca më e mirë se në Ballkan do të vendoset paqeja. Për këtë arsye, nuk ka dilemë se referendumet që janë organizuar dhe që priten të organizohen, qoft në Maqedoni apo në Kosovë, do të jenë të suksesshëm, dhe do të jetë një fillim i një ardhmërie të përbashkët të ndërtimit të paqes, sigurisë, dhe demokracisë në Ballkanin perëndimorë.

Çka do të thotë organizimi i referendumit në Maqedoni për Maqedoninë Evropiane?

Njerëzit që janë rritur dhe edukuar me frymën komuniste gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, por pse jo edhe më vonë, duhet të kuptojmë se gjatë këtyre 30 viteve organizata politiko-ushtarake NATO, është një nga elementet kryesore në vendosjen e paqes në botë, dhe nuk mund të mohohen përpjekjet e panumërta, dhe harxhimet maramendëse të kësaj Aleance për të ndihmuar të gjitha vendet e botës në përpjekje për demokraci, posaçërisht shtetet dhe popujt e Ballkanit. Është mire, që popujve të Ballkanit t’u bëhet me dije se përpjekjet për t’u futur në NATO nuk janë përpjekje për t’u futur në një luftë kundër dikujt tjetër, por përpjekje për të ndihmuar veten dhe të tjerët në rruajtjen e paqes dhe sigurisë. Referendumi në Maqedoni duhet të kuptohet si një përpjekje e popujve, që sa më shpejt duan të bëhen pjesë e paqes dhe jo të konfliktit, siqë pretendojnë ta komentojnë disa mbeturina të ish sistemit, dëshirën dhe përpjekjen e Maqedonisë dhe shtetetve tjera të Ballkanit për t’u futur nën ombrellën e NATO-s. Hapja e rrugës për të rifilluar negociatat me BE-në, janë thjesht përpjekje e gjeneratës më të moshuar për të ndihmuar që sa më shpejt rinia e të gjith popujve të Ballkanit, posaçërisht rinia e Maqedonisë, të ec drejt një rruge të sigurtë të mirëqenies sociale dhe ekonomike, dhe jo rrugës së migrimit dhe ikjes nga vendlindja. Referendumi duhet të jetë fillimi i kthesës historike që këta popuj mirëqenien e tyre sociale dhe ekonomike, ta kërkojnë në vendlindjen e tyre. Prandaj, ti thuash PO referendumit do të thotë ti thuash PO sigurisë së gjeneratave të reja dhe mirëqenies së tyre sociale dhe ekonomike.

Tanimë, kemi arritur në pikën e zenitit të konsolidimit të demokracisë në të gjithë shtetet e dalura nga ish Jugosllavia, duke përfshirë edhe vetë Serbinë që ishte rob i vetes së sajë me projektet hegjemoniste, dhe vendosjen e paqes së përherrëshme në Ballkanin perëndimorë një herë e përgjithmonë. Organizimi i referendumit në Maqëdoni, nuk është dëshirë e LSDM-së, BDI-së, apo VMRO-DPMNE-së, që e propagandoi gjatë gjithë kohës që ishin në pushtet, por tani erdhi momenti që të realizohet nga ky koalicion qeveritar, dhe të përkrahet nga të gjithë forcat politike në Maqedoni, dhe t’u jepet mundësia të gjith qytetarëve, pa dallim etnie apo feje,  që ta thonë fjalën e fundit me votën e tyre pro referendumit, duke i thënë lamtumirë të kaluarës së hidhur të përbashkët, me shumë sakrifica dhe durim për një ardhmëri evropiane, dhe për të shijuar çdo qytetarë lirinë dhe demokracinë e vërtetë.

Mirëpo, duhet rikujtuar të gjith lexuesit se, periudha e kaluar e tranzicionit 27 vjeçar për këtë shtet ka qenë përplot me obstrukcione dhe peripeci, turbulenca dhe destabilizime, manipulime dhe shantazhe, dhe shumë përfitime në emër të kombit dhe fesë, apo patriotizmit dhe nacionalizmit. Gjatë kësaj periudhe kohore shteti ka qenë i padefinuar mjaftueshëm, dhe ky karakterizim i shtetit ka qenë mjaft i favorshëm për nëntokën, që kanë përfituar mjaftueshëm nga ky status kuo i shtetit. Ky grupacion nuk do të kënaqej me asnjë marrëveshje të botës sepse çdo marrëveshje për zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve, me automatizëm eliminon nga gara këta njerëz, që biznesin e tyre e krijojnë nga pasiguria dhe destabilizimi, dhe e gjitha në kurriz të popullit dhe shtetit. Kësaj të kaluare të hidhur duhet ti japim fund, dhe fundi i saj shihet me rrumbullaksimin e kësaj marrëveshje me fqinjët tanë nëpërmes referendumit të 30 shtatorit. Ky referendum do të përmbyll njëherë e përgjithmonë këtë të kaluar të hidhur, dhe me automatizëm do t’i jep shtetit kahje dhe definim të qartë se kah dëshirojmë të ecim në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, duhet patur kujdes nga po të njejtat grupacione, që mos të vazhdojnë me manipulimet dhe maskimet e tyre, sepse këta njerëz janë mjaft të aftë të nuhasin vullnetin e popullit dhe sërisht të përfitojnë në emër të vlerave progressive, që i kanë luftuar me dekada po të njejtat vlera përparimtare dhe universale. Sofistikuesit politik e kanë për obigim të kuptojnë dhe demaskojnë këto tendenca mjaft të dëmshme, që në emër të vlerave të NATO-s dhe BE-së, të vazhdojnë edhe më tutje të shfrytëzojnë gravitacionin e forcës tërheqëse të vullnetit të shumicës së qytetarëve pro referendumit, dhe ta drejtojnë këtë vullnet në drejtim të gabuar, ose tek e fundit në dobi të tyre, ngjajshëm me shfrytëzimin e deri tanishëm 27 vjeçarë. Njerëzit e vullnetit progresiv njëherë e përgjithmonë duhet ta fitojnë këtë betejë, dhe kurrorëzimi i kësaj fitore duhet të ndodh më 30 shtator, dita kur rrumbullaksohet definimi i shtetit dhe rajonit në përgjithësi.

Në fund, nuk duhet të habitemi aspak se pse nëntoka, manipulatorët apo kriminelët, e paraqesin referendumin si vdekje të shtetit, kombit apo gjuhës, sepse suksesi i referendumit do të thotë vdekje për vet ato. Në realitet, suksesi i referendumit do të thotë liri, barabarësi, shtet, komb apo gjuhë, dhe për këtë arsye, dita e diel e 30 shtatorit duhet të trajtohet si liri dhe rilindje të vërtetë të vet shtetit!

Autori është kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button