Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nis nesër punimet

Nesër në Kombet e Bashkuara fillojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshme me liderët botërorë që do të jenë ashtu si çdo shtator tjetër, në Nju Jork. Në asamble mbahet debati i përgjithshëm, ku përfaqësuesit e të gjitha vendeve mbajnë fjalime.

Por, në sallë nuk zhvillohet një debat në kuptimin e vërtetë të fjalës. Thjesht, vendet e ndryshme e marrin fjalën njëri pas tjetrit dhe flasin për çështjet më të rëndësishme për qeveritë përkatëse. Sipas traditës, Brazili është vendi i parë që merr fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, transmeton TCH.

Kjo traditë ka filluar në vitin 1947. Sipas Kombeve të Bashkuara, në vitet e para të formimit të organizatës, askush nuk donte të ishte i pari të fliste dhe Brazili, vullnetarisht, merrte fjalën i pari. Vendi mikpritës, Shtetet e Bashkuara, flasin gjithmonë të dytët, pas Brazilit. Presidenti Donald Trump pritet të flasë këtë vit të martën në mëngjes. Ai vazhdimisht e ka kritikuar organizatën botërore, duke thënë se Shtetet e Bashkuara, që paguajnë 22% të buxhetit të OKB-së prej 5,4 miliardë dollarësh, mbajnë peshën më të madhe.

Radha e folësve të tjerë të debatit të përgjithshëm 2-ditor përcaktohet nga disa faktorë, si balanca gjeografike, apo radha sipas kërkesës, por edhe nga faktorë të tjerë. Folësve u kërkohet që fjalimi i tyre të mos jetë më tepër se 15 minuta, por në praktikë ata flasin edhe më gjatë. Fjalimi më i gjatë në historinë e Kombeve të Bashkuara ka qenë ai i udhëheqësit kuban, Fidel Castro, në vitin 1960: 4 orë e gjysmë, edhe pse ai nuk e mbajti fjalimin në debatin e përgjithshëm.

Gjatë ditëve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, udhëheqësit botërorë ndjekin edhe takime për çështje të ndryshme. Me këtë rast, ata zhvillojnë edhe diskutime private.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button